Poezi nga Zamira Agalliu
Mungesa ime
Prej mungesës sime zgjuar mos rrini
Unë si Marigoja kam lënë një amanet
Të më hedhin dhe të situr mbi varr
Ata që më deshën vërtet mua në jetë.
E nëse mbetësha ndoshta e zbuluar
Nga balta që më hodhët sa isha gjallë
I lani mirë duart tuaja, i lani në krua
Kur të më mbështilleni ashtu vërdallë.
E lot në sy nuk dua t’u shoh aspak
Se shiu në çast do nisë mbi mua të bjerë
Ylberet do më mblidhen kurorë nusërie
E shpirti im do të bëjë dritë mbi mermer.
Me ty që jetës i thashë të dua kaq shumë
Si një kalimtar ti mua, jo mos më kërko!
Sikur gjithë lavditë t’i derdhësh mbi mua
Ato që s’ m’i fale sa isha gjallë, tani s’ i dua, jo !
Përshtatur
Më kot nuk e sollën
Homerin dhe Iliadën në teatër
Për t’ u mësuar njerëzve
thurjen e kalit të miqësisë
dhe pabesinë në Trojë…
Unë solla Akilin
për t’u kujtuar atyre
se edhe perënditë
vdesin një ditë…
Pagjumësia ime
vazhdon të shoh
hijet e botës sonë
pa botë.
Jeta
Jeta është dielli i një dite
që shket mbi det në këmb’
Atje tej shkëlqimin mer një dallgë
për t’u përplasur në shkëmb…