Poezi nga Eliverta Kanina

Poezi nga Eliverta Kanina

 

ME NJERËZ PA NJERËZILLËK

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Si supë bajate e shohin e shijojnë jetën
Strukur brenda vetes shtyjnë ditët
Izoluar nga familjarë e miq
Pa dashje apo nga halli
Bëhen me njëri tjetrin të ligj…

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë!
Ndoshta s’u dalin llogaritë, ngelen në baltë
Se paraja sot është kod, pin dhe puk
Me të, hap çdo derë, je në majë gjithandej
Pa të, zvarranik e dallkauk.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Ndoshta llogaritë i bëjnë keq a s’dinë ti bëjnë
Këtu shto, shumëzo, e mbaj ndërmend
Po atje pjesto, kujtohu e diçka hiq
Lakmia a padituria i ngatërron
Shndërrohen në meskinë e piskuriqë.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Ndoshta që të jesh duhet të dish
Të kesh se ç’të përcjellësh a ç’të marrësh
Me diplomë , post, makina,tituj e akademi
Mund të jesh profesionist e pushtetar
Por vështirë të jesh e të mbetesh njeri.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Më kafshë se kafshët që kemi përreth
Të gatshëm të lehin, të çirren, të shqyhen
Vështirë me njëri tjetrin të merren vesh
Për fenë, politikën, paranë dhe gjithçka tërbohen
Lindin njerëz, me njerëzillëk pak mund të gjesh.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Ftohur ndjesitë, për gjë s’duan t’ia dinë
Pa folur mirë, si aparatë difektozë u bien bateritë
Nuk kanë derman as të gëzojnë me njëri tjetrin
Nerva nuk kanë as të shkëmbejnë dashuritë.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Si ingranazhe të kësaj kohe të ndryshkur
Nga urrejtja, cinizmi, egoizmi dhe cmira
Çdo ditë nga pak harrohen, vdesin së gjalli
Sikur një karikues gjigand të kisha
Botën fisnikërisht ta mbushja, derisa të derdhej
Nga dashuria dhe malli…

 

POST LAVATRIÇE

Të pangopura me diell
Rrobat refuzojnë
Errësirën e dollapit.

Nën ritmin e erës
Vazhojnë vallëzimin
Në duart e amvisës.

Imituese të aromave
Si një buqetë lulesh fallco
Mblidhen në sepete.

Larë e hekurosur
Varur nëpër kremastarë
Na kujtojnë dyqanin.

 

LULE MARGARITA

Sa herë të marr në dorë
Të pyes duke u llastuar
Më do? S’më do?
Ti rrotullohesh në dorën time
Kokëfortë, bukur di të heshtësh
S’më thua
As po, as jo…

Sa herë të marr në dorë
Si vajzuket që shkulin bishtalecat kur idhnohen
Petalet ti shkul, të më flasësh me to
Ti vlen më shumë se bukuria jote
Një lule vlen sa në dashuri një Po…

Sa herë të marr në dorë
Si fallxhore për dashurinë
Të luash me mua ta ka ënda
Enigma të hijeshon
Ndaj së prituri më lodhe e s’më the
Po apo jo?

Sa herë të marr në dorë
Më kthen në lojcake të virgjër
Marrosem nga dashuria dhe pritja
Plot hijeshi ndihem
Si lule margarita…

 

PUSH-IM

Unë e shkreta në një resort
Marramendem mbas gjithçkaje që vezullon
Kënaqem pa përzgjedhje deri në kotësi
Ngjyrave u gëzohem deri në nuanca
Shijet e ditës më kthejnë në kaos javën
Nuk ka as të hënë, as të martë e të premte
Veç e djela hyn e del nga pishina
Ushqehet, fle, zgjohet e ngrohet në diell
Ikën dita pa e kuptuar ende si erdhi
Nuk kam asnjë ide, asnjë motiv, asnjë axhendë
Më duket se oferta “all inclusive”
Nuk ma përfshin vetveten…
Më duhej kjo javë gjithsesi si kontrast
Mes gjithë këtyre njerëzve e këtij bollëku
Gjej kohë të përkund nostalgjinë për botën përtej resortit
Ndjesë duke i kërkuar çdo natë
Librit që më pret në nënkresë…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s