Cikël poetik nga Zhaneta Barxhaj

Cikël poetik nga Zhaneta Barxhaj
 
 
 
LOTËT E PËLLUMBAVE
 
Jargavanët hodhën degët.
Në boshllëk krijuan jetën,
me aromë, me ëmbëlsi.
Edhe pse në bosh…
Nën psherëtimat e trumcakëve,
dëgjoj melodinë e lotëve të pëllumbave.
 
 
 
MJEGULL
 
Mjegulla afrohet…
Lëngime rozë hapen jehonë.
Rrebeshet vinë e na vënë para.
S’gjej një rrënjë të egër,
të dalë, gjithë gunga e sëmurë,
copëtuar nga sëpata e instinktit…
Të më japë një dorë,
të më mbajë…
Derisa gjunjët tradhtare,
të kenë kurajë të mbajnë këtë trup,
të deformuar, e të sëmurë deri në trung.
 
 
 
HEJBE
 
Vakt argjërimi mu servirë.
Me mish, verë e raki,
me thekër, elb e orizore
përmbi sofrën karshi…
Godas, kërcas, shtyp,
kafshoj, përtyp, përcjell
tagji e kashtë
nga torva hejbe e lashtë !
 
 
 
ZILEPSUR
 
Një angushti e zilepsur
përplaset mureve,
perde të holluara nga shikimet e fshehura.
Cingërima ethesh kafshoj.
Me protezat e krisura lavjerrës
brenda simes gojë.
 
 
 
AT’ IJ
 
Ai që më lindi,
le të më hedhë edhe një grusht dhe…
Teksa shkon përmes qiparisave erëmirë,
duke u zvarritur deri tek unë të vijë.
Se zhurmën do e dëgjoj,
thërrmimin e dheut mes gishtave,
ngashërimin lotët-shi,
që do të pikojnë të gjallë, të kripur
mbi freskinë e dheut…
Atje qëndro, te këmbët.
Sipas besëtytnive andej mund të shoh.
Do të flasësh gjatë-gjatë,
ngadalë-ngadalë të të mund të kuptoj.
S’të bëj dot shenjë që po të ndjek,
vallë do ta kapësh vetë ti ritmin?!
Ja! Do të përpiqem lulet t’i fryj lehtë,
verdhacukët flakë t’i shuaj…
E ashtu pa dritë nën fëshfërimë lulesh.
Unë dhe ti rrëfehemi…
Kjo gjë ndoshta do të na vrasë,
kur shtegun zënë të kalojmë.
Do të përgjaken kërcinjtë e mjerë.
Osh e branë me shpirt ndër dhembë,
do të presim agun që të gdhijë…
 
 
 
XHAM
 
Vemje ngjitur pas xhamave
të autobusit rrenacak,
silueta ime qeton…
E shoh,
më sheh,
përpiqem t’i zhbëj rrudhat,
goditur nga sqepari i pashenjë.
Neonet më zhysin nën dritëhije skematike.
Gjeometri e deformuar.
Nallane dhe taka të përçundueshme
më shqyejnë llastikët e veshëve.
Sytë puliten si kartonë fëmijësh.
Më kap dalldija,
më zë urbani i tërbuar!
 
 
 
REFLEKSE
 
Dëshpërimisht të shoh tej xhamit,
tek lëviz parresht.
S’të prek dot,
uturisht klith.
I klith terrpasqyrës.
Ta gjuaj grushtash, ta thërrmojë,
por…
Ajo rri indiferente.
Më pëlqesh me heshtjen.
Më gric trurin,
mu atje te talamusi,
në mes të trurit të vogël.
E ke parasysh ?
Jo, sigurisht që se ke.
Ti je në anën tjetër…
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s