Poezi nga Dije Lohaj
I TRETUR
Ti tanimë je larg,
Dhe kur po hap
Guacken e kujtimeve,
Tingujt e mashtrimit
Po ulen si zogj
Varg e varg,
Dhe, ti
Rrugëve të skëterrës
I tretur…!
LIRIA PO KËRKON SHPIRTIN TIM
Del nga plasa e shkrepave,
Pasi i ka mundur ligësitë
Dhe, e drejton dorën
Prej nga vjen drita,
Prej nga çohen peshë cunamët
Dhe bëhet gjak i shpirtit,
Rojë e tharmit të tokës.
Në këmbë mbi lirinë
Secili gjen yllin e vet,
Qiellin pa rezeza.
Liri!
Vetëm ti di ecjen tonë
Dhe emrin e atdheut
Vetëm ti e di.
Në kala
Vetëm ti i falesh
Hijes sate,
Atdheun cep më cep
E mbush me dhe mëmëdheu,
Vetëm ti
Mund të matësh
Atin dhe Mëmën,
Vetëm ti
Gjunjëzohesh më thellë sesa unë
Para gjakut,
Vetëm ti dëshmorit i jep shpirt.
Të jap jetën time, liri!
Që të ringjallesh
Nga hiri yt,
Feniksi im
I ditëve tona.
TI JE DËLIRËSI E SHPIRTIT
Ti je e sotmja dhe e ardhmja ime,
Ke hapur tempullin e dashurisë amnore,
Ke bulëzuar në zërat e ëmbël të jetës,
E pasuruar ke shpirtin tim në fluturim.
Ti je përkushtimi i së ardhmes,
Forcë e dashurisë amëtare,
Je duart e mia tek mbahem sa herë lodhem,
Je gjurmë e këmbëve
Tek ec pirgjeve të rrëpirta,
Je Drita e syve të mi,
Tek valëviten buzëqeshjet qiellit
Tek i sfidon furtunat
Tek i përqafon rrezet e diellit.
Ti je masa ime e përsosur e përjetësisë,
Mishërim i cilësive hyjnore,
Je thirrja ime,
Je shëlbimi i kënaqësisë sime,
Tek tingëllon dashuria mahnitëse
Esenciale e shpirtit tim.
Je fryma e shumëfishtë
E realizimit të ëndërrimeve që ishin peng,
E ti hapëron me to
Në paskajshmërinë e gjithësisë,
E bukurisë së të gjitha
Ëndërrimeve të mia të dikurshme
Mbështjellur me dëlirësinë e shpirtit.
Unë dhe ti frymojmë ditëve,
Ti çdo ditë rritesh
E unë çdo ditë përtërihem
Në përqafimin
Dhe dëlirësinë e shpirtit tënd ëngjëllor.