Kalendari poetik: Sergej Aleksandroviç Esenin (3.10. 1895 – 28.12.1925)
…Policia sekrete, që atëhere quhej GPU, kishte kohë që gjurmonte Poetin. Për ta shpëtuar nga kthetrat e GPU-së (sepse Esenini i pat shtuar kritikat ndaj regjimit bolshevik), gruaja e tij e fundit (qe martuar 5 herë), njëherësh edhe mbesa e shkrimtarit Leon Tolstoj, Tolstaja, arriti edhe ta shtronte në një klinikë psikiatrike; por nuk mundi ta shpëtonte nga vdekja. Në mëngjezin e datës 28 dhjetor 1925 u gjend i varur në dhomën e tij në hotel Angleterre në Leningrad. Varianti zyrtar qe vetëvrasje, por pa përmendur dëmtimet në krahun e majtë, një prerje të thellë në të djathtin dhe mavijosjen e syrit të djathtë. Ata që e vranë, në bashkëpunim me poetët spiunë sajuan edhe një poezi “Lamtumirë, o mik lamtumirë…” poezi që na e shesin si krijimin e fundit të Poetit. Vetëm gjaku, me të cilin spiunët e GPU-së shkruan atë poezi, qe i Poetit.
Edhe sot nëpër tekste të ndryshëm, si dhe letrarë filokomunistë mbështesin dhe përhapin (si bashkëpuntorë në krim) variantin e vetëvrasjes së Poetit që aq shumë e deshi jetën. Por më mirë të shohim një poezi të Eseninit:
PANJË E NGRIRË
(Клен ты мой опавший, клен заледенелый)
Panja im’ e ngrirë, lakuriq moj e gjorë,
Qysh të rrëgjoi kështu stuhia e borës?
Thuamë ç’ke parë? Mos dëgjove gjë vallë?
A ndoshta shëtitje nga fshati pate dalë?
Mu si një rojtar tapë rrugës duke ecur
Që i merren këmbët në mes borës ke ngecur.
Dhe mua, ah! s’më mbajnë më këmbët tani,
Kur ndaj të gdhirë kthehem tapë në shtëpi.
Sa herë gjej një shelg, a takoj ndonjë pishë,
Këngë vere u këndoj në mes të stuhisë.
Sa për vete, me panjën përgjasoj, o miq,
Veçse krejt i bleruar dhe jo lakuriq.
Dhe i dehur xurxull, më ikën fare turpi,
Fort shtërngoj mështeknën, si një femër pas trupit.
© shqipëroi nga rusishtja Maksim Rakipaj