Adem Zaplluzha -Rilindësi i kohëve moderne ( Parathënie e vëllimit poetik ” Trenat këtu gjithmonë vonohen” ) / Nga: Kujtim Mateli

Adem Zaplluzha -Rilindësi i kohëve moderne

( Parathënie e vëllimit poetik ” Trenat këtu gjithmonë vonohen” )

 

Nga: Kujtim Mateli

Pasi përfundova leximin e këtij vëllimi poetik “Trenat këtu gjithmonë vonohen” në mendje më erdhi thënia e filozofit antik se me shkrimtarët ndodh ajo që hasim me orakujt dhe profetët, të cilët  i përcjellin mesazhet e tyre të larta pa e ditur fare kuptimin e tyre. Që do të thotë se ata i përcjellin mesazhet e tyre jo me arsye, por me ndjenjë e zemër, e cila vështirë se mund të shpjegohet në kontaktin e saj të parë me lexuesin. Ajo që ndodh me poezinë, ka ndodhur dhe me orakujt. Mjaftojmë të kujtojmë orakullin që Dodona nxori për athinasit. Ky orakull u bë pjesë e jetës publike të Athinës dhe depërtoi edhe në jetën politike të saj. Oratori i famshëm i antikitetit, Demosteni e përdorte orakullin e Dodonës për të sulmuar kundërshtarët e vet.  Nga ana tjetër Dinarkus dhe grupimi i tij, i përgjigjeshin Demostenin pikërisht me orakullin e Dodonës. Dhe publiku dëgjonte si njërin grupim politik ashtu dhe tjetrin në dhjetëra takime dhe kërshëria nuk shteronte.

Po ta lexojmë sot atë katërvargësh të orakullit të Dodonës, do të nxjerrim mesazhe të reja; shohim gjithashtu se ai është një krijim artistik. Si orakujt dhe poezia i janë drejtuar dhe i drejtohen individit dhe shoqërisë duke i përcjellë mesazhe sa tokësore aq dhe qiellore, sa të prekshme dhe të kuptueshme aq dhe hyjnore e misterioze për të. Duke lexuar një krijim artistik ne shohim një pjesë të dritës që bie në shpirtin tonë. Po njeriu kërkon të tërën. Ndaj krijimet e bukura artistike lexohen e rilexohen vazhdimisht me synimin për të arritur tek burimi i dritës.

1

Elementët e natyrës dhe të shpirtit njerëzor formojnë materialin bazë mbi të cilën ndërtohet poezia e Adem Zaplluzhës.

Adem Zaplluzha

Poeti nuk mund ta kuptojë dot ekzistencën e qenies njerëzore pa natyrën. Të dy bashkë formojnë universin ku lëviz bukuria e natyrës  e pleksur me bukurinë e shpirtit njerëzor. Tek poezia “Nga sytë e plepave” elementi natyrë është vendosur në stinën e dimrit. Ajo pikturohet me elementë të qenies njerëzore. Plepat që simbolizojnë drurin shtatlartë i përcjellin tokës, si një lloj trishtimi, dhembjen e qiellit. Edhe plepat kanë sy, nëpërmjet të cilëve përcillet ndjeshmëria e natyrës e ku sipër tyre qëndrojnë qerpikët e mjegullave. Si mund të përcillej më bukur një ditë me shi. Si mund të kombinohej më bukur ajo çfarë një qenie njerëzore ndien në këtë mjedis të natyrës që përcillet si një trishtim.

 

“Retë e plumbta

Pikonin mbi çatitë e rrënuara

Pikonin si loti i egër

Zëra fjalësh mbi përditshmërinë”.

 

Tematika e poezisë së Zaplluzhës është e gjerë, ajo kap përmasat e shqetësimeve të individit dhe të shoqërisë. Aty është  fati i atdheut në udhëkryqet e historisë dhe në udhëkryqet e kohërave që vijnë. Ky shqetësim e ka zgjeruar dimensionin e hapësirës së letërsisë shqipe. Ndaj ajo lexohet me ëndje në çdo cep të rruzullit, kudo ku ka shqiptarë. Janë shqetësimet e individit shqiptar dhe të shoqërisë sonë të përcjella estetikisht nëpërmjet vargut dhe poezisë zaplluzhiane. Figuracioni brilant e xixëllonjës përshkon çdo poezi të tij.

 

“Më duket se na mësuan të heshtim

Heshte edhe gjelbërimi

Kosa e fjalëve

 

Ishte fshehur mes luadheve të imagjinatës”. ( poezia “Sa herë kishim uri).

Me nota drithëruese është përshkruar tek  poezia “ Asnjë njeri nuk qante” ikja nga toka mëmë e bijve dhe e bijave. Dhimbje për çfarë lë pas, dhimbje për njerëzit, madje dhe për mjegullat dhe lejlekët, të shoqëruar nga shirat e pandërprera që binin mbi flokët e trishtimit. U thirr gjithçka për të qenë të pranishëm në këtë largim, madje dhe gurët dhe drurët e malit.

 

“Binte një shi imcak atë ditë

Binte pa ndërprerë mbi flokët e trishtimit”

Dhe asnjë përpjekje për ta ndalur këtë eksod masiv ikjesh. Duke ndenjur duarkryq:

“Shikonim barin që rritej

Rritej si dhembja jonë e pashëruar”

 

2

Tek poezia “ Unë s`jam çam as kosovar” poeti i përgjigjet një realiteti të ri të krijuar pas çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb. Dihet që në fillim të shekullit të kaluar, Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1913, i copëtoi trojet shqiptare midis shteteve ballkanike.  Mbeti vetëm një copë truall të cilit iu dha pavarësia. Shqipëria e katër Vilajeteve u rrudh në vetëm 28 mijë kilometra katrorë nga Konferenca e Londrës.

Trenat këtu gjithmonë vonohen

Pas Luftës Çlirimtare të vitit 1999, fitoi lirinë pjesa më e madhe e Vilajetit të Kosovës. Megjithatë, të katër Vilajetet shqiptare, i kanë ende një pjesë të trojeve të tyre nën Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë dhe Greqinë. Duke qenë nën trysninë e këtyre shteteve, popullsia shqiptare i përjeton pasojat në mënyrë dramatike. Në mungesë të shkollave shqipe, gjuha mëmë po shteret. Kjo sikur e  ndrydh dhe e ligështon shpirtin e këtyre banorëve, por edhe shpirtin e poetit.

Po fatmirësisht, Shqipërisë së lirë një shekull më parë (1912), iu shtua dhe Kosova (1999), tashmë e lirë dhe e pavarur.  Nëse përgjatë shekullit të kaluar, Shqipëria shihej si vatra rreth të cilit gjallonte identiteti kombëtar i shqiptarëve; tashmë kjo vatër është zgjeruar dhe me atë territor që quhet Kosovë. Në ditët e sotme, e tërë hapësira nga Mitrovica e gjer në Konispol, përbën vatrën e re rreth së cilës frymojnë shqiptarët që jetojnë jashtë këtyre territoreve. Poezia e Zapllushës është zgjatimi i Rilindjes Kombëtare në kohët moderne.

Se si do të quheshin territoret ku banonin shqiptarët e katër Vilajeteve, Poeti Kombëtar Naim Frashër i përjetësoi me vargjet lapidare: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar”. Atëherë askush nuk dyshonte që territoret e banuara nga shqiptarët të mos përfshiheshin në atë shtet që do të quhej Shqipëri. Po nëse nga jashtë ishin fuqitë evropiane ato që kërkonin copëtimin e Shqipërisë për ta bërë dhuratë për fqinjët tanë, brenda vendit institucionet fetare në drejtim të të cilave ishin në shumicë përsëri të huajt, kërkonin që këto troje të copëtoheshin sipas vendeve nga kishin ardhur dhe që më shumë i përfaqësonin politikisht ato vende se sa besimin fetar për të cilin gjendeshin në trojet tona. Atëherë, rilindësi tjetër i madh, Pashko Vasa lëshoi si kushtrim vargjet lapidare: “Feja e shqiptarit asht Shqiptaria”. Shqiptarët u grumbulluan rreth profecisë së Pashko Vasës, bashkim që ekziston i fortë dhe sot e kësaj dite.

Sot, pas më tepër se 100 vjetësh, shqiptarët ende trazohen nga duar misterioze. Ndonjë krahine duan t`i japin identitet të veçantë. Rilindësi  i kohëve moderne, Adem Zaplluzha, ngrihet po aq madhërishëm sa paraardhësit e tij: “Jam shqiptar, s` jam çam as kosovar”. Dhe më tej, në vargje të mrekullueshëm shpaloset identiteti i shqiptarit:

 

“Unë kam vetëm një atdhe

Një flamur dykrenorë

Dhe më i pasuri në botë

Jam njeriu me tri fe”.

 

Dhe ky atdhe është ai që kërkonin Rilindësit dhe që u kurorëzua në Vlorën historike me ngritjen e flamurit kuq e zi nga të gjitha krahinat ku jetonin shqiptarët. Sot, bijtë e saj kudo që janë, njohin Shqipërinë e Ismail Qemalit dhe jo atë të Fuqive të Mëdha evropiane të vitit 1913.  Të gjithë ata që u janë larguar idealeve të Rilindjes sonë Kombëtare, poeti Zaplluzha i portretizon kështu:

“Ata që mendojnë ndryshe

U ngjajnë kuajve të paçjerrë

Hingëllijnë nëpër fushëbeteja

Për qejfin e padronëve

Dhe lehin për të tjerë”.

 

3

Poezia“Nesër do të këndojmë për atdheun”, shpreh dashurinë njerëzore për atë truall në të cilin banojmë. Ndaj këtij trualli që quhet atdhe jemi të ndjeshëm edhe kur jetojmë brenda tij, edhe kur jetojmë jashtë tij. Gjithkujt i pëlqen hija e rëndë e rrapit në të gjitha format që i jep dita gjatë muajve të vitit, siç i pëlqen frymëmarrja e malit. Në këtë truall që quhet atdhe, lulet kanë tjetër aromë. Aty një gjethe peme  sjell lumin e fëmijërisë. Një fije bari zgjon kujtesën ku një foshnjë rend pas fluturës në livadhin e blertë të pasdites. Në këtë heshtje të thellë, frymon dhe guri në lëndinë dhe, për ta rrokur gjithë këtë pasuri të bukurisë, qenia njerëzore kërkon të shndërrohet në zog.

Megjithatë, qenia njerëzore kërkon të dalë përtej oazës së bukurisë dhe të qetësisë që të ofron natyra. Nuk jetojmë vetëm për vete. Jetojmë dhe për të tjerët. Për brezat që ikën dhe ata që do të vijnë. Nesër do të kemi shumë punë.

 

“Nesër do të këndojmë për atdheun

Këngët e pa kënduara me shekuj”.

 

Poezia për atdheun është bërë një temë e preferuar për autorin. Shqetësohet, por edhe gëzohet. Ia ndien gëzimin brezit të ri që rritet në bedenat e atdheut, i madhërishëm e plot shpresë, ku shpirti ushqehet nga ëndrrat dhe realiteti i ri që u krijua pas Luftës Çlirimtare të Kosovës.

 

“Sa i bukur duket atdheu im dardan

Kur buzëqeshjet djaloshare

Si lulet pjalmojnë anë e mbanë”.(Poezia “Sa i bukur duket atdheu im”)

 

Poeti tek poezia “ Ndonjëherë ngjajnë me drurët” u kushton vëmendje dhe zogjve të vendit të vet. Si janë ata? Si flasin? Edhe ata janë pjesë e natyrës. Interesimi njerëzor duhet t`u drejtohet dhe atyre.  Përse vallë nganjëherë janë të heshtur dhe nganjëherë janë të zhurmshëm? Po këta zogj ngjasojnë me fëmijët e varfër të Lumëbardhit. Nga sytë e tyre burojnë dritat e bardha të botës dhe detet e çmendur. Dhe kur shqetësohen dallgët:

“Nga gjumi i Drinit të Bardhë

Zgjohen legjendat e fjetura

Zgjohen dhe u këndojnë serenata mëngjeseve”.

 

Poezia e Zaplluzhës mban brenda zjarrin e dashurisë për atdheun.  Ky vëllim poetik, tejet i arrirë artistikisht, na përcjell mesazhe të fuqishme për lirinë dhe krenarinë kombëtare, na ofron më shumë me njëri-tjetrin dhe na bën ta duam më shumë njeriun dhe shoqërinë ku bëjmë pjesë. Gjuha poetike është e ngrohtë dhe vargu i magjishëm. Jehona e poezisë së tij i ka kapërcyer kufijtë e trojeve shqiptare. Kjo kërkon që  të ketë më shumë vëmendje ndaj poetit, kurse institucionet shtetërore duhet t`i kushtojnë vëmendjen maksimale, sepse ky autor ia ka kushtuar jetën e tij artit dhe letërsisë dhe,nga ky përkushtim sakrifikues,është arritur një vlerë artistike me të cilën krenohet shoqëria shqiptare.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s