Poezi nga Dijana Toska

Poezi nga Dijana Toska
 
 
Sahati
 
Një ditë
papritmas do të bjerë alarmi
sahati i zallit do të mbetet pa gurë të imtë
tek atëherë kemi me e kuptue se nuk jemi mbrenda
sa kemi mbetë jashtë kohës
krejt jashtë.
 
Alarmi do të bjerë thekshëm
si çdo paralajmërim për fundin e botës
nuk kemi qenë t’mirë me vetvehten
nuk jemi më krejt bota
dhe koha do të mbledhet në një çast.
 
E atë ditë kemi me i kujtue
kemi me i pa krejt ato që nuk i pamë ndër vite
edhepse në bebzat tona
të tjerët e shihnin reflektimin
kemi me ëndrrue, me mendue
për gjithçka që nuk kemi ba
një jetë të tërë e kemi humbur o njeri
pa qenë bashkë, pa frymue të gjallë.
 
Trishtueshëm
me panikë
do të mundohemi me kthye kohën mbrapshtë
me na shiju buza mbi buzë, e dora me pushu mbi gjoks
na mbetën gjërat peng, kemi me thanë
me pëshpërimë
vonë është, vonë
kohës
askush nuk i bën ballë.
 
© Dijana Toska ( Shkup, 2017)
 
 
 
Përse?
 
Në rrugë takat kërcëllasin kot së koti
nëpër baltën e moçme bëjnë zhurmë të shurdhër.
 
Ne frigohemi ti përkasim dikujt, përse?
Të tjerët duam të na përkasin neve
përse?
 
Ëndërrojmë ëndrrën e dashunisë
numërojmë krejt sekondat e kaluara me të dashunit
kujtojmë të gjitha të qarat, të qeshurat, fjalët dhe përqafimet
lotët e shkreta përse duhet ti shndrrojmë në lum të pashterrshëm
përse?
 
Flasim për plagët tona me plakun e panjohur
të cilin e takojmë në park
pastaj me pikëllim, dëgjojmë historinë e tij
plot nostalgji na rrëfen se ndoshta ndonjëherë
edhe ai dikujt i ka rrëfye jetën e vet
duke marrë nga një copëz të dikujt
e marrin vesh edhe vet
se sa kemi dashtë
sa kemi vuajt
përse?
 
Nuk i vlerësojmë puthjet të cilat vadisin buzët tona të bëra shkrum
dikush përqafimet nuk i do, derisa tjetër kush vdes për to
duhet me dëgjue këngët të cilat shpirtin na coptojnë
duhet me i shkru edhe këto vargje të nemuna
për me i thënë dikujt se sa e duam
ato dikur kthehen në poezi të cilat i urrejmë aq shumë
përse?
 
Duhet me i kujtue momentet për të cilat veten e urrej
orët në të cilat më mungon ti
duhet me i urrejtë mangësitë e mia
pikërisht ato për të cilat ti thua se më do
ndërkohë virtytet mi urren fshehurazi
përse?
 
Merre shtruar më flet gjithnjë
kjo jetë asht përplot me njerëz si unë e si ti
të cilët duhen, urrehen, puthen, kafshohen, përqafohen, qajnë
e një ditë bëhen aq të largët
imazhe të shpërbëra në diskun e kujtesës
një ditë kur do të takohen në rrugë
as nuk do të përshëndeten, as dorë nuk do të ngrenë, as kapelë
përse?
 
© Dijana Toska (Shkup, 2017)
 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s