Poezi nga Dije Lohaj

Poezi nga Dije Lohaj

 

POEMË PËR VETE DHE PËR TY

Kot të thërras me flakët e hënës,
Në këtë alegro të trishtë,
Kur gjithmonë
Shpërbëhet një tingull,
Në shurdhërinë e kukamës së tij.
Në psherëtimë të bulzës sate,
Një melodi puqet
Me degët e kuqërremta të vjeshtës,
E dimrit i jep lajm.
Ngadalë prek
Zjarrin,
Hirin,
Borën e parvjetme,
Trupin e tharë…
Me mijëra vite e djegur,
Djerrë me mijëra vite,
Me mijëra vite
Shkul shkurret
Nga lëndina e trupit tim,
Që më mijëra vite ujite ti.
Në lirinë tënde burgu im i zi,
Psherëtimë e derdhur
Në prehrin tim,
Si fëmija i parë.
E një ditë,
Në daç,
Eja e gërryeje siluetën tënde
Mbi varrin tim,
Sepse eshtrat më pikojnë helm.
Barin gjithandej e gëlltite
Me dhëmbin e dhjamit tënd
Dhe, prapë puqesh
Me degët e kuqërremta të vjeshtës,
E mua,
Gjithçka jotja
Më çon në asgjësim.
Nëse të duket e çmendur
Era e mesdites,
Që kalon përmes rrënjëve të tua,
Mendo
Se do të të ngreh lart krahët e pemës
Dhe rrënjët e mia
Do të të kërkojnë.

 

KRONIKË NGA ILIRIDA IME

Po pikojnë gjak
Kalldërmet e vendlindjes sime
Robëria, nuk është për t’u qeshur
Ajo të djeg shpirtin,
Të qon në fund të ferrit
Çuditërish,
Mbjellur është në trojet tona
E nga vendi nuk lot dot!
Shekulli zgjohet këmbanave të trishta
Tek lëkundet djepi,
Ninulla hyn në gjakun tim
Bëhem krushku yt nëpër altare
E pagëzuar me fjalën liri.
Prajshëm po gjurmoj viseve të tua
E po marrë në gji plagët e hapura,
Nëpër stinët e përflakura
Do të t’i mbledh një e nga një
E do të t’i ujis me lotin tim
Do t’i mëkoj me qumësht Rozafe
Ninullat kënduar krojeve të Iliridës.
Tash po flas me ty
Vendlindja ime e përgjakur,
Po flas me plagët e tua
Me dhimbjet
Edhe pse jam larg teje
Ta ndiej tiktakun tënd,
Ta ndiej lotin
Tek pikon në faqet e tua,
Ta ndiej bekimin e zemrës sate
Namën që më le pa gjumë.
Me klithma në buzë
Do të t’i zhveshe plagët
Në këtë vorbull dhimbjesh
Pranadaj, përkudi ninullat
Qyteti im
E heqi këto stërkala dhimbjesh
Nëpër fytyrën tënde
Se po lind shpirti im
Në rrënjet e tua të lashta….

 

NGJARJE NË VARGMALET E MALLIT

Si është e mundur që tani nuk shihemi?!
Dikur hapat ngatërronim në hedhje
Dhe përgjaknim gjunjët në rendje për te njëri-tjetri
Ulur mbi prehër të përkëdheljeve,
Pastaj shëronim plagët tona të kaltra
Dhe nga pasioni dashuror
Krijonim univers të ri,
Një botë tjetër.

Mjaftonte për të prekur butësinë e shpirtit,
Me melodinë e mëngjeseve,
Në tërë përmasat e mrekullive,
E tani nuk më sheh e nuk të shoh dot,
Kaq trishtim që pikon si shtrydhje mjegullore
Kaq dhembje për praninë e mungesës!
Dhe kuptoj se të kërkoj,
Kur më përmend një pasthirrmë,
Një ngashërim në tërë shtegun e përgjumjes,
Kur në ëndrra më faniten ata sy,
Varur më rrinë si kokrra bojëqershie.

Përtej pritjeve dhe vargmaleve të mallit
E tërë qenia ime
Me ankth ndjek ende hapat e tu,
Si atëherë në kohën e vullkaneve,
E zemra pezull më rri,
Tek kërcasin tiktaket e saj duke u djegur
I ka mbetur vetëm hiri,
Tatuazhet e lëna nga ngjizjet tona që fosforojnë
Dhe përsëri dua ta ribëj sfondin
Dhe profilin e mishërimit
Dhe të ftoj solemnisht se hapat ende t’i numëroj,
Të rikrijojmë si atëherë jehonat e hapave të numërueshëm
Dhe çastet tona të çmendura të dashurisë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s