Ftesë për diskutim:  JO VETËM DËSHIRË POR NEVOJË / Nga: Prof.dr. Resmi Osmani

 JO VETËM DËSHIRË POR NEVOJË         

-Ftesë për diskutim

 

Nga: Prof.dr. Resmi Osmani

Më 15 shtator, poetja Eltona Lakuriqi, përuroj librin e saj të ri me poezi ”Kaos Shpirtëror”.Isha I pranishëm në këtë përurim. Midis atyre që floën dhe vlerësuan punët e poetes, foli edhe poetja Flogerta Krypi, rezidente ne Gjermani, ajo ngriti disa shqetësime evidente në gjëndjen e zhvillimeve letrare mbarëshqiptare. Shumë nga problemet e ngritura prej saj, përkonin me mendimet e krijuesve te pranishëm dhe veçanërisht me të mijat. Në fjalën time, në substancë u paraqita të pranishmëve këto shqetësime, që nuk janë vetëm dëshirë e krijuesve por një nevojë në shërbim të letërsisë mbarëshqiptare.

1.Ministritë e Kulturës, nuk e kanë konsideruar letërsinë si pjesën organike e të pazëvendësueshme të kulturës kombëtare. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe Ministria e Kulturës në qeverinë Ramma 1. Zonja Kumbaro,u ngarkua sërish me detyrën e ministres së kësaj ministrie në qeverinë Rama2. Ajo si përkthyese, i përket fushës së letrave  dhe qëndrimi i saj pavlerësues është i pakuptueshëm, dhe përse është i tillë do ta spjegoj më poshtë.

  1. Shkrimtarëve u mungon organizata e tyre,”Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë”. Fiktivisht, ka një lidhje të tillë, thonë se kryetari i saj, e mban vulën në xhep. Nuk ka asnjë veprimtari.Në të vërtetë është inekzistente. Do thotë dikush: ç’hyn këtu ministria? Hyn dhe hyn shumë. Ajo,pasi ta marrë në analizë gjëndjen aktuale të letërsisë dhe krijuesve të saj,(besoj se e ka një drejtori që mund ta ndërmarrë këtë analizë) duhet të ndihmojë me ndërhyrje dhe masa organizative, që nëpërmjet një grupi nismëtar, të përbërë nga personalitete të kësaj fushe, Të thirret Asambleja dhe me rrugë demakratike të zgjidhen organet drejtuese dhe drejtuesit e tyre, të riorganizojë Lidhjen e Shkrimtarëve, në përshtatje me zhvillimet e reja, të ndihmojë në hartimin e statutit të saj, që ajo të ketë në përbërje seksione të veçanta dhe të funksionojë si një organizëm i përhershëm, veprues dhe i përgjegjshëm para antarësisë. Kjo temë kërkon një trajtim të veçantë, të cilën nuk ja premton kjo trajtesë.
  2. Shkrimtarët dhe artistët e arteve të aplikuara, nuk e kanë “shtëpinë” e tyre. E kishin, por një ministër që tashmë i është harruar emri, ua mori dhe e ktheu në ministri Kulture(antikulture). Artistët dramatikë dhe ata lirikë dhe të baletit, i kanë teatrot dhe klubet e tye ku mblidhen. Shkrimtarët, poetët, dramaturgët, kritikët, jo. Ata s’kanë ku të mblidhen, ku të diskutojnë dhe këmbejnë mendime. Janë të “pastrehë”! Ka arritur puna që edhe kur janë në Tiranë, nuk e njohin njëri-tjetrin, përveçse nga fb.dhe mediat elektronike.

Ministria e Kulturës, dhe qeveria, duhet tu japin “strehim” shkrimtarëve  dhe artistëve. Në një ngrehinë dinjitoze dhe me gjithë hapsirën e nevojshme.  Kjo është urgjente. Duhet kërkuar me insistim. Shteti, po të jetë vullnetmirë e ka këtë mundësi.

3.Është për të ardhur keq, por në Shqipërinë tonë, dhe jashtë saj në mërgatë, megjithë një numur të madh krijuesish, shumë prej të cilëve të njohur e me emër, nuk ka një lëvizje letrare të organizuar. Ka disa formacione lokale, në Korçë, Sarandë, Durrës por edhe në Mërgatë, Greqi, gjermani, Rumani Zvicër, Suedi etj. Shkrimtarëve dhe kijuesve të tjerë të fushës së letrave, u mungojnë organet përfaqësuese për botimet dhe pasqyrimet  e arritjeve dhe problemeve, rrahjes së mendimeve  diskutimit dhe evidentimit të risive. Gazeta private “Nacional” me gjithë punën e saj të lavdërueshme dhe revasta “Illz”, që ka publikuar  pesë numra, nuk i plotësojnë dot funksionet përfaqësuese. Në një farë mase(Ndryshe nga “Fjala e lirë”) ato jane shprehese te pikpamjeve te botuesve te tyre. Nisma e dëshirëmirit dhe guximtarit, z. Mark Simoni, me botimin e gazetës letrare “Muzgu” dhe ribotimin e “Dritës”, pas disa numrash u ndërpre për asye financiare.

Lidhja e re e shkrimtarëve duhet të ketë organet e saj, një gazetë të përjavshme, si dikur “Drita” dhe një revistë letrare të përmuajshme. Në ‘to  kurrsesi s’duhet të përziehet politika. Kjo duhet nënvizuar.

Gjithë sa u sipërtha, e ka një kosto financiare. Nga thesi i madh miliardësh i buxhetit, le të veçohet një pjesëz për letërsinë dhe ti shtohet Ministrisë  Kulturës.

4.Botimet dhe përcjellja e librit te lexuesi janë tjetër shqetësim që kërkon zgjidhje. Me sa thonë, në Tiranë operojnë rreth 100 shtëpi botuese! Ca prej tyre zotrojnë edhe shtypshkronjë. Në botime ka shpërpjestim midis librave të autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Disa autorë të huaj përkthehen deri në shterrim. Si për të sjellë një shembull: Nga Daniel Stil, janë dhjetra romane-limonadë të përkthyer.Thonë që kjo autore shkruan tre romane në vit! Në vend të kësaj praktike, përkthimet duhet të bëhen për figura te spikatura e me emër të letërsisë botrore, autorë me përzgjedhje, që i kanë qëndruar kohës, dhe jo spontane sipas parapëlqimeve të aksh apo filan përkthyesi. Shtëpitë botuese preferojnë autorët e huaj. Për ata vendës, është vendosur barrikada e pagesës, dhe një mosbesim i pa justifikuar sidomos për të rinjtë: paguaj nga xhepi që të botohet libri. Kjo praktikë ka bërë që të botojë çdo grafoman paralli. Kësaj i duhet dhënë fund. Si kudo në perëndim, shtëpia botuese duhet ta marrë përsipër riskun e botimit. Për këtë ajo duhet të pranojë ose jo për botim aksh libër, kur nuk ka vlera, t’ia kthejë autorit, kur e gjykon që ka vlera, ta botojë për llogari të saj, të lidhet kontrata, autorit t’i paguhet vlera, ti njihet e drejta e autorit, dhe shtëpia botuese t’a shpërndajë në treg. Kësisoj do t’I sillet shërbim letërsisë dhe autorëve. Tek e fundit, ata të refuzuarit disa herë dhe të patalentuarit, do të heqin dorë nga të shkruarit(ose të ngushellohen ne fb. dhe portalet elektronike ku lavdërojnë njëri-tjetrin) dhe do të merren me ndonjë punë më të dobishme. Si do të arrihet kjo? Me një ligj ose rregullore ministeriale për shtëpitë botuese, ku të përcaktohet që ato të jenë të pajisura me redaktorë e korrektorë letrarë të liçensuar,të kenë bordin e miratimit të botimeve(me votim) dhe ta kenë të ndaluar botimin e librave letrare me pagesë. Kush si plotëson këto kërkesa të mbyllet, siç u veprua me kioska-universitetet.

Autorëve, shtëpitë botuese ua lenë librin në derë. Merreni dhe bëni ç’të doni me të! S’ka shpërndarje përveç disa kopje që i dërgohen Bibliotekës Kombëtare. Është ky shkaku që autorët nuk guxojnë ta kapërcejnë tirazhin e 100 kopjeve. Shpien ca në librari, u shpërndajnë shokëve e miqve(falas) dhe kusuri në shtëpi! Një miku im, autor i 40 librave, më tha me trishtim se ato gjendeshin në një hangar, të mbuluara nga pluhuri. Libri i ri, nuk shpërndahet në bibliotekat e rretheve të tjerë. Një autor që boton ne Sarandë, nuk e gjen në bibliotekat e Fierit, Tropojës, Shkodrës, Elbasanit apo Lushnjes.  Sa për librarët e rretheve, e bëjnë tërheqjen në dy librari të shumicës në Tiranë. Ata tërheqin vetëm autorë të huaj, thonë se librat e autorëve  shqiptarë si blen njeri! E trishtueshme: shkrimtarë pa lexues!

Pasi të vihet rregull në botimet, drejtoria e librit në Ministri(besoj duhet të ketë një të tillë dhe po nuk qe, të ngrihet), duhet të blejë aq kopje sa të duhet për bibliotekat e rretheve apo qendrat e bashkive. Kjo do të ishte edhe nje ndihmese për autoret.

5.Në treg, çmimi i librave është i lartë, dhe sa vjen e shtrenjtohet. Nga praktika e botimeve te mija, me rezulton se ai eshte sa dy e trefishi i kostos! Kjo bëhet që edhe me shitje të pakta të arrihet fitimi. Autorët e caktojnë vetë çmimin, ne ngjashmëri dhe përafërsi me atë të shtëpive botuese për librin e huaj. Jemi para një paradoksi: ata që lexojnë dhe duan të blejnë libra, se kanë këtë luks se u mungojnë paratë. Ata që kanë para, nuk lexojnë(jo të gjithë) dhe nuk blejnë libra. Çëmimi është edhe njeri nga shkaqet që krijohen stoqe. Në përcaktimin e çmimit duhen vendosur kritere e të mos lihet ne dorë të botuesve. Kam vënë re, në panairin e librit të Tiranës, që vizitorët, i afrohen stendave, i marrin librat i sjellin nëpër duar, i hapin, kanë dëshirë ti kenë, pastaj kur shohin çmimin i ulin në vend dhe largohen të pezmatuar.

Po ta mendosh që libri artistik mezi shitet , duhet përjashtuar nga taksat dhe tatimet, ato janë barrë e tepërt për të.

Në panairet e librave, duhet të ketë një pavion falas(pa pagesë) për autorë, që nuk përfaqësohen nga shtëpi botuese, por si individë për t’u dhënë një mundësi edhe atyre që të dalin në tregun  librit.

6.Qoftë për librin artistik, apo atë tekniko-shkencor, mungon informacioni. Botohen sasi e madhe librash nga shtëpitë botuese: romane, novela, vëllime me tregime dhe me poezi, por ato nuk i bëhen të njohura lexuesit apo të interesuarve. Biblioteka Kombëtare, që i posedon gjithë botimet e reja me ISBN, duhet të publikojë buletine-katlogë , periodikë me titujt e botimeve dhe disa rreshta për përmbajtjen e tyre. Duhet të jetë një nga detyrat e saj funksionale. Televizionet, detyrimisht, duhet të kenë përditë një orë letrare, ku të paraqiten botimet dhe të ftohen autorët.

  1.    Aktualisht, jepen vlerësime dhe çmime për autorët dhe krijimtarinë letrare, nga organizma jo qeveritare: në panairet e librit, festivalet e poezisë, UET etj që shpesh janë shgënjyese e të diskutueshme. Le të jepen të tilla vlerësime, por ka ardhur koha, që të krijohet një  çmim letrar dinjitoz shtetëror, që çdo vit të akordohet nga Ministria e Kulturës, për krijime me vlera të spikatura. Do të propozoja çëmimin me emrin e poetit tonë kombëtar “Naim Frashëri”.

 

 *     *    * 

Komuniteti i krijuesve në letërsi, ka edhe plot problem të tjera, por edhe kaqë sa parashtrova për zgjidhje, nuk janë pak. Duhet menduar që ankesat dhe kërkesat, të mos mbeten si zë në shkretëtirë e të bien në vesh të shurdhër, prandaj  është e nevojshme të krijohen e ngrihen strukturat organizative, që tu imponojnë instancave vendimmarrëse futjen e këtyre problemeve në rrugën e zgjidhjes.

       Tiranë , më, 24.9.2017

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s