Anila Mihali publikon vëllimin poetik ” I dehëm fjalët” / Parathënie nga Diana Çuli

Anila Mihali publikon vëllimin poetik ” I dehëm fjalët” 

 

PARATHËNIE

I dehëm fjalët – vëllim poetik nga Anila MIHALI

Anila Mihali  vjen para nesh me këtë libër poezish pas një periudhe të gjatë lëvrimi të poezisë, ndoshta vjen në maturinë e saj të plotë poetike. Në vite ka shkruar paprerë poezi, edhe në çaste kur shoqëria dukej se nuk e dëgjonte më fjalën poetike, edhe kur nuk kishte asnjë dritë në fund të tunelit se një ditë ndaj poezisë do të rikthehej vëmendja, se do të kishte faqe letrare në organe shtypi, konkurse,  klimë, atmosferë…Edhe sot, që  kjo kohë duket sikur ka mbetur pas dhe ka më shumë mundësi komunikimi poetik, përsëri, komunikimi i standartizuar i masave, i rënduar dhe i mbytur nga mesazhet, shpesh pa përmbajtje, e vë nganjëherë në pikëpyetje poetin apo lexuesin: po cili është kuptimi i poezisë, i zërit individual poetik?

Por, si shumë poetë, edhe Anila Mihali nuk e ngre këtë pyetje, sepse ajo nuk dëshiron ndonjëherë të heqë dorë, sepse nuk mendon se pikëpyetje të tilla kanë ndikim në fjalën e vërtetë të poetit.

Dhe ja ku na vjen me këtë vëllim të plotë, si një rrugëtim i gjatë e i frytshëm, i lulëzuar – I dehëm fjalët.  Ja ku vjen me poezi të ndjera, të thella, reflektive – që janë njëherazi dhe shtysë për të menduar mbi kuptimin e ekzistencës e jo vetëm përshkruese, që janë një veprim krijues i mendimit, i cili i prodhon një energji shpirtërore të habitshme. Këtë energji e shohim në poezi si Në Itakën e Naimit, Sekreti, Dritare e poetit, etj.  Poezi të tjera, që gjithnjë frymëzohen nga mendimi dhe nga emocioni për të përçuar atë që ndjen dhe mendon thellësisht, herë- herë pa një vijë arsyetimi – që nuk është e nevojshme – por në mënyrë të thellë dhe depërtuese janë – Udhëkryq,  Me mungesën tënde, etj.

Në vëllim ndeshim manifestimin e botës së brendshme të poeteshës, kuptimin e përvojave të saj emotive, psikologjike, përfytyruese. Temat janë të shumta – natyra, miqësia, mëmësia, atdheu, Kosova, mësuesia, dashuria, hamendjet mbi botën, mbi sekretin e natyrës dhe të shpirtit njerëzor – të panumërta, sepse çdo përvojë njerëzore ngjall emocione, ndjenja dhe reflektime. Kjo shumëllojshmëri temash, shoqërohet edhe nga forma dhe zgjidhje ekspresive, nga përpunim gjuhësor të menduar për t’i dhënë jetë imazheve dhe figurave. Por, mjedisi i ndryshëm politik, social dhe ekonomik i çdo poeti, fakti që secili jeton në një realitet të ndryshëm, përcakton herë herë edhe ndryshime të qenësishme në mënyrën e të shkuarit të secilit poet. Me këtë dua të them se jeta e Anila Mihalit në një qytet jo metropol, profesioni i saj si mësuese, qënia e saj si nënë dhe grua, përcakton dashur pa dashur dhe origjinalitetin e saj, të ndryshëm nga shumë poetë e poete të tjera. Në poezinë e saj ne gjejmë një dritë e një thjeshtësi që fsheh thellësinë, e cila na habit për forcën dhe veçanësinë e saj – Karfica dielli, Rrëfim për nënën, Midis, etj

Anila Mihali

Nga ana tjetër, poezia shqipe në përgjithësi – dhe këtu nuk bën përjashtim as Anila Mihali – nuk i lë kurrë “pas dore” temat e historisë së popullit (nderi, lavdia, dashuria, respekti) dhe në këtë vëllim kemi shumë poezi të tilla: Poetit Ali Podrimja, Migracion, Adem Jasharët, Kosova ime, Petale që vrasin vafërinë, etj. Këto poezi kanë një lloj solemniteti, kanë gjendje të ndryshme shpirtërore nga poezitë lirike dhe i kanë ritmikë e formë tjetër nga ato lirike.

Anila Mihali shkuan me rimë, pa rimë, me ritëm, me aliteracion, me strofa të rregullta e të parregullta – sipas temës, subjektit, idesë. Debati se sa e rëndësishme është metrika, shërben apo jo për tema “historike” , nëse vragu i lirë është modern apo jo, vazhdon. Anila  nuk vuan për një çështje të tillë. Duket sikur përmbajtja, ndjesia, emocioni ia dikton formën e vargut. Mbi të gjitha, ky varg i saj ka muzikalitet, ai ndjek mendimin dhe tingullin e fjalës. Ai është një varg muzikor, me skema ritmike – madje me skemën e vet ritmike – me një tonalitet që të mbetet në vesh. Në poezi si Puthe ajrin, Valëz deti, Muzë shqiponjash e të tjera të ngjashme, ku ritmet e tingujt merren nga natyra, duket sikur dëgjojmë trokitjen e pikave të shiut, rrjedhjen e lumit, zhumërimën e detit, këngën e zogjve, po edhe tinguj të marrë nga muzika e zonës, që shkrihen në fjalën poetike.

Mbi të gjitha, vëllimi me poezi I dehëm fjalët na krijon një ndjenjë ritkthimi tek natyra, tek e vërteta e jetës që shfaqet përmes thjeshtësisë  së bukurisë, tek mrekullia që është vetë bota ku jetojmë, e cila, megjithë problematikat, përsëri na bën të ëndërrojmë. Vetë dehja e fjalëve na shtyn ta mendojmë një gjë të tillë e nuk na duket e pamundur.

 

Diana Çuli

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s