Poezi nga Lida Lazaj
Pemëmbjellësit
Pluhurin mbledhur plasaritjeve
dhe gjembat e shputave
kthyer në dije t`i shpërfill
dhe pa të marrë leje,
si lulja me të njëtjin emër që drejton fytyrën nga dielli,
zemra jote i mban sytë nga dashuria.
Ç`të bëje me duart dhe gishtërinjtë,
që të dridheshin si gjethi pranverës prekur prej cicërimës,
ti prisje,
të vrisje veten,
apo të gjuaje me gurë erën?
Ti s`bëre asnjërën nga këto,
por zgjodhe të mbillje pemë.
Vijnë pelegrinët e lodhur
këndellen dhe thajnë djersët nën hije,
shijojnë frutat,
pështynë farat
dhe ikin.
***
O njerëz!
Ju, që si unë, s`patët mushkëri të çanit përtej Adriatikut, sot mbushni veshët me tinguj,
që të mos dëgjoni llahtarira!
M`bëhet sikur
Sikur kumbulla dhe qershia poshtë dritares sime
kanë një mendim të fshehtë ikjeje në kokë.
Cipën e trashë të këtij mendimi të fshehtë,
që përsillet rrugicave të mëhallës e mbi çatitë,
se shpojnë as kënga e këndezit as kumuritë.
Po sikur vetëm mëhalla ime!
M’bëhet sikur e gjithë lagja mendon
cila linjë ajrore të garanton zbritjen,
cili avion nuk është bombë?
Po sikur vetëm lagja!
M’bëhet sikur krejt Tirana
heshturazi e fshehtazi mendon një balonë,
që ta zbresë në një kontinent-qilim fluturues,
dhe të qëndrojë pezull,
sa herë të ketë tym e flakë në tokë.
Po sikur vetëm Tirana!
M’bëhet sikur Shqipëria
mendon të verë krahët e shqiponjës!
Po ku?
Cili qoshk i botës ofron siguri e paqe,
ku të rriten të qeshur e të lumtur çilimijtë?
Po sikur vetëm Shqipëria!
M’bëhet sikur i gjith rruzulli mbështjellë nga një tis i trishtë,
mendon se është vjetëruar,
kërkon të ikë e të shpërthejë si meteor!
Qofsha gabuar, O Zot!
A ka kocka në shpirt?
Përbuza një bisedë,
pa e vrarë mendjen, që vrava biseduesin,
dhe shkova të bisedoj me gjethet.
S`mbaj mend, se ç`pranverë qe, që vura se,
pemët gjethëronin ndryshe,
ndërsa njerëzit me saktësi të admirueshme,
që prej një shekulli
rrëfejnë ekzaktësisht të njëjtën përrallë,
pa i shtuar asnjë ngjyrë, as një tingull,
as një habi
as një ide
as një pikë
as një presje.
Përmes trupit të pemës dola në majë
me tre sy,
Syrin e tretë e kemi të gjithë
per ta zbuluar duhet të pagëzohemi në klorofilë
brenda damarëve të pemës
Unë e zbulova,
por u pendova, sepse i treti më sheh
deri ku të dy sytë,
të cilët se shohin as njeri tjetrin,
s`kishin parë kurrë.
Përms të tretit zbulova,
që përfund shtëpisë rrjedh një lumë
që gllabëron të gjithë viktimat,
të cilat i vras me sy mbyllur dhe i shtyj me frymë.
Lumi, rrjedh përfund themelit përsillet si vorbull
mbledh viktimat e mia,
ju a tret indet e buta,
por kockat…
ah,kockat…
kockat kërcasin,
kockat këlthasin.
Çdo bëj me kockat e shpirtrave,
që vrava unë?