Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Zjarr zemre

Me gur godas dritën e rrugës.
S’e dua më, në djall të shkojë .
Dua një dush nga rreze e hënës,
Nga gjum i dimrit të më zgjoj.

E mbyllur do t’i mbaj kujtimet
Se dhimbje vetes s’do t’i shtoj!
Ti botën mbylle brenda syve.
Në sytë e tua ta kërkoj.

Se sytë e tua i kam si qiell,
Liri kur dua, aty humbas.
Ndaj sonte portën mbylle, mbylle!
Kushdo, sido që të trokas’.

Zjarrin që kam në zemrën time,
Ta mbaj këtu, ta ndaj me ty.
E errta rrugë pas portës sime,
Të mos na ndajë kurrë ne të dy.

Seç po lodron në mur një flakë.
(E ndezi zjarri, zemra jonë.)
Ca ujq të çmendur në oxhak,
Duan të shuajnë ëndrrën tonë.

Dhe flakët nëpër mur lëpihen
E ngjiten lart nëpër oxhak.
Të çmendur ujqit seç përpihen…
Në xham trokasin dy trumcakë.

Ky zjarr që kam në zemër vlon.
Do t’doja shumë ta ndaj’ me ty.
E errta rrugë pas portës sonë,
Të mos na ndajë kurrë ne të dy.

 

E çfarë u bë…?

Kur këngë i dehur nis këndoj,
Në mendje vetëm ty të ndesh.
Po karafila më s’dërgoj
E lumtur qofsh, kudo të jesh!

Të më kujtosh, nuk të kërkoj,
Dhe as kërkoj të ndjesh për mua,
Se vjen një çast, në mos gaboj,
Tek njeri tjetri s’kemi më hua.

E çfarë u bë, nëse u ndamë,
Secili shkoi në rrugë të tij.
Ç’më pate dhënë, e lashë mënjanë,
Një flakë të shuar përmbi thëngjinj.

E çfarë u bë, nëse u ndamë,
Shpirti na mbeti njëlloj i ri.
Çfarë patëm thënë mënjanë e lamë
Dhe flakë të re ndezëm tani.

 

Gurët

Ikën djem, u kthyen pleq,
I kish lodhur udhë e gjatë
Sapo mbërritën te përroi,
U bën gurë e mbenë në paqë.

Vite shkuan, atje mbenë
Udhëtarë, a i shikoni?
Tok me ta pini kafenë
E me lule i mbuloni.

Duan fikun dhe ullinë,
Të mos mbeten në vetmi.
Dhe dikë t’u ndez qirinë,
Të dëgjojnë një potpuri.

Papo ujë që zbret nga përroi,
I përkëdhel, i mban të bardhë.
Sa herë urën e kaloj,
Them me vete: Ja, kanë ardhë.

 

Nga ata jam

Nga ata jam, që dinë shumë dhe i mbajnë kyçur.
Nyje u janë bërë në grykë: dhimbje, helm dhe lot.
Veç kujtesën n’detin e mendimit s’e kam mbytur.
Edhe pse shtiren sikur parajsë kanë kapur në këtë botë.

Nga ata jam, që në jetë pësuan dhjetëra humbje,
Edhe nga humbjet pas s’u kthyen, s’u përkulën dot.
Në këmbë mbetën dhe kurrë s’ranë në përgjumje,
E në kujtonin ferrin, ndjeheshin keq, u vinte ndot.

Nga ata jam, e dija ç’fshihej skutash brenda meje.
E prapë, në çdo rrethanë, me helm s’më doli fjalë.
Por kurr s’mësova ç’ishte fshehur brenda teje:
Një akullnajë, vallë, shkretëtirë pa fund, apo një mall!?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s