Poezi nga Vasil Tabaku

Poezi nga Vasil Tabaku
 
 
DRITHËRIMË
 
Ndër duar
një e qarë fëmije,
një tufë dënesash
ngrihen nëpër hapësirë
si një tufë zogjsh
ku dikush ka qëlluar më armë…
 
Mbi duart e mia
copëra belbëzimesh dhe drithërima
nuk di nga binin…
Diku
një fëmijë qante
mbase për lodrën e tij,
ndoshta për një trill
apo thjeshtë për bukë…
 
Një e qarë fëmije
vrapon nëpër rrugë
duke u penguar nëpër gurë…
 
 
 
EPOSI SHQIPTAR
 
Një Yllësi
Në formim e sipër.
Nebuloza e fjalëve
Vërtitet midis telave te lahutës
Në goditje madhështore
Me emrat e Mujit e Halilit,
Me vajin madhështor të Ajkunës
Një qarje
që rrëqeth planetët dhe njerëzit
Me qumështin mitik të Zanave
Dhe pluhurin qiellor
Të kuajve të kreshnikëve…
Bota
ka shtangur
Dëgjon këngët hyjnore
Nga gurrat e zërave të aedëve popullor.
Gjithçka
është në vazhdim e sipër.
Turravrapi i Kreshnikëve të Jutbinës
Shkund Tokën.
Krijimi i Botës
nuk ka mbaruar ende,
Ashtu dhe Eposi
Punëtorët e këngës
E latojnë,
e gdhendin,
e përsosin çdo ditë…
 
Nga sqetullat e Bjeshkëve
Si prej Brinjës së Adamit
Dalin Kreshnikët e fundit…
A mund të jenë të fundit?
Trualli i Eposit
Çdo shekull,
lind Kreshnikët e vet.
Një truall zjarresh
dhe pasionesh të mëdha
Me shpërthime ndërplanetare
Në Yllsinë tonë
Mbi krahët e zogjve
Shtegtojnë drejt legjendave
Emrat e djemve shqiptarë
që mbajnë mbi supe
Historinë dhe të vërtetat e mëdha…
 
Tokë e Dardanisë
Stuhitë
të puthin fytyrën prej drite dhe bore
Re të mëdha
Shpalosin
ëndrra si flamuj këngësh
Mbi blunë drithëruese të qiellit…
Kori i Zanave
Pagëzon përjetësinë e djemve
Ata
janë bërthama e Kreshnikëve
Agime polare të dashurive të pashpallura
Energji kozmike
Të ndrydhura
Brenda hapit elegant te vajzave si trille bukurie
Fytyrat e tyre
Janë zemra e yjeve
Me regëtima provokuese
në largësi shekullore
Vetëm në Epos,
brenda Eposit
Dhe njerëzit e trojeve epike të Shqipërisë
Mund ti prekin
Ti puthin
Ti marrin ndër duar
fytyrat e yjeve
Kujdes
Zjarri i tyre
është ende në veprim të plotë
 
Bota
Vazhdon krijimin e mrekullive
Gjithçka
Është ende në fillimet e veta,
edhe eposet…
 
 
 
DREJT NJERIUT
 
Gurët
e urrejtjes së verbër
ma copëtuan shpirtin.
Duart
i paskam të mbushura
me përbuzje
me sharje
dhe mllef politik…
 
Më dërrmuan
gurët e urrejtjes njerëzore…
 
Shkretuar rruga
thyer pemët ndanë saj…
 
Me çerdhet e pafajshme të zogjve
po bëjmë arkivole
për buzëqeshjen tonë…
Janë trembur
trillet e të dashuruarve
nuk ka më fërfërima puthjesh.
nga pas
më ndjekin lehje qensh.
Shpirti im i kafshuar
rrjedh gjak
unë
plagët i lidh
me buzëqeshjen time
në rrugën e gjatë drejt NJERIUT…
 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s