Poezi nga Rita Hoxha (Oxha)

Poezi nga Rita Hoxha (Oxha)
 
 
Kënaqësitë e jetës ….
 
Në brendësi të shpirtit tim
reflekton zemra jote
pasqyrim i dashurisë hyjnore,
ngritur mbi ndjesinë e të qenit njerëzor.
Nuk më njihje, por unë ekzistoja ashtu sikurse dhe ti,
diku në një cep, të kësaj bote pa kufij
Me vete të kisha, por s’ më kishe zbuluar
ardhur nga të tjerë diej, rrezatuar në ujërat e shpirtit tim
përthyer sot, harkut të një violine,
larg trishtimit, që si retë mblidhet.
Unë isha një parashikuese e verbër e fatit
tani më mjafton dhe një buzëqeshje,
që sytë e mi të ndizen nga kjo llavë,
e të shpërthejnë si një vullkan.
Ti je refleksi i jetës sime
s’duhet të harrojmë premtimet,
apo ëndërrat që i thurëm në netët e gjata,
tek vështronim ylberin të na buzëqeshte
në ngjyrime pafund, harkut të triumfit.
Ti je zbulimi më i bukur i dëshirave të lindura
duke shëtitur në kopështet e Edenit
në kërkim të parajsës
kafshuar në një mollë të helmët.
Me ty e zbulova këtë trill të fatit,
ku shpesh netët mbështjellin në terr
dhe humbasim vegimeve të një qielli pa mbarim
e lundrojmë drejt kashtës së kumtrit,
duke shkelur në të tjera kopshtra mrekullie
ne të dy , ti dhe unë , ashtu të pandarë
pa të djeshmen, pa të ardhëmen,
të lidhur deri në përjetësi me të tanishmen.
Me ty zbulova misteret e jetës
këngët e aedëve të lashtë, meloditë e Orfeut
e zemra rreh si e çmendur.
Kur jam me ty asgjë nuk ekziston
ti, vetëm ti e di vazhdimin e kësaj zanafille
magjinë e saj të pashtershme,
ku shuajmë etjen me ujrërat e shpirtit tonë
në rizgjim të esencës jetë
shijes së ekzistencës dhe profumit tënd
zbuluar e fshehur thellë në gji,
si i vetmi çast, që kalon kufirin e imagjinatës,
por dhe shenjtëri e të madhit shpirtit
deshifruar në fjalë, si një melodi harmonike,
që pushton çdo qelizë të trurit
ashtu e verbër, endur dashurisë
mes engjëjve të qiellit dhe ankthit të demonëve.
 
 
 
Ti dhe ylberi
 
Mbyll sytë dhe vështroj qiellin e kaltër
përhumbur në ngjyrën e thellë blu.
Vështroj në brendësi të reve,
ku papritmas shfaqet imazhi i tij,
diçka që ëndërroja mes ndjenjës e imagjinatës,
diçka nga spektri i harkut ylber
ashtu përhumbur në ato vezullime
me një dritare të hapur kupës qiellore
e pamje shkruajtur trajta vargëzimesh.
shkrirë në deje e bërë poemë .
 
Veshur me këmishë hyjnore jam sot,
që mbjell lulet e para të prillit
shndërruar në çarçafë të shprishur
natës larguar përgjithmonë
me krahët në ajër, lutur
perëndisë drejtuar, si flutur e bardhë
të vij drejt teje
e të shkrihemi një në petkun e kësaj mbrëmje
duke puthur lartësitë dhe largësitë
rrëmbyer yllit më të bukur e fshehur regëtimë
aty ku buzët takohen e prekin me frymë.
 
Nuk i lë ëndërrat të largohen e të mbeten si gurë harrese
më ndje gjer në shpirt e më ler të dehem
të mbytem në të ëmblat përqafime
aty ku frymojnë e shuhen stuhitë.
 
Dritaren e zemrës për ty e lë hapur
e qëndroj në atë portë qiellore,
ku fryma përzihet në brendësitë trupore
e i nesërmi agim çel sërish
në të tjera nota të ëmbla muzikore.
Mos vallë ishte mashtrim i diellit,
apo magmë që mbulon Jupiterin.
Era dehëse, si një eter përhapet shpirtit,
dhe jeta hedh shikimin drejt qiellit,
e ne në çdo moment, çdo ditë, çdo hap,
mendojmë veç pasionin, endjen e kërkuar
të formave që shkrihen imazhit të përkryer.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s