Shiu në pishnajë – Gabriele D’Annunzio /   Përktheu: Islam Spahiu

Poezi nga Gabriele D’Annunzio
 
 
Shiu në pishnajë
 
Hesht. Në qosh
të pyllit nuk ndjej
fjalë që thuhen
njerëzore; por ndjej
fjalë më të reja
që pëshpërisin pikëla gjethesh
te largëta.
Dëgjo. Bie shi
nga retë e shpupurisura.
Bie ndër bruka
t’njelmëta e t’rreshkura
bie ndër pisha
luspake e të dëndura,
bie mbi mërsinat
hyjnore,
mbi gjineshtrat e shndritëshme
dëndur me lule
mbi dëllinjat shpeshtake
me rrushka erëmirë,
bie mbi fytyrat tona
prej pylli,
bie mbi duart tona
lakuriqe,
mbi veshjet tona
të holla,
mbi të bardhat mendime
që shpirti i çel
të reja,
mbi përrallën e bukur
që dje
të gënjeu, qe sot më gënjen,
o Hermiona.
 
***
 
E ndjen? Shiu rrokulliset
mbi gjethnajën
vetmitare
me një krakëllimë që zgjat
e loz në ajër
me degët e gjetheve
të rralla, më pak t’rralla.
Dëgjo. I gjegjet
dënesjes me këngën
e gjinkallave
që dënesja e erës së jugut
nuk e hesht
dhe as qielli i përhimtë.
Edhe pisha
ka nje tingull, e dëllinja
tjetër tingull, e gjineshtra
një tjetër akoma, instrumenta
të ndryshme
ndër gishta të pafund.
E të zhytur
gjendemi në shpirtin e pyllit,
drungjashëm prej jetës së tij;
dhe fytyra jote rrezëlluese
është njomur nga shiu,
si një gjethe,
e flokët e tu
bien aromë si
gjineshtrat rrezëlluese,
o krijesë tokësore
që emrin ke
Hermiona.
 
***
 
Dëgjo, dëgjo. Akordi
i gjinkallave lozanjare
pak nga pak
meket
humbet nën dënesjen
qe rritet;
por një këngë aty bashkohet
më e ngjirur
që nga poshtë ngrihet
nga e lagështa hije e skajshme.
Më e fshehtë, më e mekur,
zbutet, shuhet.
Vetëm një notë
ende dridhet, shuhet,
ritingëllon, dridhet, shuhet
Nuk ndjehet zëri i detit.
Sapo dëgjohet mbi degën e gjethtë
tek zhaurin
shiu i argjendtë
që piklon,
zhaurima që përhapet
ndër degët me gjethe
të shumta, më pak t’shumta.
Dëgjo.
Bija e ajrit
nuk bëzan; por bija
e pellgjeve atje tej,
bretkoca,
nën hijen më të dendur këndon,
kushedi ku, kushedi ku!
Dhe bie shi mbi qerpikët e tu
Hermiona.
 
***
 
Bie shi mbi qerpikët e tu të zinj
sa dukesh sikur qan
por nga kënaqësia; jo e bardhë
por thuajse e blertë,
ngjan të kesh dalë prej shkëlboze.
Dhe e gjith’ jeta jonë është fllad
dhe erëmirë,
zemra n’gjoks eshte si pjeshka
e pavjelur,
ndër qepalla sytë
janë si rrembe uji në lëndina,
dhëmbët në hojëzat
janë si bajame të pabëra.
E shëtisim nëpër driza
këtu bashkë, këtu veç
(dhe forza e barit t’egër
na bashkon thembrat
gjunjët na i ngatërron)
kushedi ku, kushedi ku!
Dhe bie shi mbi fytyrat tona
prej pylli
bie mbi duart tona
lakuriqe,
mbi veshjet tona
të holla,
mbi të bardhat mendime
që shpirti i çel
të reja,
mbi përrallën e bukur
që dje
më gënjeu, qe sot të gënjen,
o Hermiona.
 
 
Përktheu: Islam Spahiu
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s