Kujtim Mateli, si pasqyrim i trazimit shpirtëror mes të shkuarës dhe modernitetit kohë sot / Nga: Agron Shele

Kujtim Mateli, si pasqyrim i trazimit shpirtëror mes të shkuarës  dhe modernitetit kohë sot

“Qetësojmë shpirtin e trazuar” është vëllimi poetik i autorit Kujtim Mateli, i cili më së shumti në aurolën e kulturës shqiptare është shfaqur si studiues i Dodonës pellazgjike, por dhe si autor i shumë shkrimeve analitike letrare, njohje dhe dije kjo që e ngre figurën e tij në një nivel më të lartë dhe e paraqet si një personalitet të plotformuar e me peshë si në historigrafinë e lashtësisë shqiptare po ashtu dhe atë të gjuhës së shkrimeve. Në këtë kontekst nuk mund të lësh pa përmendur përkushtimin e madh të këtij studiuesi rreth asaj kohe të mjegulluar, e cila zë fill në vetë shtëpinë e kryeperëndisë, sikurse është Dodana, e cila vazhdon të mahnitë me magjepsjen e saj edhe sot, si një foltore dhe tempull që shndrin të tërë diejt e rrënjëve tona pellazgjike, por dhe vazhdimësinë e rrjedhës së historisë ndër shekuj, të asaj treve buzë lumit Vjosë, që fsheh ende mistere të mëdha dhe ka shumë për të thënë dhe në të ardhmen. Fokusi i këtij vështrimi estetik është vëllimi poetik, por duke parë stilin dhe strukturën e sjellur ndeshemi me atë formë gati elegjike, si dhe ato kuptime që të çojnë shumë më larg, tek zanafilla e gjithë gjuhës tonë hyjnore, për të vazhduar më pas me dashurinë e madhe për vendlindjen, pse jo krenarinë e të qenurit nga i njëjti vend me Rilindasit tanë të mëdhenj dhe Poetin Kombëtar Naim Frashëri, e për të vazhduar më pas me ideimet moderne poetike dhe kuptimet e thella të simbolikës fjalë. Ndërthurja e tre elemntëve bazë, epikës me traditën dhe me risinë bashkohore përfton atë shtjellë poetike, e cila të shëtit në kohë dhe hapësirë, e përbrenda kësaj larmie e gjetjesh të befta vë re një këndvështrimm artistik dhe një botë të pasur që mbruhet kufijve të asaj muze, e cila përthyhet horizontesh të largëta, oshëtimës së lumit jetë dhe fëshfërimës së një vjeshte derdhur lisave të moçëm.

Po pse ky titull? Çfarë e trazon dhe shqetëson kaq shumë autorin?

Sigurisht që autorët dhe kryesisht poetët janë njerëz të shqetësuar, janë pasqyrim i drejtpërdrejtë i fateve dhe shqetesimit të atdheut të tyre, janë paralajmëruesit më të parë të kohezionit përjetues dhe në kaotizmin shoqëror apo mjedisin ku shqiptarët ndahen përmes shumë kufijve, nuk ka se si autori Manteli të ndihet i qetë. Ky është dhe motivi bazë pse kërkohet përmes poezisë një tempull në Kosovë, një tjetër hallkë lidhëse në Maqedoni, një kornizë më e mirë fati dhe një trëndafil më të shndritshëm në kurorën e lirisë.
Në gjithë këtë prurje poetike dhe vargjesh të kthjellët mbisundon dashuria njerëzore, dhembshuria e jetës dhe mendimi i lartë, si arsye dhe ndërgjegjie, por dhe vizion për tu orientuar drejt një të nesërmeje më të mirë. Vëllimi poetik “Qetësojmë shpirtin e trazuar” ndahet në 6 cikle, të cilët ndjekin njëri tjetrin në formë harmonike dhe plotësojnë atë bosht poetik me ide të qartë dhe strukturë të kornizuar.

Kujtim Mateli

Cikli i parë poetik “Ndiq udhën e pikave të vesës” vjen në format postmodern, ku mendimi filozofik parashtron ato vizione dhe hedh dritëhije mbi vetë ndërgjegjien kohë, si prelud por dhe meditim i gjithë kornizës jetë, parakaluar kortezhit të pluhurosur e rendur ashtu gjysëmhijesh pakuptimësisë së saj.

“Nëse dikush i mbyll sytë para së vërtetës,
Mos fol me të! Nuk është i denjë të bisedojë me ty.
Nëse ti i mbyll sytë para së vërtetës,
Mos i fol askujt! Nuk je i denjë të flasësh me të tjerët.
Nëse dhe të tjerët i mbyllin sytë,
Atëherë jemi veçse qenie fatkeqe,
Të mbyllur në hambarët e heshtjes.
Ka ndodhur dhe më parë me fise, krahina,
Madje dhe popuj,
Kanë provuar hambarët e marrëzisë kolektive,
Pas memecllëkut janë gjendur në listën e të zhdukurve.”

Leximi i këtyre vargjeve përkon me kërkimin e asaj drejtësie hyjnore, e cila mbetet përherë tek e vërteta dhe e shtrirë në një formë kaq të gjerë gjeografike (popuj) bëhet dhe më universale. Filozofia e gjithë kësaj poezie është virtyti dhe morali njerëzor, i cili si produkt i arsyes duhet të shfaqë ndërgjegjien e plotë para çdo fenomeni dhe për më tepër të tejkalojë vetveten dhe të pranojë të vërtetën edhe nëse ajo i kundërvihet.

Në ciklin e dytë poetik “Duke ndjekur gjurmët e një ylli” autori shpreh devocion për figurat emblematike, konkretisht Naim Frashërin dhe si në stilin e tij ai vjen përmes vargjesh plot pathos e ndjeshmëri të lartë për këtë figurë kaq të madhe kombëtare.

“Tek çdo shkronjë e fjalës tënde,
Kish burimin mirësia,
Kish fuqinë e kish bashkimin,
Një e vetme Shqipëria.”

Naimi përmes vargjeve të Mantelit vjen jo vetëm si portret madhështor dhe pendë unikale, por dhe si frymëzim për brezat që vijnë e në unison të plotë me aspitatat e tij kombëtare dhe qëllimin e shenjtë, për një komb, një atdhe, një qëndrim dhe një flamur.

Në ciklin e tretë “Në kornizën e fatit” poeti e shikon stinën me ngjyra të zbehta dhe mjegulla të hirta, sepse personifikimi i gjithë dashurisë së kësaj bote,” nëna” nuk jeton më dhe vizualiteti i poetit nder krahët si zogu jetim e fillikat mes regëtimash të shpërndara kufijve të dhimbjes.

“Trokitje pas mesnate. Ca pika shiu,
Nga një re e lodhur ranë mbi xham,
Në cep të krevatit si në një cep të humbur,
Dhimbje rëndë kruspull më mban.”

E çmund të ishin këto pika shiu veç lotë të hidhur që pikonin shpirtit dhe si në paskohën vjeshtë zhvishnin gjithë kurmin e pemës nga gëzimet e jetës, për ta kruspullsur dhe përplasur ashpër mes akullit të një dimri të ftohtë. Gjithësesi pranvera do trokasë sërish, do përpiqet të fshehë pa përtim gjurmët e shkuara, por kurrësesi plagën e rëndë, e cila mbetet shenjë e asaj përjetësie që do të udhëtojë në të gjitha stinët.

“Në verilindje të Atdheut” është cikli i katërt, cikël që shpalos ndjenjën e lartë të atdhedashurisë, ëndrrës për të parë një atdhe të begatuar dhe ashtu sikurse degët e Drinit ( këshillë e profeci) të bashkohen e të rrjeshin lirshëm e natyrshëm drejt brigjeve të Adriatikut.

“Trojet shqiptare, kur bashkohen?
Pyesin në Jug e në Veri.
Ku je orakull i Dodonës,
Edhe këshillë dhe profeci.”

Ndjenja e lartë dhe fryma atdhetare përshkon gjithë poezinë “Orakulli i Prishtinës”, kushtuar Festivalit “ Drini poetik”, i cili poetët i shndërron në misionarë të unifikimit të një gjuhe dhe një kulture shkrimi, i profetizon dhe i vendos ata në krye të gjithë qëllimeve dhe ideve për një të nesërme më të mirë dhe një ardhmëri më të sigurtë e të përbashkët.

“Trëndafila në kurorën e lirisë” është cikli i pestë, i cili krysesiht i kushton jehonë gjithë përpjekjes për liri dhe dëshmorëve të rënë për atdhe në shekullin më të fundit! Ajo që ndesh në këtë cikël është ndërthurja e baladës me traditën dhe e ardhur në formë strofike dhe rima të puthitura e bejnë poezinë më kumbuese, më elegjike dhe shumë më thirrmuese .

Cikli i gjashtë ose përmbyllës “Brigjeve të Vardarit” i kushton jehonë dijes, humanizmit, fisnikërisë, virtytit por dhe vlerave të mëdha që mbartin shqiptarët e Maqedonisë, si zanafillë e atij rrugëtimi të ndritshëm të shkronjave shqipe, për të shkruar gjuhën tonë “Kongresi Manastirit”, por dhe si atdheu i shenjtërisë më të madhe shqiptare, Nënë Terezës.

“Qetësojmë shpirtin e trazuar” vjen në letërsinë tonë, si mendësi dhe trazim i atij shqetësimi të madh që kanë mabartur përherë mendjet më të shquara të kombit, vjen si kujtesë por dhe kohezion i sotëm historik, i cili zgjon përherë krenarinë e të qenurit shqiptar, vjen si fuqi dhe shprehishmëri e një dashurie të pakufi për atdheun, dhe për më tepër e ngre autorin Kujtim Mateli në të tjera nivele dhe lartësi të kulturës tonë kombëtare!

Nga : Agron Shele

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s