Poezi nga Dije LOHAJ

Posted on March 21, 2017

0


Poezi nga Dije LOHAJ

 

ZËRI I KOHËS SIME

Kjo koha ime u tund nga stuhi të errëta e acare,
Rrallë ndonjë ditë dielli e përshkonte me nxitim,
Ca sytha dukeshin, po sakaq venitej kopshti im,
Furtuna e rrebeshi zhbënin botën time për fare.

Acari kur erdhi më drithëroi, pranverë ishte,
Ngrohesha me rreze gjoksi, të ndihesha më mirë,
Që shtjellat e errëta të mos kishin më errësirë,
Të mbledhja një e një shpresat, aq sa kishte.

Sythat e pranverës po pritnin një kohë tjetër,
Koha që po vinte, o seç ngjante me një përrallë,
Tutje lëng shpirti po shtrydhte ajo balada e vjetër.

O shpirti im i dëlirë që nga koha ime buron,
Mbushesh me helme jete, nga shkon unë s’e di,
Mbi kokë firmos zjarr, tutje qiellit si re shtegton.

 

NË KATEDRALEN E DHELPËRISË

Mos më pëshpëritni
Sonte,
Kur dhelpëria e botës
Tmerrësisht më mbërtheu mua,
Ndonëse u mbështolla kot
Me gurin e katedrales,
Tek po kërkoja rrugën e atdheut.

Ishte e bardhë rruga,
E zezë isha unë,
Qyqe me vaje në buzë,
Nën lulet e mijëra ylbere,
Në hapësirën e pafund.
E ashtu e padjallëzuar
Ushqeva gjethet e pemëve,
Që kishin nisur farën e degjenerimit.

Në qiellin e errësuar të fytyrës,
Në qepallat e syve të atdheut
Trishtimi rrjedh i lirë,
Si gjëma ime e rëndë.
E nga kjo katedrale,
Politikanët
Jashtë lëkurës së varfërisë,
Përtej shikimit,
Përkundin ëndrrat e veta
Të reja e të vjetra.

Dhe, dëgjoj heronjtë,
Tek shtrydhin eshtrat e tyre,
Gjak të pikojnë.
Dhe, vrimat e plagëve,
Fjala e rëndë plumb
Ua shpon edhe më shumë,
Si në përralla të gjyshes,
Veshur me uniformën e dhelprës.

 

Posted in: POEZI