Moskuptimi … ( Nga cikli “Honestera e këngës” ) – Vijon- / Nga: Timo Mërkuri

Moskuptimi …

Nga cikli “Honestera e këngës”

 

Nga: Timo Mërkuri

…vijon…

Duke u njohur me rezistencën shekullore antiturke të himarjotëve në luftën për liri dhe në mbrojtje të venomeve  të autonomisë si dhe duke u ballafaquar me mosbindjen civile të 1 shtatorit 1924, të prezantuar qysh në fillim të shkrimit tonë,   natyrshëm lind pyetja se, si shpje-gohet fakti që kjo krahinë ju kundërvu edhe shtetit shqiptar qysh në dekadën e parë të formimit të tij, ndërsa deklaronte pranimin e autoritetit të këtij shteti mbi krahinën?

Po ta shohësh problemin në sipërfaqe, pyetja duket e shtruar drejt dhe gabimi qëndron te Himara. Madje duket i drejtë ligjërisht edhe argumentimi zyrtar shtetëror i cituar se… me njohjen e venomeve cënohet pavarësia e shtetit shqiptar…

9.a-Mendimi që Himara të  ketë kërkuar apo synuar cënimin e sovranitetit të shtetit shqiptar, është më së paku,  produkt i një intelekti defiçitar. Këtë deficit mundohen ta kompesojnë me deklarime patriotike. Por deklarimet patriotike nuk janë asnjëherë argument historike në një debat dhe aqë më tepër kur bëhet fjalë për Himarën. Historia e saj plot kryengritje e luftëra liridashëse dëshmon për një ndjenjë patriotizmi të pastër, si floriri, në të cilën nuk ngjit balta e shpifjeve.

Jo vetëm në luftërat antiturke.

Pjesmarja e himarjotëve në formacionet partizane ishte massive, dëshmorët himarjotë të rënë në këtë luftë ishin një “armatë”, në krye të të cilëve spikasnin  dhjetra “Heronj të popullit”. Asnjë fshat nuk bashkpunoi me okupatorin. Jo vetëm kaqë, por  në verën e vitit 1944, me ndihmën e flotës aleate hidhen në Brindizi të Italisë 21 djem himarjotë, të cilët marin pjesë në luftën për çlirimin e Riminit. Këta u quajtën “Riminasit”.

Jo vetëm kaq, por ishte Himara që e nisi luftën kundër komunizmit qysh në 2 Dhjetor 1945, duke bojkotuar zgjedhjet e organizuara nga Partia Komuniste.

Atëherë ku qëndron problem i moskuptimit mes Himarës dhe Shtetit Shqiptar?

9.b-Qysh në fillim duhet të theksojmë se ky moskuptim qëndronte mes himarjotëve dhe shtetarë-ve shqiptarë. Shtetarët shqiptarë vinin  nga administrata turke dhe ishin produkt i një shteti të centralizuar. Vizioni i tyre nuk shkonte më larg se kufijtë e një shteti të drejtuar me “dorë të fortë”.

Himarjotët , përkundrazi, duke jetuar në një krahinë “autonome” në breg të detit, ishin lidhur me Venedikun dhe e ndjenin veten pjesë e Europës. Djemtë e Himarës jo vetëm shkolloheshin në Venedik, por edhe shërbenin në ushtrinë venedikase ku ngjisnin shkallët e karierës ushtarake. Numërohen mbi 80 kolonelë dhe gjeneralë himarjotë në këtë ushtri, pa përmëndur këtu graduantët në ushtrinë ruse apo franceze. Kështu pra, vizioni i tyre ishte tejet europian për tu kuptuar nga shtetarët shqiptarë.

9.c-Le të shohim marveshjen e 2 Qershorit 1921 mes Himarës dhe Qeverisë Shqiptare, marve-

shje e keqkuptuar dhe keqinterpretuar nga historianët dhe politikanët shqiptarë. Në këtë marveshje nuk goditet dhe as cënohet pavarësia e shtetit shqiptar, sepse juridiksionin e shtetit shqiptar Himara e njohu dhe e pranoi qysh në mbledhjen e 14 Mars 1913 të mbajtur në Vuno.

Pikat e marveshjes së 2 Qershorit 1921 synojnë në ruajtje të venomeve të autonomisë. Venomet, në vetvete, ishin ligje që garantonin  lehtësirat fiskale të krahinës dhe  autonomia ishte një lloj pavarësie nga pushteti qëndror. Pra Himara, nga shteti shqiptar kërkonte lehtësira fiskale dhe ligje që i garantonin, ato dhe jetën e banorëve të Himarës.  E shprehur në termilogjinë moderne kjo do të thotë se Himara kërkonte që “ajo të ishte zonë e lirë ekonomike”.

Shtetarët shqiptarë këtë e konsideruan cënim të pavarësisë, për arsyen e thjeshtë se nuk e kuptonin se ç’farë kërkonte në fakt Himara.

Po të analizosh  marveshjen e 2 Qershorit 1921 dhe ta krahasosh përmbajtjen e saj me fermanin e sulltan Bajazitit të II të lëshuar në 1492, dallon disa specifikime tepër interesante. Ndërsa në fermanin sulltanor, himarjotët kishin të drejtën e futjes dhe eksportimit të mallrave pa doganë, te marveshja e 2 Qershorit 1921 himarjotët nuk e kishin kërkuar këtë lehtësi fiskale, duke ja lënë shtetit monopolin doganor. Kjo ishte edhe indirekt pranimi i juridiksionit shtetëror mbi territorin himarjot. Ndërsa në fermanin sulltanor himarjotët kishin të drejtën të shkonin në luftë me flamurin e tyre, nën drejtimin e kapedanëve të tyre etj.etj, te marveshja e qershorit himarjotët do kryenin shërbimin ushtarak në ushtrinë shqiptare, sipas regullave të shtetit shqiptar dhe …në kohë lufte do të merren parasysh rregullat e përgjithëshme të shtetit pa ndonjë eksepsion.

Shtetarët shqiptarë kishin iluzionin se me këto lehtësira, himarjotët do kryenin shkëputje teritoriale nga shteti shqiptar. Ata haruan se kufijtë e shteteve nuk vendoseshin as në Tiranë dhe ca më pak në Himarë… Ata nuk e kuptuan që flamuri himarjot me shqiponjë dhe kryq, nuk e kishte marë kryqin nga Greqia. Kryqi në flamurin himarjot datonte nga koha e Kostandinit të Madh.

9.ç-Shtetarët shqiptarë nuk e kuptonin se një krahinë me venome, “zonë e lirë ekonomike” ishte porta e progresit të   shtetit dhe jo e kundërta. Është e vërtetë që në këtë kohë përvojat europiane dhe botërore të “zonave të lira ekonomike” nuk ishin propoganduar dhe përhapur. Madje edhe vetë himarjotët nuk e shihnin problemin në konteksin teoriko-ekonomik dhe nuk e argumentonin shkencërisht, por e bazonin te e drejta zakonore, lufta antiturke për liri etj. etj, këndvështrime këto që të kufizojnë horizontin e shikimit, në vend që të ta zgjerojnë. Kjo ishte përvoja teorike që afronte edhe europa.

Por egzistonte një fakt i dukshëm. Në Himarë niveli i jetesës ishte shumë i lartë, po ta kra-hasojmë me krahinat e tjera të vendit. Shtëpitë ishin dy-tri katëshe, rrugët e fshatrave të shtruara me kalldrëm, në veshjen e popullit kishte hyrë copa kadife e Venedikut, qysh në vitin 1629 në Dhërmi ishte hapur shkollë për djem e vajza. Egzistonte një praktikë popullore fiskale për tatimin e të ardhurave që u vinin banorëve nga pjestarët e familjeve që punonin në kurbet, të ardhura nga tatimet që përdoreshin për nevoja komunitare dhe familjet në nevojë. Himara përdorte si monedhë floririn kur shiste prodhimet e saj në Europë dhe ishte një burim i sigurtë valute për shtetin. Petro Marko ka shkruar se në familjen e tij floriri numërohej me…qypa dhe jo me copë apo kg. Klima e Himarës është nga më të pëlqyeshmet në Europë dhe bregdeti i saj është një parajsë.

Kjo parajsë kishte nevojë për një politikë të lirë fiskale që të thitheshin  investimet e   huaja.

Himarjotët e kishin realizuar në praktikë atë që kërkonin, ishte detyra e shtetit që të ligjëronte burimin dhe rrjedhën e kësaj praktike, duke e vënë në shërbimin e gjithë vendit këtë minierë pasurie.

Por shtetarët shqiptarë nuk shihnin ndryshe, veçse nëpërmjet … thepit të  dyfekut.

9.d-Ky ishte shkaku i vërtetë i përplasjes së grave himarjote me xhandarmërinë e qeverisë shqiptare në 1 shtator 1924. Honestera e këngës himarjote ishte mbushur plot me luftëra, gjak heronjsh e ligjërime nënash. Çdo ngjarje e mëvonëshme i ngjante një pike uji që bie mbi një gotë të mbushur plot, e cila prodhon një rrjedhje uji nga buzët e gotës, i ngjante një lëvizjeje sizmike që ngrinte dallgë në rezervën ujore të honesterës e provokonte rrjedhje burimi. Domosdo në këngë.

Prandaj themi që kënga himarjote ka një biografi paralindëse. Madje edhe pasvekëse, si kjo këngë.

10-Rezistenca himarjote në mbrojtje të venomeve të autonomisë vijoi edhe më tejë.

Në vitin 1925 në Himarë del në skenën politike Jeorji Bollano, i cili në vitin 1926 zgjidhet kryetar i Kryepleqësisë së Himarës, organi që drejton autonominë e krahinës.

Aksioni i parë politik shënohet kundërshtimi për ndryshimin e emrave të fshatrave të krahinës, aksion për të cilin edhe arestohet, por lirohet shpejt.

Në vitin 1932, duke përfituar nga fakti i prishjes së venomeve me vendimin e 19 prillit 1923, qeveria u orvat edhe njëherë për vjeljen e taksave në krahinën e Himarës… Kohë më të papërshtatëshme nuk mund të gjente, pasi në periudhëqn 1929- 1933 prodhimi ishte në nivelet më minimale dhe të ardhurat ishin në kufirin e varfërisë. Kryepleqësia e Himarës vendos të dërgojë  një përfaqsi në Tiranë, për një takim me Mbretin Zog. Përfaqsia e kryesuar nga Jorgji Bollano dhe me përbërje edhe të Dhimitër Lekës nga Qeparoi etj. niset drejt Tiranës nga rruga e Sarandës, për të shmangur përplasjen me xhandarmërinë në Vlorë. Ndërsa përfaqsia udhëtonte për në Tiranë, nënprefekti i Himarës, z. Qiqino mbledh kryepleqtë e fshatrave dhe u kërkon të firmosnin  (Urdhërin e Mbretit)  për heqjen e gjithë privilegjeve. Kryepleqtë, me qëllim që të fitonin kohë, deklarojnë moskopetencën e tyre për një akt të tillë. Nënprefekti urdhëron arestimin e disa prej kryepleqve.

Në këtë kohë, përfaqsia himarjote në Tiranë realizon takimin me Mbretin Zog, të cilit i parashtron gjëndjen e vështirë ekonomike të krahinës  dhe pamundësinë për pagimin e taksave, duke kërkuar rinjohjen e venomeve. Ahmet Zogu përgjigjet me diplomaci, duke theksuar se fajin për gjithë sa ka ndodhur në  krahinën e Himarës e kanë organet lokale.

Me këtë takim mori fund edhe orvatja e qeverisë shqiptare për të mbledhur taksat në Himarë.

910.a-Në vitin 1939 Shqipëria pushtohet nga Italia  Në tetor 1940 fillon lufta Italo-Greke me sulmin e ushtrisë italiane, në përbërje të të cilës ishin edhe disa batalione me rekrutë shqiptarë. Kundërsulmi grek mbrin në Himarë më 22 dhjetor 1940.

Sulmi gjerman dhe klasifikimi i zonës së Himarës si një nga shtatë pikat me rëndësi të veprimatrisë së tyre në Shqipëri, krijonte  mundësinë që Himara të kthehej në një teatër luftimesh. Në këto kushte, Kryepleqësia  në një mbledhje në mes të vitit 1943 rishpall Autonominë e Krahinës me kryetar Jeorji Bollano, nënkryetar Milo Mërkuri dhe Jerasimo Dunin … Kur në 1 Gusht 1943 u themelua “Çeta e Bregut”, autoritetet vendore shkrinë çetat e mbrojtjes lokale, të komanduara nga Kryepleqësia dhe i drejtuan ndihmat e tyre në favor të lëvizjes Nac.Çl.

10.b- Në fillim të dhejtorit 1943 Jeorji Bollano organizon një mbledhje të Kryepleqësisë të Himarës në Spile, ku ndër të tjera thekson:…Nga sa jam informuar, shumë prej nesh jemi kërcënuar me vrasje në rast se nuk heqim dorë nga vetqeverisja…Ne do ti ndihmojmë djemtë tanë që kanë dalur partizanë,…por me gjithë kërcënimet për vrasje që më janë bërë, unë nuk do largohem  nga Himara…(P.Bollano: Jeorji Bollano…fq 38).

Në mbrëmjen e 24 Janarit 1944 Jeorji Bollano vritet me snaiper në pragun e shtëpisë së tij në Himarë.

Me vrasjen e tij mer fund edhe rezistenca e organizuar himarjote në mbrojtje të venomeve të autonomisë.

Por nuk merr fund kënga himarjote për ato.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s