Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

I KYÇ LLAMBAT E NOSTALGJISË

Gjithmonë për njeriun mjafton një fjalë
Siç mjafton për fluturën
Ajri i pastër i mëngjesit
Mbi krahët e mjegullave të purpurta
Rendin zogjtë e vendlindjes

Sa herë që trokas në ndërgjegje
Një mall i pashuar
Ngjan me gacën e kujtesës
I kyç llambat e nostalgjisë
Dhe tërë kohën më ulet në prehër

Që nga larg e ndjej aromën e fjalës
Ndjejë mallin që s’di të shuhet
Ai zjarr prej legjende
Që digjet në mua brez pas brezi
Një ditë do kacafytet me sfinksin e kujtesës.

 

KURSE SHIU ALEGORIKË

Që nga kjo largësi e paprekshme
U bëjë zë gjyshërve legjendë
Asnjë zë njeriu në hapësirë
Era përtypet si kau i këputur në parmendë

Nga pllajat si ortek bore
Zbresin rrapëllimat e drurëve
Zbresin zërat
E mbytura nga dhembjet

Një nënë e moshuar
Përqafon bronzin e djersitur
Zëri troket në ndërgjegjen njerëzore
Troket si i çmendur në portat e mbyllura

Nëpër oborre shihen njerëz të dyshimtë
Përmendoret dënesin në heshtje
Kurse shiu alegorikë
Troket nëpër ollukët e ndryshkura

 

E HERË NGA PALCA E TOKËS

Mes pemishteve të dendura
Rrjedhin lumenjtë 
Rrjedhin metaforat e fjalëve
Kjo alegori e dhembjes
Nuk paska se si të shërohet sivjet

I hapëm porta e mbyllura
Por lejlekët nuk na erdhën
Sivjet dimri
Nuk i ngjante asnjë dimri
Nga kallkanët pikonte vera e kuqe

Kurse lumenjtë nuk dinë të ndalen
Përbirohen nëpër gishtat e erës
Ngjajnë me urithin
Herë burojnë nga shkëmbi i stralltë
E herë nga palce e tokës.

 

ME FLOKËT E SHPRISHUR TË JONIT

Asnjë kambanë nuk dëgjohet
Në qytetin e dyzetë Shenjtorëve
Paskan vdekur edhe ullinjtë 
Peshqit e ngordhur nëpër tasa konservash
Luajnë një valle mortore
Me flokët e shprishur të Jonit

Në Porto Palermo mbrëmë Pashë një hije
Pashë se si bredhte
Mbi dallgët e shprishura të detit
Kjo heshtje tinëzare
Më duket se i zgjoi
Zërat e vdekur të kambanave

Asnjë njeri nëpër bregun e vrarë të detit
Nuk bënë kryq mbi varrin e vithisur
Qenkan fishkur edhe baladat
Kush këndoi mbrëmë aq trishtueshëm
Elegjinë e ikonës
E cila mbi dymijë vjet kacafytet me vdekjen

 

PARA LINDJES SË AGIMIT VARROSËM VDEKJEN

Ikën edhe kuajt e luftës
Flamuj e grisur nëpër rrugë
Ua verbojnë sytë e zogjve 
Luftëtarët i lëmë nëpër istikame
Para lindjes së agimit varrosëm vdekjen

Kocka të thyera nëpër hendeqe
Njerëz pa emër
Bredhin si zogjtë shpirt thyer
Fluturat po i mbledhin krahët
E djegura të ditës

Grat e frikësuara i shkulin flokët
Kardinalë me temjan
Përkundin dhembjen e luftës
Kuaj të gjunjëzuar deri në përbuzje
Bëjnë gjumin e fundit mbi xhadenë e vrarë

Ato të përdalat veç janë larguar
Me barrën e trishtimit
Po ikën edhe treni i fundit
Çfarë t’i bëjmë orës së vjetër
E cila s’është në gjendje të tregoj kohën.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s