Motive lirike popullore nga Fatbardha Xhani Myslimaj
GËZOVA QË MË DO…
Gëzova që më pe
Gëzova si fëmi
Nuk më erdhi turp
Kjo është dashuri…
Gëzova që më qeshe
Gëzova si fëmi
Dhe nuk u pendova
Kjo është dashuri…
Gëzova që më fole
Gëzova si fëmi
Dhe su ndjeva keq
Kjo është dashuri…
Gëzova që më do
Gëzova si fëmi
Dhe bota u bë imja
Kjo është dashuri…
Këto, më the një ditë
Më pe me sytë shpuzë
Përgjigjen që kërkoje
E more veç me buzë!
MOS IA FSHI TI LOTIN HËNËS
Rreze e ëmbël vesë e larë
Zbriti mbrëmë si dorë e ëndrrës
Nga një sy vjedhurazi shkarë
Mos ia fshi ti lotin hënës…
Ra mbi faqen ftohtë si qelq
Fjalët plumb ia dhuroi këngës
Nuk u lut veç kërkoi ndjesë
Mos ia fshi ti lotin hënes…
Le të flasë në netë pa gjumë
Siç i lutet lulja rrënjës
Lëng i jetës bëhet lumë
Mos ia fshi ti lotin hënës…
Pa një lutje, pa një fjalë
Ti e zvëndësove “zotin”
Le të bëhet i ngrohte valë
Mos ia fshi pra hënës LOTIN…!
ËNDËRR MOLLË E ËNDËRR FTUA
Më dëgjon e më lëvdon
Gëzoj e gëzon me mua
Ëndrrat bukur mi lëmon
Ëndërr mollë e ëndërr ftua…
Veç sa herë më ngacmon
Bëhem mace të gërvish
Mos me shaj se më lëndon
Jetën dyfish ma shkurton…
Bëj, si dua unë të bësh
Veç më ledh e më gëzo
Sepse mendjen mund ta lësh
Sa herë bën sikur s’ më do…
Se nga ndjenja ke veç mirë
S’ ía vlen t’ më humbasësh mua
Të harrosh është e vështirë
Ëndërr mollë e ëndërr ftua…
Po shkoj
Po shkoj i thashë zogut
dhe sytë vesuan,
Fierit dhe kulprës
që pemën shtrëngon,
Gjethet u bëne shtroje
të shtrihem me ftuan
U ula tek vendi
ku do vijë një ditë
Do prehem pranë shokut
tim krahëjeshil
Në nje pllajë të bukur
plot bletë dhe lule
Ku shpirti përherë
mban erë tërfil
Ky pyll plot jetë,
ky qiell pa re
Më hyn thellë në zemër
dhe mbetet atje…!!!
NË MË DO…
Në më do eja ma thuaj
Me një fjalë, me një lot
Me romuze ti mos luaj
Mos bëj naze kot më kot!
Në me do eja më merr
Me një qeshje, me një gjest
Pa më fol edhe një herë
Me inate kot, mos hesht!
Në më do ti, si të dua
Lëri lojrat djalë i mirë
Se kur vjen e më thua
Menjëherë bëhem flutur!
Behem flutur krahëshkruar
Dhe te faqja të qëndroj
Të prek buzën e lëmuar
E të them: të dashuroj!
DY FJALË
Dy fjalë më the, dy fjalë më shkruaj
Plot me gërma zemre, plot me gërma shpirti
Të ngrysem pa ty, të gdhij dashuruar
Sa herë që të shkoj, aq më shumë të dua.
Në lirinë tënde endem si pulëbardhë
në mendimin tënd ngjyej penen time
Sa herë të shikoj mendja fluturon
bëhu vargu im, në më meriton.
DJALË MOS MË RRI AQ LARG
Tingujt dridhen, qielli blu
Ktheje kokën jam këtu
Syri i gelbërt u trazua
E më tha s’të kam harruar…
Zemra zë e thur një varg
Djalë mos më rri aq larg!
I mbyll sytë e bëj të fle
Heshtje e djalit nuk më le
Ç’thua mik, pse s’ shkruan letër
Mos mendon se kam një tjetër?
Edhe thur e çthur një varg
Djalë mos më rri aq larg!
Era fryn e fryn ngadalë
Si ka nisur s’ mund të ndalë
Dhe në ëndrra më përkund
Sikur dorën larg më tund…
Erë e ngrohtë i çon një varg
Djalë mos më rri aq larg!
Vjen agimi çel i kuq
Shpirtin shpresa plot e mbush
Se një ditë prapë do te vish
Ti pa mua s’ mund të rrish!
Pa do qeshësh me një varg
Djalë mos më rri aq larg…!!
Fatbardha Xhani Myslimaj





























Leave a Reply