Poezi nga Thomaidha Tanuçi Cullufe

Poezi nga Thomaidha Tanuçi Cullufe

 

Kjo largësi

Jam shumë larg,
ti po shumë larg,
unë pranë të vij
e ti nuk mund,
unë vij të shoh,
unë prapë të humb.

Më kërkon dritë,
unë s’ta jap dot,
më kërkon jetë,
jetën ta jap,
liri kërkon,
unë prapë nuk mund,
veten ta jap gjer në fund.

Dhe bëhem dritë
dhe bëhem shi
dhe bëhem diell,
të të prek ty.

Dhe ti më sheh,
më sheh në sy,
nuk thua fjalë
për ne të dy.

Po pret një ditë, po pret një çast,
që fund të marrë kjo largësi,
që të ketë fund, i vetmi fund,
pa fund, të mbetet dashuri.

 

***

Ti flet shkurt siç flasin pemët me erën,
por zëri yt ka ngjyrë perëndimesh,
më kumbon në vesh si zgjim,
shikimi të humbet në thellësinë e supit
aty ku lëkura më duket tokë e lëmuar për
lulezambakët e ujërave.

Ti më flet me sytë
që kanë zgjedhur të flenë poshtë yjeve,
ditën zgjohen si freskia e një furtune;
dhe shfaqet
planeti i pazbuluar brenda meje.

Ti flet me shpirtin e një hieroglifi që nuk është deshifruar akoma,
e nga ty hëna vezullon gjysmë e lindur.

Ti flet e heshtin detet,
sapo të gjitha dallgët
lepihen këmbëve të tua të dashuruara,
hesht dhe unë e më përcillet loti.

Ndërsa mëngjesi harrohet heshtjeve;
unë kërkoj rrugët që më çojnë tek fjalët e tua
të pathëna…

 

***

Motesh,
pa të parë,
pa të prekur,
të rrufita,
të thitha,
si lëng
jete;

u bëmë
varg,
u kënduam
si këngë
e moçme
dashurie.

 

***

Ti je,
klithma e parë e pulbardhës,
muzika klasike që më përhumb,
parqet me labirinthe ku vrapoj për t’u fshehur në përqafimin tënd…
Luginat me bar pafund dhe kurorat me luledelet mbi flokë,
shiu që bie dhe më lag;
më bukur kur lagemi të dy
dhe mbështetemi tek porta e drunjtë
me sytë që lidhin kryq yjet,
pastaj thahemi me ngrohtësinë e trupave;
të zhvesh unë nuk më zhvesh ti,
shemben trupat në krevatin me perdet e kaltra,
me statuja kuajsh dhe armatimet e e truprojeve të ëndrrave;
gjysmë i gjallë vije në gojën time vesën e puthjeve,
me premtimin se do të kujdeseshe për gjysmëjetën e perjetësisë;
ecja me të njëjtet hapa,
ose më mirë ecja mbi këmbët e tua
dhe ti më tregoje lisat e gdhendur në dritare
dhe kali i bardhë që shpëtoi nga ledhatimi yt i njëmijtë, kalëroi para nesh duke pritur…
lumturinë tonë të kullohej si ar.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s