Poezi nga Fejzi Murati
DETI DHE YJET
Shpesh gjatë netëve,
bëhen aq miq të mirë
sa yjet përkunden
dhe flenë mbi shtratin e detit,
siç përkunden në arën e grurit lulëkuqet
përkëdhelur nga puhija e mëngjesit .
Herë-herë
grinden aq keq,
sa të gjithë yjet
thërmohen mes dallgëvë të egra
dhe mbyten thellë në det…
Mbi sipërfaqe pluskojnë lotët e sirenave
dhe trishtimi i hënës së lodhur e të zbehtë!
PABESIA
Vërtet Odisea e projektoi kalin e tmerrshëm
dhe brenda tij futi pabesinë!
Veç pabesia
nuk lindi mes grekëve në Trojë,
pabesia ka lindur bashkë me njerinë!
Prej mijëra e mijëra vjetësh
ne e vuajmë mbi shpinë!
MALL REFUGJATI
Ku të kam harruar,
o malli im i largët
nuk di kur do kthehesh
të më shërosh plagët…
Të më sjellësh ninullat,
aromën e blirit,
puthjen – jetë të nënës,
ngrohtësin e gjirit!
Apo do t’më lësh
të vdes tej kufirit!?
DEHJE
Kristalet e lotëve
kur të të bjenë qerpikëve
dhe të ndrijnë mbi faqe si margaritarë,
do të t’i pi me etje prej të marri
se për ty,
vërtet jam i marrë!
Pastaj le të më dehin këta lotë
siç dehet nga vesa gonxhe e trandafilit,
siç na deh në maj spektri i ylberit,
siç të deh pa pirë
aromë e gjirit.
NETËVE TË MAJIT
Do të mbush duart me yje të zjarrtë
dhe nën këmbët e tua do t’i shtroj,
mëngjeseve do mbledh margaritar vese,
gushën tënde me ta të zbukuroj.
Dy petale trandafili të kuq do këpus
e mbi buzët e tua do t’i shkrij,
dy kokërrza të pjekura qershie
do të ti vendos kujdesshëm përmbi gjinj…
Pastaj në shtratin tonë të dashurisë,
me buzë do t’i ndezim qirinjtë!