KODI I MALLIT (Në vend të recensionit për vëllimin poetik “Udhë lumnie”i autores Sadbere Gagica Spahija, publikim i Shtëpisë Botuese ATUNIS) / Nga: Prend Buzhala

KODI I MALLIT

(Në vend të recensionit për vëllimin poetik “Udhë lumnie “i autores Sadbere Gagica Spahija, publikim i Shtëpisë Botuese ATUNIS)

Nga: Prend Buzhala

Poetja i ka betejat e saj të shpirtit. Shpesh shpirti është ajo hapësirë e qenies, ku zhvillohen betejat e jetës. Aq dramatike janë ato, sa folësja lirike klith: “Ik nga kjo betejë shpirti.” Veten shpesh e ndiejmë të braktisur, të mashtruar apo të lënë në mëshirën e stuhisë. Porse poetja e shikon në sy këtë demon kohësh, për të qenë e vendosur në betejat e saj.

  1. Semantika e lotit dhe mallit

Diku, në brendi të librit, poetja na e thotë se malli ka kodin e tij (“Në këtë kod malli/ Çdo natë e derdh nga një lot/ Mbi vargjet e mia”.) Ky mallë paraqitet në variacione të pasura kërkim-këndimesh, si lutje, përgjërim, gjakim, dëshirë e zjarrtë, porosi solemne, ankim, pretendim, kërkesë, betim, premtim… Mallit me këso sinonimesh të pasura lirike, i korrespondon semantema lot, loti, i cili frekuenton jo vetëm nëpër shumë vargje të këtij vëllimi, por edhe titujt e disa poezive ngjyrosen me këtë leksemë figurative. (“ma fshij lotin”, “Lot”, “Ndale lotin”, “Lot e dhembje”, “Pranë lotëve”, “Nën hijen e lotit”, “Loti lotin”, “Lot heshtjeje” dhe “Lot nëne”). Kësisoj ndodh edhe me fjalën mallë. Një cikël mban titullin “Në strehëzën tënde të mallit”. Me anë të poezisë dhe mallit, ajo i çliron fjalët e saj, ngarkesat e brendshme, të cilat marrin udhë në jetë:

Janë të gjitha fjalët

Si devja me gungë

Ka pena ime ngjyrë sonte

Ta derdh pezmin tim nëpër vargje?!

Mërgimi, dashuria, udhët, malli, vendlindja dhe të afërmit e zemrës, kujtimet dhe plagët e vjetra e të reja…janë disa punkte këndimi ku ndalon të mbushë enën e frymëzimeve lirika e poetes Sadbere Gagica – Spahija.

Ajo nuk e fsheh lotin, vetëm sa e fisnikëron përmes vargjesh. Ai nuk është shenjë dobësie për kujtesë e derdhur, mallë dhe dhimbje. Janë shenjë e zemrës së pastër, shenjë e heshtjes që ther. Janë një histori shpirtërore e shpresës dhe dashurisë. Steve Maraboli, një shkrimtar i ri amerikan, do të thoshte: “”Qaj. Fal. Mëso. Lëviz. Lëri lotët e tu ta ujitin farën e lumturisë tuaj të ardhshme”. Loti është shenjë e emocionit drithërues të dashurisë:

Dridhem si drenushë e trembur

Disa pika lot më vërshojnë

Janë shenjë e një qenieje paqësore, të butë. Shenjë e brengosjes. Loti është zbrazja më e sigurt e vetëngushëllimit, por edhe për t’i rezistuar pikëllimit të situatave jetësore që krijojnë mallë (“Me pika loti. Të mbaj në zemër si atdheun”). Është shenjë e socialitetit të rëndë:

Ëndërroj të puth

Lotin tim

Rob

I thesit të grisur

“Poezia është një gjuhë në të cilën njeriu hulumton habinë vetjake”, shprehet Christopher Fry. Kurse Jean Cocteau na qetëson ndryshe: “Poeti nuk shpik. Ai dëgjon.” Poetja Sadbere Gagica – Spahija e ka trinomin e saj, mallin, fjalën dhe këngën:

Te një mallë kam ngujuar

Një fjalë e këngë

Në dritaren e jetës takova

Duke përfshirë sa më shumë fakte jetësore personale, sa më shumë biografema, të duket sikur i tërë vëllimi është një biografi shpirtërore vetjake. Leonardo da Vinçi do të thoshte se “poezia është më afër së vërtetës jetësore se historia.” Në këtë qerthull malli e kënge, nuk janë vetëm emocioni sulbim i atdheut (ai merret si gjymtyrë që lartëson epitetizimet nëpër vargje), por edhe emocioni i bukur i dashurisë. Aty janë vargjet më të bukura për qeniet e dashura, sikundër është nëna (“Në kujtesën time. Portreti i nënës më përcjell”), apo i biri (“Të shkruaj sot vargjet/Më të bukura që di”.). Janë vargje shpesh prekëse, ndonjëherë edhe patetike, por gjithnjë e ruan sensin e masës. Përderisa mallëngjimi e kujtesa shpesh këndojnë për humbjet a trishtimet e së kaluarës, ato, megjithatë, kontrollohen nga reminishencat dhe reflektimet lirike; malli shtrihet nëpër të gjitha kohët dhe shtigjet, nëpër udhët e etjës, pi, Krisht për shkak të largësisë të shkëputjes nga trualli, vendlindja, nga njerëzit e dashur. Premtimet dhe gjakimet, megjithatë, janë kaq të forta:

Me orë javë e muaj kam mbështetur kokën

Te fjala e thënë një natë

Pa Ty dhe atdheun jeta ime është ferr

Mungesa është nyja e këtij mallë-kërkimi. Janë lëndimet dhe emocionet që djegin, të cilat duan mposhtur. Shpesh janë dhe dëshirat e pamundura, një mall për diçka që asnjëherë nuk e arrin, një mallë-dëshirë për të mos qenë dikush tjetër, një ndërgjegje e a grishje shpirtit për të krijuar etikën e fortë të jetës… “Dashuria intensifikohet nga mungesa!” shprehet Audrey Niffenegger. Prandaj njerëzit kanë nevojë dhe për praninë e një shpirti tjetër, për të cilin duan të mbështeten, ku pushojnë qenia e vetvetes dhe besimi.

Janë mërgimi, dramat e familjes ato që shprishin rrjedhat e jetës. Poetja shpesh kuvendon nën hijen e lotit, dhimbjes dhe dashurisë.

Do rrjedh si lumë

Një mallë i trazuar

Lot

Që do më ndjek

Nëpër stacionet e jetës

Kur ka këso rrjedhash, atëherë dhe emocioni e mendimi përjetohen ndryshe, shqiptohen ndryshe.

Poetja e konsideron jetën si një përjetim, ku vijnë e të përplasen malli, kujtimet, rravgimet e jetës, shpesh loti e pikëllimi, dhembja apo vuajtja, porse poetja i vë vargut të saj një mision fisnik, mu ashtu si e vesh me këtë mision edhe jetën e saj: të qëndrojë përballë tyre, të mësojë të presë, duke u shoqëruar me ëndrrën dhe të bukurën, të përballet me frikën e trishtimin, dhe, pse jo, edhe me dështimet që të dalin si prag shpesh i pakapërcyeshëm.

 

Sadbere Gagica Spahija

  1. Leximi i poezisë së parë “Të mbaj në zemër”

(struktura dhe bota poetike)

Prandaj, ajo përzgjedh një çast emocional të shkëputur nga jeta, premtimin për besnikëri ndaj qenies që do. Për ta parë se si procedon ajo me lirikën, po e lexojmë, me anë të një interpretimi kritiko-letrar poezinë e parë “Të mbaj në zemër”.

Kur e nis poezinë e parë me shprehjen kaq të njohur “Të mbaj në zemër”, secilit do t’i shkojë mendja te diçka e rëndësishme a një person i dashur. Dhe që në rreshtat e parë ajo na e shpalos kredon e saj krijuese e jetësore:

Ngado që të shkoj

Do të bart më vete

Si vargjet nëpër këngë

Në nivelin e dytë, më thellësor, subjekti (folësi) lirik shpalos vlerat e saj etike:

Nuk jam mësuar

Të flas pas shpine

dhe vlerat e thesarit shpirtëror:

Diellin e kam puthur në mëngjes

Ëndrrat i kam kërkuar në mesnatë

Në pjesën e tretë të kompozimit lirik, tash vjen përforcimi veprues i kredos së saj (“Do të ndjek pas si hije”). Në pjesën e katërt poetizohen kornizat a skenografia “e ngjarjes” a e ndërlidhjes më të plotë të unitetit të saj të brendshëm. E brendshmja, emocioni, komunikon me të jashtmen, imazhin figurativ-shënjues:

E një stinë e pikturuar

Me pika loti

Kërkimi ka qenë i gjatë. Kujtimi dhe premtimi veç sa janë përforcuar. Kjo do të thotë se ky unitet i brendshëm (poetik, ligjërimor, figurativ-shprehës), na sugjeron që kjo brendi, kaq e fortë, nuk mund të shpërbëhet, pikërisht pse kaq unik është edhe shpirti i saj. Prandaj ajo e ka thurë me kujdes jo vetëm shprehësinë lirike të vargut, po edhe ndërtimin kompozicional-artistik të poezisë. Në vargun e parafundit arrihet klimaksi poetik, pika më e qëndrueshme, më emocionuese, me e rëndësishme, arrihet kulmi i kësaj “etape” kompozisionale a shkalle të parafundit,: Të mbaj në zemër si atdheun

Në fund, kur e lexojmë vargun “Udhë tjetër nuk njoh!”, lexojmë sublimimin e përvojës, qëndresës shpirtërore, gjakimit jetësor për ta ruajtur në zemër gjënë më të shtrenjtë. Qenien më të shtrenjtë që ajo e ka për zemër. Identifikimi shqiptohet qenieplotë. Shtrirja e përjetimit të realitetit, e sintetizuar te një jetë e tërë gjakimi e dashurie, është po ashtu sa e thellë, aq edhe e gjerë. Ç’është e vërteta, te kjo poezi jeta lartësohet te një komunikim i qartësisë së habitshme, pa ia pasur nevojën kërkimit mistik të qenies, alabirinteve kuptimore-figurative, pikërisht pse krijuesja arrin të manifestojë, me anë të pushtimit të njohjes së saj, ato përvoja gjakimesh e kërkimesh në jetë që i bën materie të mishëruar në poezi. Poezia ecën së bashku me jetën (“Do të bart më vete/ Si vargjet nëpër këngë”). Poezia nuk është shtesë e jetës, as jeta barrë e poezisë. ato identifikohen plotësisht me njëra-tjetrën. Jeta dhe poezia përbëjnë thelbin e qenies së saj krijuese. Përbëjnë Kursin e Jetës dhe Kursin e Këngës. Ky kurs-premtim (“Do të bart më vete/ Si vargjet nëpër këngë”, “Do të ndjek pas si hije” dhe “Të mbaj në zemër si atdheun”), na shfaq edhe diçka tjetër: e zbulon njeriun si qenie të mrekullueshme, si esencë dhe ekzistencë. Dhe sipas këtij gjakimi të dashurisë, sipas masës së thellësisë së përjetimit dhe përvojë-jetimit, paraqet një sprovë të guximshme poetike, e që i jep vesk këtij vëllimi.

  1. Poezia, akt i sublimimit të gjakimeve dhe ëndërrimeve

Sigurisht që ky vesk përjetim-leximi haset edhe te jo pak poezi. Poetja i beson poezisë, atë e bart më vete kah do që të shkojë, si një kuti gjërash më të shtrenjta, në të cilën e ruan thesarin më të shtrenjtë shpirtëror e jetësor. Poezia është akt i sublimimit të gjakimeve dhe ëndërrimeve më të dashura, është spiranca që hidhet në thellësinë e këndimeve, dhimbjeve, plagëve, gëzimeve dhe, sidomos, emocionit të dashurisë. Është ajo ngrehinë e brendshme që lartësohet në kështjellë që nuk shembet, që e mbajnë të fortë idetë, bukuria e emocionit dashuror, gjakimet.

Sadbere Gagica- Spahija, kur vendos ta shkruajë poezinë, i di kërkesat e huqet e saj: për çfarë të shkruajë? Duke e pasur parasysh këtë kërkesë, ajo e bën një hap më tutje: nuk vrapon pas “temave të mëdha”, pompoze, apo pas zbukurimeve të jashtme për ta imituar “poetikën e lartë.”

Vijnë, mandej, çaste të perceptimit poetik i një kërkimi të udhës, një ditё, një ëndrre, një lutjeje, një nate, një peizazhi të zymtë, apo i dilemave, stinëve, porosive, lotit, rastisjeve, grishjeve, endjeve, pritjeve, pyetjeve që të mundojnë, një zgjimi në mëngjes, një kujtimi… mërgimit. E pra, gjithçka, krejt e pavërejtshme, mund të jetë lëndë e kërkimit dhe këndimit poetik. Shumë ndër to janë gjetje të bukura, shpesh të papërsëritshme, pikërisht për faktin pse ajo e njeh mirë temë-motivin që e përzgjedh, që është përjetim i dorës së parë, që i ka afër zemrës a që e ka vëzhguar e bartur si emocion-reflektimi për një kohë të gjatë (si vargu “Kur nata shkopsit gjoksin e vet”). Përnjëmend, si të sillesh, si të gjendesh, kur përpara të dalin vështirësitë? Ato e hallakasin qenien, kurse poezia e çon tutje misionin e saj, vjen në rastet e ngushëllimit, udhërrëfimit, zbrazjes së klithmës së brendshme të kujtimeve.

Në këso rastesh, ajo zgjedh detajin e padukshëm dhe e shndërron në art interesant lirik, duke e strukturuar e paraqitur një perspektivë unike këndimi. Ndryshe nga vullneti i atyre njerëzve me prirje të egërsisë së pashembullt, poetja thërret në fisnikërinë e ëndrrës dhe mallit, përjetimit të dashurisë. Poezia vjen si ripërtëritje e jetës së brendshme, si gjallërim i energjive të brendshme shpirtërore e i rrjedhave të ndritshme të gjallimit, si dhunti thesaresh si janë familja, fëmijët, të afërmit, miqtë), që zbrazet me përkushtime fisnike këndimi.

 

Publikim i Shtëpisë Botuese ATUNIS

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s