Poezi nga Sarë Gjergji
HË SARË
S’ka rëndësi me verë a raki shtëpie
për kë do ngresh dolli tash
për jetën – kripën e vdekjes
a për vdekjen- kripën e jetës?!
Ikja nga vetvetja është gjithnjë e tmerrshme…
Sarë,
Sarë!
HARK DITE
(ose këngë e vrarë)
Mirëmëngjesi, d(r)itë!
(Mjegulla nis të bjerë…)
Mirëdita, kripë!…
(Mjegullnaja diellin zë…)
Mirëmbrëma, hënë!
(Pa unazë
pa këmishë në trup
veç asht e lëkurë
herë zmadhohej
herë kruspull mblidhej
Hëna
një me natën.)
Të nesërmen
ata u gdhinë
me zemrën prej qelqi
e mushkri prej betoni!
NË SHTRAT MERMIMANGE
Nga t’ia filloj, Evë?
Kodra, ultësira e fusha të lëkurës sate
gruri i zverdhi
dhe flokun tim, si një gjeth vjeshtak…
Re e zezë,
bubullimë e shi sjell në Eden
në gjoksin tim
zë vend e çadrat ngreh
ushtri karkalecash
kokë e këmbë armatosur!
Në shtrat merimangash të zeza
Arka e Besëlidhjes dergjet
ëndrra
kënga
malli
për aq kohë sa ti mungon.