Poezi nga Suzana Malaj

Poezi nga Suzana Malaj

 

Jam këtu dhe tani

Koha,hapësira dhe materia,
vendosin vulën e ekzistencës
një ekzistencë me gjendjen – jam,
e unë jam këtu e nuk jam…
Në kohë dhe hapësirë sillet materia ime
dhe materien e vetë në feta e ndan,
në feta buke në kanistrën e bukës,
pak për vete e pak si human…
Se oreksi tokësor e rëndon materien
e jam këtu e peshoj si në Mars,
ndaj në dunat e zeza të Marsit
vendos pëllëmbën e dorës së djathtë.
Ta provoj ekzistencën time atje
biletën e kam prerë që tani…
kam vizione që më tejkalojnë…
toka nuk është e vetmja shtëpi
…Ja e tillë marrëzi e rëndon materien
jam këtu e peshoj si në Mars,
përreth shoh me sy Vulën e Djallit,
Numrin 666…
Më fton për një pakt
të shëtis në Mars
e unë ndjehem Faust
Faust…vetëm Faust!!!
Në fundin e rrugëtimit të tij
-kur shpëtoi shpirtin…
Ende se kam bërë udhëtimin tim,
udhëtimin shpirtëror të Faustit
gërmat e zeza mbi njëra-tjetrën rrinë
si dunat e zeza të Marsit…
Nga dhoma ime-hapësira e pamatë
e numri 666!!!
Mefistotel – dëshira ime e cmendur
për t’u ngjitur në Mars…
Se oreksi tokësor e rëndon materien,
ndaj jam këtu e peshoj si në Mars
pa shpirt Mefistoteli me ekzistencën e errët
si Faust…vetëm si Faust!!!
E si ai nuk bëj pakt me Djallin
me vulën 666!!!
Ekzistenca ime me gjendjen- jam
vendos pëllëmbën e dorës së djathtë…
E diktuar nga kushedi cili shpirt
… i tëri energji…
e po klith… si ai…
jam këtu dhe tani
Në materien e squllur nga ekzistenca,
jetova…dhe …mbeta,
U ngjita deri në Mars
dhe u ktheva prapë…
E lashë atje mbi dunat e zeza ,
pëllëmbën e dorës së djathtë…
u shoqërova nga një bandë frymore
me tinguj tokësorë e qiellorë,
hodha hapat mbi kratere shkëmbore
e i preka me dorë…
E jam këtu dhe tani
të provoj ekzistencën sërish
në hapësirën e pafund ku derdhet materia
e në kohën që të dyja i lidh.

… … … … …

Jam këtu dhe tani.

 

Revoltë

Sot nuk këndohet më apoteoza e misrit
e nuk ka më poema mjerimi…
një shekull më pas syjeshiltët që s’duan mëshirë
i falen Zotit të tyre…
Sot nuk ka më apoteoza perëndish
Satanai me ton shkëlqyes
është ulur në tryeza bisedimesh
… për blerje shpirtrash…
Sot…mallkimi i parë
nuk është mallkimi i Zotit për njeriun
as mallkimi i Adamit për Kainin,
as vdekja e toka me gjemba,
as loti e djegia nga dhimbja,
as pafuqia dhe as verbëria,
as varfëria dhe zia…
Sot mallkimi i parë është kundër Zotit…
Është blasfemi…
sot janë takuar dy polet e shpirtit
Ëngjëll e Djall janë bërë një!!!
Sot Ëngjëlli përqafohet me Djallin
e buza i bëhet me mjaltë…
Sot Djalli puthet me Ëngjëllin
e mjaltin e gëlltit në bark…
Sot Ëngjëlli i uritur dhe Djalli i ngopur
po këndojnë bashkë në duet!!!
Sot…po- sot…le të bjerë rrufeja
e le të lëvizë të gjithë qiejt!!!
Se sot instikti i egër
ka dalë nga rrethi i nëntë
i ka hipur Varkës së Noes
e demonit aty i bën vend…
Sot njeriu i bërë nga Dheu i Kuq
për baltën ka afeksion
e shpirti i bërë për të thithur dritën
s’po e mban dot një foton…
Sot nuk i këndohet Lisit të Qumështit,
por qumështit të prishur
Sot nuk i këndohet Lisit të Gjakut,
por gjakut të mpiksur
Sot Lisi i Qumështit dhe Gjakut
u pre nga rrënja në majë!!!
Sot…po,po…sot
do ta doja mallkimin e pare…
Nga ata që të hedhin e të përdredhin
e të grisin nga mëngët…
Nga ata që të tundin e të shkundin
e të shkulin nga rrënjët…
Nga ata që qiellin përmbysin
e rrëzojnë yjet si fiqtë
nga ata që hënën e skuqin
e të kallin frikë…
… … … … …
Sot…po mundi…të rilindë njeriu!!!
…ose le të ndodhë apokalips!!!
e shpirti madhështor i krijesës
le të jetë gabim perëndish!!!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s