Ylberët nuk i duan lamtumirat / Ese nga (Hamdi) Erjon Muça

Ylberët nuk i duan lamtumirat

 

Ese nga (Hamdi) Erjon Muça

Sa më tepër kalojnë vitet, aq më shumë shtohemi, ne që flasim dhe shkruajmë për letërsinë. E mua nga kjo anë më vjen veç mirë; gjuha jonë është shkruar tmerrësisht vonë, për pasojë edhe letërsia e shkruar me këtë gjuhë është ca e vonuar; e pak evoluar. Ndaj jam mëse i lumtur që po shkruhet dhe flitet shumë e më shumë për letërsinë, por si jo pak herë çdo e mirë e ka edhe një të keqe. E keqia është se jo pak nga ne që shkruajmë për letërsinë, nuk jemi të vetëdijshëm çfarë dhe për çfarë shkruajmë.
Nuk pretendoj, që para se të shkruajmë, të ulemi dhe të lexojmë studimin e Tomas Eliot-it kushtuar poezisë dhe figurës së Wiliam Blacke-ut, apo “Inkuizicionet e tjera” të Jorge Luis Borges-it, e as studimet, siç janë “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të italisë”, “Larmi vëzhgimesh letrare” apo “Pjetër Budi Poet dhe prozator” të Profesor Anotn Nikë Berishës, jo këtë as nuk e çoj nëpër mend, sepse ky do të ishte një rrugëtim i gjatë dhe i lodhshëm, e ne nuk kemi as kohë e as nge për këtë lloj udhëtimi. Ama një gje e pretendoj; para se të ulemi për të shkurar, (pasi kur flasim edhe na dalin fjalë të pamenduara; fjala është në majë të gjuhës, ndërsa mendimit i duhet kohë që të dalë nga rrudhat e trurit) të reflektojmë pak më tepër për argumentat dhe gjuhën që duhet të përdorim.
Nga ky shpejtim, mos reflektim, jo pak herë kam rastisur në absurde shkuar kafkianes. Përballemi me bashkësi fjalësh që fillojnë me shkronjë të madhe, me presje mes tyre dhe që përfundojnë me pikë, por që fjali nuk janë. Fjalia duhet të ketë funksion, e mbi të gjitha kuptim, ndërsa tek këto bashkësi kuptim kanë vetëm fjalët dhe jo e tëra. Kam hasur përshembull një tog fjalësh pak sa paradoksal: Romani i X shkrimtari është një konglomerat origjinal: thoshte një nga ne që merremi me “kritikë” letrare. Këto fjalë veç e veç kanë një kuptim ndërsa në tog fjalësh humbin jo vetëm kuptimin por edhe llogjikën. Konglomerat do të thotë përzjerje dhe një përzjerje nuk mund të jetë kurrë origjinale, pikërisht ngaqë është e përbërë; e të mendosh se ka një mori konglomeratësh që janë të përbërë me përberës të përbërë. Prsh: buka është një konglomerat dhe të gjithë përbërësit e sajë janë konglomeratë; Gruri me të cilin bëhet mielli rritet falë mbledhjes së ujit dhe mineraleve që bima mbeldh nga toka, uji është i përbërë nga dy molekula hidrogjen dhe një oksigjen, edhe kripa që i hidhet për t’i dhënë shije është klorur sode. Ja pra se si një zotëri i nderuar duke dashur të bëjë mirë, duke mos reflektuar, tregoi cekëtinën nga e cila ky mendim ka lindur.
Ose dikund tjetër kam hasur një tjetër tog fjalësh grotesk; X autor, thoshte dikush tjetër, ka karkteristikë të veçantë. Ja pra seç ndodh kur nuk reflektohet pak. Kur thua që kjo është karakteristikë e X nën kupton automatikisht një veçanti të autorit; dhe me këtë tog fjalësh “kritiku” ka thënë se X paska veçanti të veçantë ose karkteristikë karakteristike; ksi boshllëqesh nuk janë të pakët nëpër ese…
Po mbretëresha e cekëtinave, absurde mbi absurdë është një togfjalësh që e kam hasur shumë më shpesh nga çmund të pandehet, por me forma të ndryshme. Poezi moderne lirike, ose lirikë moderne. Këta “studiues”, duke dashur të ngrejnë vlerat e artistit bëjnë një nga gafat më spiune…
Lirika është një zhanër i poezisë, (madje fillestaria e sajë, në greqinë antike me fjalën lirikë nënkuptohej poezia, por e shoqëruar me vegël muzikore, lirë, pra poezi gjysëm e kënduar, e kjo këngë i përmbildhte të gjitha ndjenjat e shpirtit njerëzor; gëzime, vajtime, balada) i konsoliduar që në antikitet dhe vijon të mbetet e tillë në çdo epokë që shkruhet, nuk ekziston lirkë moderne apo poezi moderne lirike. Po ashtu si nuk ka muzikë lirke moderne megjithëse ka mjaft kompozitorë që kompozojnë në këtë zhanër muzikor. E nëse një artist e quan Lirik nuk ia ke ulur aspak vlerat. Lirika i ka magjepsur gjithnjë poetët, në Itali, ku edhe unë jetoj, lirikë ka shkruar Leopardi, një nga gjenitë e poezisë dhe deri tek Ungaretti e Montale, por askund nëpër studiues që janë marrë me veprat e gjigandëve të shekullit të XX të poezisë botërore, nuk kam hasur me togfjalëshin poezi moderne lirike ose lirikë moderne; poezia mund të jetë edhe moderne, ndërsa lirika është vetëm e tillë ndonëse nuk është shkruar Orazio apo Ovidio, por nga Montale dhe Ungaretti.
Sot jam ulur të shkruaj disa mendime mbi lirkën e mrekullueshme të Lirkut Agim Bajrami. E të qujturit lirik, për mendminin tim nuk ia ul aspak vlerat artit me të cilin Agim Bajrami bashkëjeton. Lirika mund të duket e thjeshtë, meqë vjen nga antikiteti me regullat e veta, por pikërisht tek thjeshtësia, në dukje, qëndron vështirësia e sajë.

Ylberë pa lamturmirë

Librin “Ylberë pa Lamturmirë”, (titull i mrekullueshëm, poetikisht i qëndrueshëm, jo si disa tituj fluturakë tamam si ballona me ajër të ngrohtë) nisa ta shfletoj i ngacmuar nga trishtshmëria që përçon titulli dhe nuk humba aspak kohë… Ylberët, prova se ngjyrat mbi tokë janë pjella të dritës diellore, ikin dhe vijnë pa dhënë shenja; metaforikisht, një çast gjithçka në këtë jetë është e ylbertë dhe “pa lamturmirë” një çast më pas gjithçka të kthehet në bardhë e zinë reale…
Makrostruktura e poezisë lirke të Agim Bajramit nuk asnjë ndryshim nga rregullat që poezia lirike ka përftuar në gjirin e popullit shqiptar. Ajo që e bën të veçantë lirkën e Agimit është mikrostruktuar. Parafytyrojeni poezinë si një femër, të dashurën e poetit, që ai vesh me dëshirat e veta dhe poetin e vesh me tekat e saja, e pra lirika është një dashnore që poeti e ka veshur me veshjen popullore, por me veçantinë e disa zbukurimeve personale të poetit. Në pamje të parë, vështruar kalimthi, përsëlargu, këto bizhu të lehta nuk vërehen, sepse portreti qëndror është si ai i motrës Tone, por nëse i afrohesh, sheh se poeti i ka hedhur një vell të lehtë mbi fytytë, si për të bërë pak më enigmatike buzëqeshien, hidhërimin, ngrëdheshjen apo edhe shenjat e nervozismit që hera- herës kapërthejnë shpirtin e kësaj krijese. Pikërisht këto bizhu do mundohem të zbërthej në këtë shkrim; do mundohem ta zhvesh përpara jush këtë krijesë, e shpresoj që poeti të mos preket, nga kjo zhveshje; dashnoren nëse e do për vete mbaje fshehur, po ia dhe të tjerëve, nuk duhet të pretendosh që ata të mos tundohen nga lakuriqësia që fshihet nën petka.
Poezia, si femër, në vendin tim ka përftuar mjaft trajta; disa poetë e duan nudo, disa të tjerë të veshur pak, të tjerë akoma, me vëshje mbrëmje megjithëse shëtit në mëngjes herët, e të tjerë akoma e duan të eci nudo dhe e shtrirë; tabblo nudo tredimensionale e lëvizëshme. Ndër këto qenie paksa hibride, qëndron e edhe lirka e Agim Bajramit; ajo nuk gjakon të pëlqehet me pahir, si grua bordelli. Atë ose e pëlqen dhe i vihesh pas për të ndjerë sensualitetin femëror, ose jo. Mos pretendo që ajo të përulet për pak vëmëndje, pasi është tepër krenare. Krenraia e sajë i ka rrënjët tek krenaria e popullit tim; krenari thuajse naive. Me krenari ajo vajton me të marrin, “Një i çmendur qan një buburrec të vdekur” për një krijesë të kësaj toke, të vdekur, por që ska më vlerë për askënd. E mua nuk e di se përse ky subjekt më sëmbon në zemër. Kjo metaforë, thuajse e padukeshme, sepse një i çmendur mund të vajtojë vërtetë për një buburrec të ngordhur, më djeg shpirtin. Unë thashë i ngordhur, sepse në gjuhën tonë të përditëshme, kur një jo njerëzor ndërron jetë kështu i themi, ndërsa autori, thotë i vdekur; vyrtytet e vdekura, humanizmi i vdekur, dashuria e vdekur, ndershmëria e vdekur. Një poet qan për ndjesitë njerëzore të vdekura; jo pak njerëz poetët i quajnë të marrë, dhe vyrtyet, pastëritë, i quajnë buburreca që duhen shkelur…
Vetëm mbrëmja preket si nënë
(Mrëmja për askënd nuk ndjen bezdi)
Një shami në duar i ka vënë
dhe me të po ngutet, të mbajë zi.
E vendosa këtë strofë për të treguar një nga prekjet personale të Agim Bajramit. Lirika e Agimit është me rimë të regullt, por ka mjaft poezi, në të cilat, falë vargjeve në kreshendo, rima del në plan të dytë sepse planin e parë e zë ritmi, gjithnjë në rritje, për t’u ndërprerë menjëherë; duket sikur autori kërkon që shurdhëria e natës të pushtojë menjëhere veshët dhe ndjesitë e lexuesit. Mbrëmja, mëma e të gjithë poetëve, velloja metaforike mbi fytyrën e kësajë krijese.
Ngado shoh vjeshtë, nën gjethe strukur
dhe trupin tim të lehtë dyfish,
nëse nuk di të vdesësh bukur,
as edhe të ngjallesh, smund të dish!
Agim Bjarami është poet, nuk ka nevojë të cilësohet, si poet i tokës, apo i qielli, i detit e ku ta di unë… Nëse thua poet i ke thënë gjithçka; poeti i jep jetë brendësisë së njeriut që reflektohet tek ambjenti. Poeti vdes gjithnjë në brendësi të vargjeve të veta, dhe rilind në të tjera vargje…
Një çast të skuq si saç mbi kokë,
pastaj të ftoh si në Arktik
Janë prishur gjërat në këtë tokë,
asgjë s’të mbetet më besnik.
Nën vellon e vet, me këtë “Gjysmë Vjeshte”, krijesa e Agim Bajramit lëngon për gjithçka njihte si të qëndrueshme, por që tashmë janë shkërmoqur, dhe po humbasin si pluhur nën erë. Siç thotë vetë poeti diku në disa vargje: kur ska më heroj, të këndosh është e kotë. Në fakt në këtë libër ndihet thellë pezmi i madh që mbretëron në shpritin e poetit dhe që vesh poezinë e tij, por hera herës mes vajit një tingull i gëzueshëm kënge arratiset nga klonet e makthit njerëzor, e përzihet me notat e vajit. Nga “Rikthimi i zogjve në lagjen time”, “Bisedë me tim bir” dhe “Fëmijë i vdekur në varrezën çame të kallogjerit”, kalohet në një përzjerie ndjenjash “Nuk është kaq e lehtë” “Unë skam bërë divorc nga fëmijëria” apo “Gjimnaziste”. Njeriu, poeti, lëngon nën kthetrat e realitetit, por ama nuk nguron, madje e kërkon me forcë të arratiset mbi krahët e ylberëve.
Një vend të madh, në këtë copëz të shpirtit të vet, që Agim Bajrami e ndau me ne, zënë edhe kujtimet e paraardhësve të tij, që kënduar në këtë formë duket sikur atij i përkasin nga mjaft afër, sikur iu shkëputën nga shpirti për t’u njollosur mbi letër. Dhimbja është e të atit, e nënës së tij, por duket sikur buron nga çdo qelizë e trupit të poetit, e nëse poeti, arrin që një dhimbje të huaj ta bëjë të vetën, nuk mund të mos fitojë emrin që e kam sipërpërmendur pa shtojca: Poet. Dashurinë e huaj është thjeshtë ta personalizosh, e vështira gjendet tek dhimbja e huaj, ose ose tek fshehja nën metafora e asaj që ke ndryrë në shpirt dhe që nuk duron dot të qëndrojë e burgosur.
çdo ditë me njerëz mé njeh udha
të rinj, të vjetër, moshatarë
një pjesë të lodhur, tërë rudha
të tjerë të mbajtur, namusqarë.
Në strofa si kjo, që nuk janë të pakëta, fshehur pas metaforash të holla, e velluar, gjendet shpirti i lirikës së Agim Bajramit. Nëse ai ka vendosur të bashkëjetojë me një qenie kaq krenare siç është lirika, e ka bërë ngaqë nuk do të ndiqet nga kushdo, por nga ata që dinë të vlerësojnë brendësinë dhe jo dukshmërinë. E çmund të them më unë që autori nuk e ka thënë vetë në këtë strofë?! çdo ditë me njerëz do të të njohë udha, të rinj, të vjetër, moshatarë. Ndonëse shumica do të të kalojnë pranë, Prej shumicës së tyre, nga një vello do jeshë e ndarë…

03-09-2017 
Pisa Itali

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s