Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

KORBA KËNGËTARË

Sa pak dritë në syt’e yjeve,
Sa shumë akull në buzë të hënës!
Sa shumë frikë në gjoks të pyjeve,
Sa pak shpresë në qiell të ëndrrës!

Sa shumë helm në mjalt të bletës,
Sa pak besë në fjalë të burrit!
Sa shumë blozë mbi të vërtetën,
Sa pak forcë në palcë të gurit!

Sa shumë gjak kërkon nata,
Sa pak tokë ka për varret!
Sa shumë lotë po pikon bota,
Polet po tkurren nga hallet!

Sa pak muzë në rimë të vargut,
Sa shumë vargje pa nektar!
Sa pak diell në prag të agut,
Sa shumë korba këngëtarë!

Sa shumë fjalë, fjalë, fjalë,
Sa pak djerse me kristal djerse!
Sa shumë baltë për të sharë,
Sa pak faj mbajmë për vete!

 

UNË BESOJ

Ndërtova album me t’bukurat e botës,
Të femrave që kanë bërë histori
Duke filluar që nga Helena e Trojës
Në faqen e parë, patjetër ishe Ti.

U mbushën fletët e albumit me diell
Hyjni të bukura si hënë e plotë.
Femra-ikona gdhendur në mermer
Vetëm ti e prekshme mbi tokë.

Prodhuan luftë femrat-legjendë,
Kurorat nuk ngopen lehtë me gjak,
Sa shumë viktima për një Helenë
Për dhjetra të tjera dita nxirë natë.

Unë besoj, se jam rritur me luftën
Luftë vetëm në emër të dashurisë
E bën jetën si një altar të bukur
Ngjitesh nëpër shkallët e lumturisë.

Albumin me këto ikona ç’ta dua,
Imazhe të zverdhura ndër mote
Se bota s’vlen sa vlen ti për mua
Tek gjoksi im rreh dhe zemra jote.

 

IKJET

Ikjet
nuk kanë të gjitha kthim,
ka dhe ikje pambarim.

Mos i plagos
ardhjet drejt teje,
krahëzgjaturat deri tek hëna,
sepse akulli i trishtimit
këput këmbët e urave të lodhura,
ngrinë dhe fryma ndër ëndrra.

Ikjet janë ikje,
zgjatje në drejtim të kundërt,
hija hollohet deri në këputje
aq sa nuk mbërrin drita
as fjala,
as edhe lutjet!

Ikjet!
Oh, këto ikje pa ardhje
sa shumë ngjajnë me funeralet!

 

KJO BOTË

Thonë se po afrohet fundi i botës,
madje kanë parashikuar një ditë,
kësaj bote i vjen mendja rrotull,
ka më shumë halle se perënditë.

Thonë se edhe hëna do arratiset,
si politikanët do ndërroj qiellin,
por yje të tjerë do të rindizen,
këtu i dërgon si dhuratë dielli.

Thonë se kjo botë është ndërtuar keq,
të ishte kështu, nuk do kishte lule,
s’do kish zogj, s’di kishte as bletë,
por varre dhe kështjella pa mure.

Pyesni poetët, këngët e pakënduara,
pyesni gjithë shpirtrat që vuajnë,
pyesni të urtët, vuajtjet e harruara,
pyesni dhe zemrat që ëndërruan.

Thonë se kjo botë tani u plak
dhe nuk ka moshë për dashuri,
ata që thonë duhen hedhur në flakë,
kjo botë është e tëra mrekulli!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s