Poezi nga Festim LITI

Poezi nga Festim LITI

 

UNIVERSI I DASHURISË

Dikur,
kur mblidhja diej,
E rrezet i varja,
në gjoksin tënd të bukur,
Mbrëmjeve fluturoja i çartur,
nëpër univers…

Mblidhja yje me dritë hënore,
Harkut të ndritshëm serenata i këndoja,
Hijeshisë tënde hyjnore,
kurora vargjesh i thurja,
E zjarrin,
e ndizja me nektar dashuror…

Më gjenin mëngjeset,
në krahët e tu magjikë,
Dhe sytë me shkëlqim vese,
S’ishin sy, por….. Galagtikë…

 

DUHET TË VIJE

Duhet të vije ti,
Të shkriheshin akullnajat e zemrës,
E planeti të rifillonte rrotullimin…

Duhet të vije ti,
që me zjarrin e dashurisë,
të më qartësoje vështrimin,
E të harroja,
Golgothanë e trishtimit….

Duhet të vije ti,
si një fllad pranvere,
të çmendeshin çarçafë e jorganë,
në dimrin e acartë e në ditë vere.
Duhet të vije Ti…

 

KUR QAN NJË TRANDAFIL

Dikush,
bri trotuarit e kish flakur lulen e gjorë,
Dëneste e ngrata nga dhimbja e vetmisë,
nga pikat e shiut,
që, pa mëshirë godisnin petalet delikate,
nga bryma, balta,
dhe putrat vrastare…

E harruar në mëshirën e shtrëngatës,
mallkonte ditën që lindi,
çastin kur aroma qiellore,
në buzë-petalesh i kish mbirë…

Dhe ja, tani, si në delir,
dergjet në mes te baltës,
e plakur, e mpirë…

Dykëmbësha vrastare,
idiotë e të marrë,
kur lulëzoja në bisqet e blerta,
të gjithë më lakmonit,
dhe shpesh gjeta strehë,
në gjoksin e ngrohtë të zonjave,
në ofshama dashurie,
mbushur aroma që ndiznin zjarrin,
e zemra përvëlonin…

 

EH, MEMORJA IME E PLAGOSUR…

Eh, memoria ime e plagosur, e vrarë,
Ulur këmbëkryq mbi ato pak qeliza të trurit,
që ende kanë mbetur gjallë.
Ngrehina të rrënuara,
pa formë e pa ngjyrë,
si fantazma enden,
në trurin tim të mpirë…

Hije të së shkuarës që dikur ishin njerëz,
baresin në rrafshinat e kujtesës,
pa shenja trafiku e semaforë,
Somnanbul të frikshëm,
kërkojnë frymën të më marrin,
në bulevardet pa dritë, misterioze,
mbështjellë me pelerinën e zezë të krimit,
përgjojnë molekulën më të fundit
të mendimit…

Hijet, këto larva të neveritshme,
pasi më vranë rininë,
e me vodhën pranverën plot dritë,
Tentojnë,
egërsisht përsëri,
Të më vrasin Lirinë…

 

KUSH ISHE TI?

Nuk ishe një çast që zgjat sa vetëtima,
As një natë pasioni të shfrenuar,
bri autostradës, mejhaneve të ndyra,
që të nesërmen,
edhe emrin do ta kisha harruar….

Ti ishe vetë shkreptima e përjetshme,
Fryma e erës së pastër që vinte nga mali,
Gjaku i dashurisë nga burim trëndafili,
i mbirë në kopshtin e jetës sime,
Si një magji, si një delir,
që dimrit tim i veshe të pranverës pelerinë…

Kush ishe Ti?
Ç’ pyetje idiote!
A mundem vallë të jap shpjegime?!
Ndërkaq kanë kaluar shumë vite.
Ti ishe dhe mbete mrekullisht,
Sateliti i zemrës sime…

 

JO

Pse më shkruan që jam penduar,
E mbushe botën me gënjeshtra,
Sikur të jam lutur, përgjëruar…
Aspak,
S’më shkon mendja për një hije,
Si fantazmë më ke mbetur,
në të largëtat kujtime,
si një grusht me helm i patretur…..

Aty pranë, ndonjëherë kam kaluar,
thjesht rruga më ka rënë,
Dashuria me kohë ishte shkrumbuar.
E në mjegullnajën e kujtimeve,
Je e do të mbetesh një “Jo” e madhe,
në fasadat e mureve shkruar…

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s