Poezi nga Nikollë Loka
Zjarri i zemrës
Guri ta jep zjarrin në eshkë,
në eshkën e shpirtit tënd.
Po ia ktheve zjarrin gurit në vjeshtë,
eshkën ruaje për pranverën që vjen.
Merrja zjarrin gurit
në pranverë që ta mbjellësh,
e kur të mbij farë e zjarrit të ri,
dil prej vetes, prej tokës e qiellit,
ndalu ku të thotë zemra po,
e mos dysho,
se një zjarr që del prej gurit të zemrës
nuk duhet ta shkëmbesh as me flori!
Ruaje në shpirtin tënd pak hi eshke,
se hiri të duhet përsëri.
Vaji i nuses
Nëntë malet në varg me krushq e një duvak,
nusja nëntë ditë e netë larg.
Hija e maleve lart e poshtë në Dri,
valë-valë nëntë flamuj kuq e zi.
Nëntë male varg me kësulë mbi krye,
nëntë huta të gjata vu për sy.
Në rrugë të gjata nga laku në lak,
nëntë këngë shqipe, një baladë.
E nusja qan nëntë ditë e nëntë netë,
po ndahet me vajzërinë e vet!
Flaka e shpirtit
Një re e zezë
ik prej perëndimit të diellit,
rritet perëndimi i skuqur,
në qiellin pakufi.
Nën këtë qiell vjeshtak
në prag të dimrit,
pritëm një shqipe të vijë.
Për pesëqind vjet
shpresa
na u kthye në gurë,
në gurin
që na rëndonte në votër.
Prushi i skuqur
na u bë flamur
dhe flaka
shqipe me flatra.
U ngjit ajo flakë
në qiell me vetëtimat,
pastaj ra në tokë si rrufe.
Ndër beteja,
ku jetën e dhanë trimat,
shqipet i ngritën foletë.
Sa shumë rrufe
ranë mbi gurin e votrës,
po zjarri s’u shua kurrë.
E flaka e shpirtit
udhëtoi drejt Vlorës,
që të valonte madhërisht
në flamur.
Flakë e shpirtit
na u bënë
shqipet ndër male.
Në prush na u kthye mishi
dhe gjaku.
Nuk vdes Atdheu!
Nuk vritet guri!
Nuk shembet mali!




























Leave a Reply