Proza poetike nga Adem Zaplluzha / Shkëputur nga libri me prozë poetike”Fluturimet e korbave në netët pa hënë”

Proza poetike nga Adem Zaplluzha

 

GJËMA

Ecim. Ecën edhe udha, lisat, një parandjenjë zgjatët para meje si tërkuzë samari. Freskia buron nga pikat e shiut dhe derdhet me shtamba në fletoren time të punës.
M’i shlyen të gjitha kujtimet e mira dhe ato jo të mira.
Nuk dua të them kujtimet e këqija, asgjë e keqe nuk ka ndodhur me taketuken. Atë ditë e thyen evgjitët kur u dehën lumenjtë. I thyen edhe yjtë e kristaltë e lëre më taketuket
Uji i turbullt doli nga shtrati, dolën edhe gjësendet e tjera. Një palë sandale kishin ikur nga këmbët e dikujt dhe rrinin nën qemerët e urës së thyer.
Manaferra për çudi të gjithëve çeli një lule me dy ngjyra. Njëra ngjyrë thua se doli nga kërthiza e dheut kurse ajo tjetra, mbiu nga kujtesa e barit.
Askush nuk ka fuqi të kuptoj qeshjen e luadhit as luadhi qeshjen e lëndinës, një bretkosë thua se doli nga balada dhe hyri në vargjet e mia, më kapi për dore, më qoi deri te burimi i lotit dhe më ktheu , po në atë anë nga i cili fillojnë të ecin lulet.
Ky tregim që nuk ka të ndalur sërish ka nisur të ec. Lëviz ngadalë, si kali i luftës kur e shijon etjen e fitores, në krifa të gjata fillon nisma e ekzistencës. Fillon ngritja dhe zbritja nga shkallët e imagjinatës .
Fundi nuk i ekziston. Vetëm lëvizjet e njëtrajtshme kridhen nëpër hapësirën boshe të memories.
Fillim, pastaj vjen fundi, pas një fundi fillimi i ri, kjo vazhdimësi nuk ka të ndalur në trekëndëshin me katete të thyera.
Nëse takohemi me fantazma kockash duhet ta bluajmë ajrin e ndotur.
Të mos jemi kokëfortë, t’i pyesim kuajt a janë të etur apo jo, etja dhe uria kanë hyrë në ëndrrën e natës dhe vajtojnë me gratë vajtimtare.
Kjo çezme i paska disa lloje arnash në trupin e plagosur, nuk e shëruan as lotët e ushtarëve, askund nuk u gjend shërimi, kjo sëmundje e panjohur, hyri nëpër dyert e vogla, dhe u përhap si murtaja e zezë.
U lodhën njerëzit, ushtarëve nuk u mbeti asnjë copë peksimeti , filluan ti gjuajnë trastat me letrat e dashurisë që i ruanin prej një beteje në tjetrën betejë .
Çizmet nuk hynin në luftë nëse nuk shkëlqenin sa me i kreh flokët ushtari i plagosur.
Kuajt disi hynë në grevë urie, nuk hanin asgjë përpos që i përtypnin dizgjinët, kur uria mbërrini kulmin e saj filluan të kullosin në lëndinën e lotëve.
Pastaj njerëzit ikën, pas tyre edhe kuajt. Iku çdo gjë që mund të ikte.
Fatkeqësia e komunikacionit dhe sandalet e kuqe mbetën në asfalt. Çuditërisht asfalti nuk iku, ai mbeti aty tok me sandalet e një fëmije që qante si era
Ishte dita e tretë e vjeshtës. Erdhën hajdutët, dhe i vodhën kaiket. Një dorë si të ishte hija e zezë i mbuloi hijet e anijeve, mbuloi pamjen e diellit mbi mol…
Nga gjëma e trishtuar e Drinit të Bardhë u çmendën korbat, një kërrabë shikonte dallgët me një përmallim të pa përshkruar, shikonte dhe akoma shikon ujin që i zhduket bukuria e ekzistencës, bretkosat më nuk kënduan, mëngjesin e lidhën me zinxhir kur provoi me ik përtej maleve.
E lidhën me një spango të dhirtë grykën e Drinit të Bardhë të mos gjëmoi më, i lidhën dhe flluskat e ujit që na shikonin me një lakmi të cilën vetëm uji mund ta posedojë.

 

VEZËT

Kur zbehen imazhet e dyshimta, dëgjohet uturimë në shqisat e të nuhaturit. Krrokëritjet e korbave nuk kanë të ndalur.
Në imagjinatën e stinës zogjtë e plagosur i lajnë sqepat, dyluftimi ishte i gjatë me furtunën, më i gjatë se sa që menduam ne.
Hymë dhe mbetëm në lojë. Daullja nuk ka të pushuar. I afrohemi barnatores, blejmë dërrasa për ndërtimin e çatisë së rrënuar nga era dhe dënesim , dënes edhe lumi, era i fshinë lotët e lisit qajnë edhe drurët
Pastaj ecim vertikalisht,na ka mësuar rrapi të mos përkulemi se në të kundërtën na thyhet kurrizi.
Kur na prekin në sedër blejmë sulfate me ngjyrë sulfuri. Dhembja e kokës vazhdon si zakonisht. Treni i ditës sot nuk erdhi. Kishin ndryshuar itineraret e fluturimeve, asnjë zog nuk u ndalë në çatinë e thyer të memories.
Dikush në perëndim e kishte ndalë fishkëllimën, dhe i kishte pështy binarët, ato ikën në disa drejtime. Herë kah Veriu e Jugu e herë askurrkund.
Ndalen, vëzhgojnë rrotat se si shtrembërohen kur ngrohet hekuri i ndryshkur, befasisht fillon të shkrihet metali i murrmë, mbushen shtambat me gjëmën e tokës, mbushen përroskat e zbrazura me lotin e shiut.
Treni nuk ndalet në stacion. As që kaloi këndej , qe njëqind vjet s’e kemi dëgjuar fishkëllimën e shelgjeve në këto anë.
Këndej kalojnë vetëm qeret me buaj të bardhë ose lopë të zeza, nëse nuk janë të bardhë ose të zeza na i ngjyrosim me spektrin e ngjyrave të ylberit.
Nuk na pëlqen të jenë ndryshe,ne jemi pak të çuditshëm , ngjyrosim edhe barin, na pengojnë vetëtimat kure kanë ngjyrën e përflakur, atë ngrohje të zjarrit qiellore.
Jemi mësuar me ato dy ngjyra, që nga lashtësia na ka mbetur t’i ngjyrosim vezët, ato të bardhe me ngjyrë të zezë dhe ato verdha me ngjyrë të bardhë.

 

Shkëputur nga  libri me prozë poetike”Fluturimet e korbave në netët pa hënë”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s