Poezi nga Mimoza Çekiçi Rista
POGRADECIT
Unë ngjizur jam aty në çdo qelizë,
që nga koha e Enkelejdëve të lashtë,
që kur liqeni e bregu bashkuan buzët
dhe mjelmat e zanat japin simfoni bashkë.
Aty kam qënë që në ngjizje të jetës,
ku një shpinë mali u quajt Qafë-Thanë,
kur një copëz parajse u quajt Shën Naum
e pellgun ‘Gjol’ quajtën stërgjyshrit tanë.
Aty jam përherë dhe pse fizikisht larg
dhe malli-zjarr sytë me lot m’i mbush.
Ndaj për t’i fshirë lotët me vete kam marrë,
një poezi të mëndafshtë të të madhit Lasgush.