POETI ” RADIOAKTIV ” EDMOND SHALLVARI / Nga: Dedë Shkurti

POETI ” RADIOAKTIV ” EDMOND SHALLVARI

Nga: Dedë Shkurti

Është fat për moshën e re këtu në Face Book që i kanë hyrë me etje, pasion e vullnet për të shkruar poezi, po aq për disa poetë të ardhur nga socrealizmi, se kanë mundësi të takohen me një shkollë të mirëfilltë poetike të cilën unë po e quaj, ( në kokën time me ndjesë për moskonsultim ),

” Shallvaropoetika”.

Grupi i parë fiton përvojë krijimi, kulturë shkrimi, teknikën e gjetjes dhe përdorimit të fabulës, frenimin në rënien e moskthyeshme nga honet e mitologjive, maturinë dhe barazpeshën e figuracionit poetik, filtrin e retorikës boshe, prozaizmit, barbarizmave, zhargoneve dhe fjalëve të tjera jo poetike.

Grupi i dytë ballafaqon veten. Si ata boksierët amatorë që i kanë fituar gjithmonë që në raundin e dytë në palestrën e lagjes me manekinët dhe kur kanë dalë në ringun e vërtetë me profesionistët, janë gjendur jashtë litarëve brenda tridhjetë sekondave të para, ( këto cilësi kanë sot socrealistët poetë të pretenduar ).

Edmond Shallvari është aktualisht njëri nga poetët më të maturuar e më produktivë të Shqipërisë, është një ” motor” poetik me xhiro shumë të shpejta.

Ai plotëson idealisht trekëndëshin barabrinjës, kampion i qëndrueshmërisë në konstruksione: Edukim në stad të lartë arsimor e kulturor, Vullnet të hekurt dhe Talent të spikatur.

Duke lexuar në vazhdimësi Edmond Shallvarin, m’u kujtua nobelistja heroike polake, fizikantja bërthamore, Marija Sllodovskaja – Kyri, në Laboratorin e saj bërthamor e cila nga pasioni, ndonjëherë harronte ta vishte kostumin mbrojtës prej plumbi nga rrezatimi bërthamor. Ajo e zbuloi elementin radioaktiv, që për nder të saj e quajtën Polonium, por vdiq e re duke u bërë martirja unikale në botë e shkencës.

Poeti Edmond Shallvari e ka veshur ” kostumin ” e tij mbrojtës, nga rrethimi i pandjeshëm i mediokërve, i sahanlëpirësve të letërsisë, nga skrapi i poetekave dhe takimeve hipokrite letrare, nga mediat komerciale që të zhurmojnë për promocione të shpifura për të zhvatur ndonjë kacidhe.

I zhytur në Laboratorin e tij krijues, ky Pjer Kyry – poet, ka tjetër synim të nxjerrë nga dora dhe shpirti një poezi qytetare sa më të frymëzuar, të lexueshme e të kuptueshme për një rreth sa më të gjërë lexuesish të poezisë, nga ata të salloneve poetike e deri tek dëgjuesit e radios.

I përcaktuar të mos futem në ” arën” e askujt, megjithëse jo në kondicionin e duhur shëndetësor, po shpreh skematikisht pak inxhinieri poetike për poezinë dhe karakteristikat e poetit Edmond Shallvari:

 

Edmond Shallvari

Edmond Shallvari lëvron poezinë klasike. Në plot kuptimin e fjalës është murg i strofës, i metrikës dhe i rimës. Kur flasim për rimë nuk nënkuptojmë atë të ndërtuarën me paskajore foljesh dhe kur rima nuk arrihet ai fare natyrshën përdor asonancën.

Është njohës ekselent i mitologjisë dhe letërsisë klasike greke por asnjëherë nuk e kam parë të abuzojë me personazhet mitologjike. Ai nuk e përsërit vetveten, i njëjti personazh mitologjik i jep atij një dyzinë variantesh poetike me fabula të ndryshme. Mbi të gjitha ai nuk i përdor personazhet pa u dhënë më parë pasaportën shqiptare, ku jo çdo poet e arrin me sukses një gjë të tillë.

Shallvari, jo se nuk e zotëron, por ka bërë kujdes të mos eksperimentojë me të ashtujquajturën poezi bashkëkohore.

Nuk është zor që strofën ta copëtosh në tre plus një varg, që të ndërrosh e të abstragosh në një fjali të ndërtuar me kryefjalë e kallzues, që ta fillosh e ta mbarosh poezinë pa shenja pikësimi e me shkronjë të vogël, por ajo nuk është poezi.

Shallvari e ka lexuar Camajn, Zorbën, Reshpjen, edhe Primo Shllakun, por nuk mund ta shpërdorojë talentin që ia ka dhënë Zoti dhe vullneti i tij, për t’u bërë karikaturë e tyre siç po i ndjekim rëndom, kur djersijnë ta ekspozojnë e ta shesin mallin e tyre skarco.

Nuk do të jetë e largët dita kur Edmond Shallvari dhe poezia e tij do t’i imponohet ” malit që s’ bëzan” dhe të përfshihet si shkollë, në kurrikulat shkollore të mesme e universitare, në antologjitë zyrtare të poezisë shqipe, pse jo, të përfaqësojë vendin tonë në takime, panaire e simpoziume ndërkombëtare të poezisë.

Urimet më të mira dhe suksese, poeti Edmond Shallvari!

Sassuolo, 28 Shtator 2017

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s