Këpucët e kuqe… / Tregim nga Jozefina Traboini

Këpucët e kuqe…
 
 
Tregim nga Jozefina Traboini
 
Kujtesa e një fëmije është e kullueme. Ecën e ecën me ty, me moshën, formohet në karakter e mandej shpërthen……… Sa bukur është kur shkuan gjana që të kujtohen. Më duket sikur kodet e jetës përtërihen, ose harmonizohen. Shkolla është kulti ku ti mund të formohësh dhe nëse i gëzohesh dijes, e ke prej saj Shkollat e brezit tem ishin të vokta për nga infrastuktura, por ishin të forta për nga disiplina. Ose si të thuash ishin shkolla autoritarizmi. Unë kam shkue në një shkollë mjaft me emën në Shkodër, pasi jetojshim në atë lagje, dhe ishte fat të isha pjesë e saja. Dikur me kish kenë edhe baba jem në atë shkollë, sepse ajo ka kenë shkollë fançeskane, bile babës tem i ka dhanë mësim vete i madhi Fishta, dhe tregonte; kur hynte ai në mësim tundej dheu nga prezenza e tij. Sistemi totalitar që kaluam ndrydhi shumë kënd në furrikun e shpirtit, zvogloj shumë mendimet e hapuna, por sikur forcoj temperamentet në shumë njerëz. Mësuesija është prefesioni më fisnik që mund të mëndoj. Dhe disa momente kohe, rrinë si monument kulture në tru, të paktën mëndoj për vete. Më vjen në mënd Euklidi, se e thotë mbarë bota, ai ishte ndërtuesi i godinës së dijes. Elementet e teoremat e tia mbizotnojnë edhe sot. Ai ishte përfeksioni i teorisë, dhe unë po e lidh me matatematikën ..që dhe pse nuk më pëlqente si landë, kurrë si letersia në projeksionin tem prap mundohesha gjithmonë të merrja nota të mira. Sepse po nuk i kishe tana notat e mira, nuk merrje fletë lavdrimi. Dhe ishte shumë e rëndësishme për ne nxanësit. E lidha kështu mendimin pasi vetë jeta është një teoremë matematikore, me zgjidhjet, dhe jo barazitë e saja. Mesuesja jeme ishte, një mesuese e aftë, me një za të veçantë, me një komunikim mjaft të goditun. Njihte mirë mua, temperamentin tem, familjen teme dhe, përbamjen e saj.. Kam një shprehje të nanës teme… me kenë se edhe ajo i përkiste fushës së mësimdhaniës , dhe mësimedukimit. Bij ! në shkollë nuk shkohet veq për 10- ta, shkohet edhe për 5-sa, mjafton t`i marrësh me forcat e tua.. Gjithmonë më ka mbetë në mëndje kjo thanie e saja. Shkollat tona të brezit tem kishin aktivitete të ndryshme, sportive dhe festive, kishte disiplinë, dhe ndër këto unë isha gjithmonë pjesëmarrëse, vete nga natyra jeme. Viti i ri ishte maja e aktiviteteve, gzime aq sa të varfën ishim na, shpirti t`u mbushte plot nga hareja e kangëve, recitimeve, pregatitjeve etj etj. Me një fjalë ishe në lëvizje emucionesh g’jatë gjithë asaj periudhe. Në muajin e vitit të ri shkollat gumëzhinin sepse ndahëshin edhe fletët e lavdërimit për nxanësit. Ishte ankth gjithmonë për mu. Mësuesja jeme e mirë më kuptonte shumë, dhe gjithmonë më mbante afër. Ne ishim ”fëmijtë e familjeve të prekuna, fëmijtë e diktaturës” Ajo dinte gjithçka, pasi CV- ja, e biografisë shkruhej për çdo kënd. Ashtë ajo shprehja e madhe “ Kur i afrohesh shumë dillit, andërrat e tua shkrihen” Dhe unë isha nji nga ato që ju shkrihëshin andërrat.
Ishte ditë e martë e javës, në nesre do t`u shpërndaheshin fletët e ftesave për “Mbramje Qëndrore” që bahëshin çdo vit, tek pallati i sportit sot e dikur Kisha e Madhe. Vinin udhëheqësit nga Tirana. Dihej kush shkonte në “Mbramje Qëndrore” fëmijtë e partisë, ato të biografisë së mirë. Jo ato më të aftit që gjithmonë kanë ardhë nga shtresa e të përsekutuemve.. Hymë në mësim, ishte dhjetor, koha ishte xham e bukur me dill, dhe mësuesja fillon të thotë… sot do shpërndajmë ftesat . Duhet të jeni të gëzuar etj, etj. Dhe fillon t`i shpërndajë. Unë e dijshe se ishin tipikë ato që shkojshin, se njeni kishte babën sekretar partie, tjetra kryetare lagje etj. Ishte koha e tillë. Koha e lulzume për ta, e mallkume për ne. U gzuen e u shënduen si gjithmonë të njajtit. Unë rrija si mica nën sofër, shifja e pëlsisja, druhesha, dhe gjithmonë rrugën nga shkolla për në shpi e baja me lot në sy nga padrejtësia e kohës. Mbaroj mësimi, ishte mbasdite, mësuesja më thërret e më thotë : Fini!! Mos ik … më prit . Po…. ju pëgjegja. Mua ankthi mu shtua edhe më shumë mëndojshe me vedi. Kushedi çfarë kam ba, pa ba asgja…..?? Ulëm poshtë sepse klasën e kishim në katin e dytë dhe prita mësuesen. Ajo priti sa ikën të gjithë nxanësit dhe me erdhi përbri, më vuni dorën mbi sup pa dalë tek dera e shkollës. Fini ! më thotë!!!! do të tham një sekret por do ta mbajsh ti dhe familja jote. “Mësuesja të ka pregatitë edhe ty një ftesë për “Mbramje Qëndrore” sepse ti e meriton e para, po ti e din nga çfarë shtrese je, ndaj nuk mund të flas ma shumë”. Por, por —- shton, ti vetëm do marrësh pjesë, jo dhurata, siq marrin të tjerët. Sa shumë u shëndova, me lot në sy të dya përqafoheshim njena me tjetrën. Ku kishte gzim ma të madh për mu, nuk di ta përshkruajshe, fluturojshe nga shendi për në shtëpi me fletën e palosun mirë, që e mbaja me dry në çantën teme të librave prej egeliti, bojë bezhe. Ah sa g`jatë mu duk rrugica nga shkolla për në shpi. Ishte dita ma e lumtun e jetës teme. U shëndue e gjithë famijla. Hera e parë në familjen teme që dikush vlerësohej m`sheftas nga që mesuesja trime, më kish dhanë vëmendjen e çmuar. Zemra e saj dhe unë ishim pranë, dhe një.. Fillova të mendojshe çfarë do veshje?? Isha e vogël, por kujtesën e kam ruajtë të madhe. Mbramja ishte ditën e shtunde Kisha babën e nanës gjallë, babagjysh e thirrshim, ndërsa babën e babës e thirrshim Apë . Më thotë nana, po shkojmë tek babagjysh, sepse em gjysh nga një tregtar zotni me toka e pasuni, i shkreti kishte kalue në atë kohë, një mbledhës hekurishtesh, e delte në (Fushë) ishte tregu atëherë kush e njifte Shkodrën e dinte, e i shiste për bukën e gojës, për të mbajtë familjen. Shkojmë te babagjysh, ai më sheh të shëndueme e më pyet çfarë ke kështu ?? I diftoj, njishtu e njishtu. E ai me kapi hopa, e më tha — lumi babagjysh për ty. Gjyshin tem se kishte plakë koha, por mendimet dhe vështëresitë që i solli rregjimi. I tham : gjysh a ke ndonjë gja të bukur me veshë unë ?? Ai ishte një zemermadh i papërshkrueshëm, ishte gjymert i pakrahasueshëm. Dhe çfarë ban, shkoj mbrapa shtëpisë së tij, dje dhe sot Zona Industriale e Shkodrës, që sot edhe në atë tokë që ja xunën qysh në atë rregjim janë ba fabrika kantjere, duke i gzue të pamunduemit, edhe në ditët e sotme. Me pruni një tepsi me kepucë, dhe mi hodhi në barin e oborrit. Më thotë : Shifi çfarë të bajnë, e nëse të pëlqejnë, merri te tana . Mua nga të gjitha ato, më pëlqyen një palë këpucë të kuqe gjak . O zot sa të bukra ishin!!!!! por si e pa fat që isha, qëlluan të dya të një kambe. Kurrë se harroj… Sa u mundua babagjysh me ma gjetë tjetrën, e nuk e gjeti kurrë. Eshtë një episod i kujtimeve të mia. Më mbetën në shpirt e mëndje ato këpucë të kuqe lustrafin i rrudhun. Ashtu siq më pëlqenin mue. U dëshpërova atë ditë, por arrita të rikuperoja një palë tjera për mbramjen.. Erdhi dita e ora, nana me veshi e më zbukuroj si asnjëherë me mundësitë që kishim. U nisëm nga shpia tek pallati i sportit, me emocione të mëdha, dridhësha nga ndjenjat. Me brishtësinë e një fëmije, e baba e nana që me shifshin e me ngacmonin tanë rrugës, sidomos baba i cili ishte shakaxhi i madh. Sheshi ishte mbushë me flamuj, pankarta, fytyra e xhaxhit nëpër duar të njerëzve sa i madhi gazep, u dukte sikur po të hante kur ju afroje. O zot., ishte shumë kallabllëk përjashta, tanë në pritje për të hy mbrënda. Filloj futja, dhe unë u përziva me turmën. Dikush më njihte dhe më shikjonin me habi??? Me mendjën teme çfarë kam? por isha e vetdishme. Edhe fëmijtë në atë kohë ishin të indokrinuar në pjesmarrjen e çeshjëve të partisë. Pra e dijsha që unë nuk isha e dëshiruemja e asaj mbramje..Filloj festa , brohoritjet, gzime, kangë, festë e madhe. Parti Enver jemi gati kurdoherë. Një gja që më mbeti në mendje nga mënyra tepër habitore e jemja se nuk kisha pa kurrë një gja të tillë, është se nuk kujtoj kush udhëheqës ishte atë ditë aty për të dhanë dhuratat. Edhe sikur ta kujtoj, nuk më ban zemra t`ja tham emnin, kishin tanë emna të shpifun siq ishin vetë. M`fal o zot. Ishte një burrë i trashë mesatar, me një dhamb ari në qoshe, që kur qeshte, hapte gojën vesh më vesh, me kasketë në kry si ata të njësiteve guerrile, ngjyrë gri.. U përmendën emna, mbiemna nxanës që merrnin dhurata. Gjithë madhështi dhurata kineze “precioze” për popullin tonë vëlla me ta. Shoku Mao Ce Dun në pankarta si kry thiu, në festë. Rrija e vështroja me sy të tremun, tanë zili, ah sikur të thirrej edhe emni jem. Fëmija ka shpirtin e lumtunisë e zemrën peshë. Jo nuk mu thirr emni, as mu dha dhuratë, e dija mirë këtë gja. Por ishte dita që mua mësuesja jeme më bani shumë të lumtun. S`kishte përshkrim ma të bukur e plot dëshirë ta kallxoja në shpi në darkë, duke aktruar me kambë e duar tuj e diftu. Ishte një natë e një andërre teme pa ngjyrë. Fjeta me shumë emucione, tuj folë me vedi, mu dukte vetja shumë e vlersume që shkova në atë mbramje edhe pse mësuesja e dinte që ndoshta unë meritojshe shumë e më shumë. Ajo mësuese ishte lidhja jeme shpirtnore që mbeti për jetë, kujtesa, mirnjohja e respekti jem për të…………….Kaluan ditë, dimën, natyrë e bukur por e ftohtë, babagjysh u mërzit shumë që nuk më bani të lumtun për këpucte e kuqe, por për vit të ri më solli një palë këpucë të zeza lustrafini peshqesh, të sheshta, me togza argjenti në qoshe . Oh sa të bukra….që më rrinin ngushtë në kambë, por më pëlqenin aq shumë sa dhimbja e shikat në themër i harrojshe nga lezeti që kisha për t`i mbathë. Sikur shisja mënd me okë, dhe mi shikjojshin të gjithë kur delsha në pjacë .E si mund të rrënohet shpirti i një fëmije ??? vetëm në kohën e mallkume e provuam na. Trofetë e dashunisë së një fëmije si na, ishin të lotshme. Por mua këto shkrime me përgëzojnë. Erdhi janari, dhe babagjysh u ligshtue shumë, vuante nga zemra sepse ishte shumë i ndjeshëm, dhe koha e hallet e kishin idhnue së tepërmi. Një ditë prej ditësh shtrohet për të disatën herë në spital, nana thoshte 13 herë është shtru gjyshi në spital nga zemra..E kujtoj si njitesh dhe pse kanë kalue shumë vite, nana po ndejte teshat tona që kishte la, në telat e një rrugicë të ërrët që kishim koridor shtëpie që ishte e shtrumë vetëm me dhee. Ishte nade …… gërset dera, del baba! Ishte axha Kol, vellai i gjyshit, dhe vjen lajmi që babagjysh kishte mbyllë sytë përgjithmonë, sa i ri ishte me vdekë, e atij ju dukte vetja se kishte rrnu një shekull nga vujtjet. Ishte fund janari. Unë isha fëmija i madh, dhe vllau e motra ishin të vegjël. Vonë e morën vesht vdekjen e tij. Nana në atë ditë më mori me vedi për t`i thanë babagjyshit lamtumirë. Më veshi gryksën e zezë të shkollës, e kisha mëndafshi, por ma veshi pa koletën e bardhë, dhe këpucet e zeza që mi kishte dhurue bababgjysh. Isha në jazë ( zi ) për njeriun e dashtun. Sa u trishtova e kjava për gjyshin tem zemërbardhë. Lindi në një familje të madhe me emën në qytetin tonë, u rrit, u shkollue nepër shkollat e Europës . I devotë për vendin e tij u kthye, ndihmoj e punoj, hapi tregtinë e tij modeste. Krijoj e punoj shumë me djersën e ballit, dhe erdhen xhelatët e kuq të kohës ja plackitën të gjithën pasuninë që kishte vu me me mundë.. Ishte zotni. Ishte dikushi dhe iku njeri në varfni si kërkushi. Ai ishte një burrë me shumë mënd, kishte miq në gjithë botën dhe korrespondence kordiale me ta të vazhdueshme..Fliste shumë gjuhë të huaja, mbasi shetiste për tregtinë e tij në shumë vende të botës..Ishte i veçantë. Ishte babaxhan deri në madhështi. Dhe em vlla i vogël të cilin gjyshi e thërriste “gusha i gjyshit” se ishte I shëndoshë, e puthte gjithmone në gushë, e dinte që gjyshi mbedhte hekurishte dhe ky kur i gjente i kapte me duart e vogla e shkonte t`ja qonte gjyshit se e dinte se i duheshin për ti shitë, por që nuk e gjente gjyshin, nuk dinte që gjyshi s`ishte ma……..
Kaluen muaj, shkolla vazhdonte, kisha një ditë tjetër gzimi, kisha ditën e lindjes. Shoqet na vinin pak, nga frika, por nuk kisha gajle, sespe në derën teme atë ditë ashtu pa njoftue erdhi ajo që më donte shumë. Erdhi për urim mësuesja jeme e paharrueme.. Fluturova nga lumtunia, sepse mësuesja nuk i shkonte shumë kujt. Tek unë erdhi tinzash dhe mu lut ta mbaje të mfshehtë. Nana u gzue e respektoj shumë, e qerasi, dhe ajo me kish sjellë peshqesh një paketë llokume dhe një libër për moshën teme me mbishkrimin e dorës së saj ”Fini ti do jesh shembulli më i bukur i punës teme, mësueja të don shumë.”.E mbaj atë si një nga dhuratat ma të vyeme në biblotekën teme. U rrita, u shkollova, u martova, sot jam në një moshë relative por mësuesen nuk e harrova kurrë . Ajo jeton edhe sot. Pyes shumë për të, edhe ajo pyet për mu. I kam kushtue edhe një poezi. Ajo mbeti portreti superior i frymëzimit tem, ajo më mësoj jo vetëm librat, por më dhuroj edhe zemrën e saj, e unë nuk pushoj së thanuni, faleminders mësuesja jeme e parë.
Kështu të dashtun miq po e mbyll këtë rrëfim tani në orët e vona ku vështroj vjeshtën e trullosun, dhe mua që më pushtoj zjemi i dashnisë së pashuar, duke i ndez këto dy gaca të mirënjohjës që kisha për babagjyshin e mesuesën…….
Natën e mirë ……………..
 
Fini Traboini …. Vjeshtë Ora 1 e 43. Viti 2014.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s