Poezi nga Myrteza Mara

myrteza-mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

TË KAM LINDJE NË PERËNDIM

Sot më hutove, më bëre të harroja
Lutjen e shpirtit që e kam si rit.
“Të vdes për ty!”, atë do të thoja
Siç e kam thënë edhe çdo ditë.

Por ti mos më ler të humbas
Në avullin e psherëtimave të mia
Të vdesësh për ty është fare pak
Për mua je jeta, je dhe dashuria!

Nga mungesa e dritës tënde verbohem
Ndihem si trung shkretëtire i djegur!
I vetëm edhe mund të shurdhohem,
Nga klithmat e dëshpërimit të verbër!

Të kam qelën e artë të besës e rrëfimit
Mekën e shpirtit ku falem si pelegrin
Të kam altarin e dielltë të flijimit
Të kam dhe lindje në perëndim!

 

TË KAM DHEMBJE

Flet me zogjtë, çfarë të thonë?!
Flet me lulet, çfarë u thua!?
Hëna shtrembër të shikon
Të ka mar vetullën hua!

Flet me yjet, u hap zemrën,
Detit çfarë s’i ke treguar!
Është det e të heq brengën
Nuk le plagë pa shëruar!

Po me mua pse nuk flet?
Pse m’i thyen urat e fjalës?
Të kam zemër, të kam jetë
Të kam dhembjen e dhemballës!

 

PAS ÇDO FURTUNE

Grindemi shpesh, si teh vetëtime,
Siç grindet era me flokët e vjeshtës
Grindem me ty për një “thërrime”
Era oshëtinë sikur është orkestër.

Çdo grindje, dihet, e ka një shkak
Edhe erën e nxit, patjetër, një fuqi
Kur unë grindem mar edhe flakë
Dhe era, si unë, shndrrohet në stuhi!

Ndodhin dhe shembje, ndodhin çudira
Këputen degë, shkulen dhe rrënjë
Grindjet e erës prodhojnë stuhira
Grindjet tona shndrrohen në këngë!

Duhen stuhira, duhen gjëmimet,
Ndryshe toka bëhet shkretëtirë
Pastaj vijnë lotët, vijnë ngashërimet
Ne edhe era si dy miq të mirë.

Shkaku i grindjeve janë dashuritë,
Është malli i stinëve edhe në qiell
Ndoshta grinden edhe perënditë
Se pas furtunës ka shi, s’ka më erë!

 

PËR JU QË KËRKONI NATËN

E keni kot,
mos kërkoni hije
në urtësinë e fjalëve të së vërtetës,
çka se në tregun e çudirave
blejmë dhe shesim marrëzitë tona,
sponsorizuar nga etja për pushtet.
Gjakun e keni të ftohtë,
sikur keni fjetur me kërmillat,
por xirreni kujtesën
nga hambari i harrimit
dhe ruajeni gjuhën,
në vend të fjalëve mos latojë thikat.
Urat e klithmave janë të shembshme,
pa rrënjë,
dhe nata do të di të qaj bukur.

Diellin e mbollëm në pikën e djersës
pse në lumenjt e gjakut të korrim errësirë?!
Në furrikun tuaj
jeni duke ngrohur klithmat e fitoreve
por kujdes,
nuk janë të gjitha vezë pëllumbi,
lisi i qyqes është afër…

Ju ruajtë Zoti!
Në urtësinë e këtyre fjalëve
udha është e thjeshtë,
mos u lodhni të kërkoni hartën.

(nga “Në Portat e Iluzioneve”)

 

E DUA NJË SHKAK

Nuk jam harraq, siç ti më quan,
Unë enkas lë diçka nga pas.
Sa herë largohem iki shpenguar
Të kthehem shpesh dua një shkak.

Një buzëqeshje bëj sikur harroj
Diku një përqafim, një puthje
Se shpejt kthehem edhe i kërkoj
Dhe prapë largohem me ngutje!

Ndodh që harroj edhe më shumë
Ndaj kthehem si det i etur
Ti-dallgë e ndezur me shkumë
Më pret në gjoks e mekur.

Kështu jam gatuar, me erë harrimi
Harroj plagët, harroj lotët
Por nuk harrroj portën e betimit
Si të harroj dritën e Zotit?!

Ti qesh, si lulja në pranverë,
Të pëlqen që unë di të harroj
Dhe s’do të ndreqem asnjëherë
Këtë sëmundje nuk do e mjekoj!

***
Nuk jam harraq, siç ti më quan,
Unë enkas lë diçka nga pas
Sa herë largohem iki shpenguar
Të kthehem shpesh dua një shkak!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s