PLAKU DHE BURIMI / Tregim nga Arolina A. MEMA

PLAKU DHE BURIMI
 
Ai plak shkonte përsitë deri tek kufiri ndarës i arave që mbante për toponim mbiemrin e tij. Shkonte dhe rinte nën hijen pranë burimit po me mbiemrin e tij. Përkundruall shtriheshin arat me pemë të shumta frutore. Tej deti i kaltër. Dikur këto ara ishin të tyre. Shkonte deri tek kufiri ndarës përkundruall burimit. Tej kodrat deri në Kakome e ujrat e detit deri në ishullin e Korfuzit. Kthehej dhe rrinte nën hijen e argëlesë së madhe pranë burimit ujëftohtë e të kulluar. Vetëm emrat nuk kishin ndryshuar, të tjerat të gjitha. Pemët po aty, po ato. Po nuk ishin më të tija. Ishin pronë e të gjithëve. Sot ato ishin të kooperativës. Loti i shkiste faqes së rreshkur kur mendonte se nuk ishin më të tij. Po ngushëllohej se mbiemrin e tij arat e mbanin për emër. Atë s’mund ta zhduknin e ta kooperativizonin. I kujtohej ajo ditë e kolektivizimit si babai i tij hodhi sopatën në një cep e me duart të shtrira nga e shoqja shfryu me një duf zemre. Një komb ju mblodh në grykë dhe shkoi tek muslluku për të larë sytë që mos ti shihnin lotin. I kujtohej edhe ajo gjëmë që ndodhi në fshat me papun e Prifte që kur i morën bagëtinë dhe e vunë çoban me rrogë në kopenë e tij u kthye nga qielli dhe ju lut Zotit ta merrte se nuk e donte më jetën. Papritur , si në legjenda, qielli u nxi dhe një vetëtimë e shkrumboi trupin e paput e Prifte. Iku papu i Prifte se nuk e duroi dot atë masakër që u bëhej fshatarve.
Edhe atë fundgushti barba Kiçua, apo papu Kiçua siç i thoshin fëmijët e fshatit kur e thërisnin apo përshëndesnin, bëri ritualin e përditshëm. U kthye tek burimi, u freskua me ujët e ftohtë e të kristaltë të tij. Sytë i shkuan tek pllaka mbi burim. Aty qenë gdhendur data kur burimi qe kthyer në krua dhe emri i gjyshit të tij që e kishte bërë këtë mrekulli. Pa arrën e madhe të mbushur plot me kokrra të mëdha, fiqtë e llojeve të ndryshëm dhe hardhitë e hedhura nëpër ullinj. Të gjitha të mbushura me kokrra plot. Edhe mollët e pjeshkët, dardhat e agrumet. Qenë ashtu që nga dita që u bënë kooperativë. Vetëm se shkurret rreth e rrotull arës nuk qenë më. Qenë bërë taraca e qenë mbjellur agrume. Ja dhe portokallja e madhe e mbjellur nga gjyshi qe në garë me ullinjtë shekullor për të kapur lartësitë. Mbylli si pa kuptuar sytë. E mbuluan kujtimet. Humbi në labirinthet e tyre…Qe fëmijë i vogël, aty tek 10 vjeç dhe gjyshi e merrte me vete në arë. Gjyshit ai i thoshte babai i madh. Babai i tij kish vite në kurbet. Që kur kish lindur ai. Pas ca vitesh u kthye e zgjeruan arat. Bashkë me babain e madh edhe Kiçua i vogël bënin punët e ditës e të stinës në arë. Shpesh e pyeste se ku shkoi tata i tij që iku me varkë ujrave të detit, siç ja kishte treguar e ëma. Dhe babai i madh ia kthente me brengë se tata iku për t’u kthyer përsëri. Pastaj , për mos t’i parë lotët Kiçua i vogël, kthente kokën mënjanë dhe i thoshte të dilte nga shkuret e të shikonte njëherë kecat që kullosnin, të lëshonte nga një britmë të madhe për të trembur egërsirat, se dhelpra e çakej kishte plot. Dhe Kiçua e pyeste se pse nuk i shkulim shkuret e ti mbjellim me pemë, ashtu nuk do ketë më çakej e dhelpra. Babai i madh ia kthente se nuk do ketë më çakej e dhelpra, po nuk do ketë më as keca. Ndaj duhen dhe shkurret se ushqejnë dhitë e kecat. Na duhet qumështi e mishi. Kiçua përsëri i thoshte se ca keca ua ha dhelpra e çakalli e babai i madh përsëri i thosh se dhe ata i ka bërë perëndia të ushqehen me këtë mënyrë e nuk kanë faj. Neve duhet ti ruajëm mirë, të hapim sytë. Ç’tu bëjmë njerëzve që nuk punojnë, po vjedhin.
Plakun e kishin rrëmbyer aq shumë kujtimet aty nën hijen e argëlesë, pranë burimit me mbiemrin e tij. U përmend. Koha kish kaluar goxha e dielli donte dhe dy hosten të zhytej në ujrat e detit përmes boshtit të zjarrt. Nxorri nga xhepi shaminë ku kish pak bukë me djath dhe një fije biskote që ja jepte nusja e djalit nga pjesa e fëmijve të saj. Po plaku s’e hante. E mbante në xhep dhe në darkë ua jepte fëmijve, nipit dhe mbesës, duke ua ndarë copa –copa të vogla. Nuk kishte ç’farë tu jepte. Hëngri bukën. Piu ujë të ftohtë dhe ofshani shpirtërisht. Hodhi sytë nga arra, fiqt dhe rrushi, pjeshkët dhe dardhat e pjekura. E sëmboi në zemër deri në dhimbje. E mbuloi trishtimi dhe drithërimat. Nuk i mbushte dot xhepat me kokrrat e pemëve të mbjellura nga gjyshi e babai dhe vet ai. Ashtu si dikur i mbushte gjyshi dhe kur shkonte në shtëpi i lëshonte përdhe e fëmijët suleshin kush e kush të merrte më shumë. Po fruta kish shumë e duart e tyre të vogla mbusheshin plot e mbeteshin fruta përdhe. Po iku ajo kohë. Ai tani do t’i çonte nipit e mbesës atë fije biskote që mamaja e tyre ja dha nga racioni i tyre. Loti ju derdh faqes. Pse o Kiço ziu, i tha vetes mes psherëtimës, pse rron kur nuk je i zoti t’u shpiesh fëmijve as një kokër fik. Shpëtoi papu i Prifte që nuk i pa këto ditë. Ka dhimbje më të madhe kur nipër e mbesa të derdhen këmbëve dhe ti , përveçse një puthjeje, nuk ke ç’farë ti gostitësh….
-Tungjatjeta barba Kiço!,-dëgjoi një zë që i foli dhe e përmendi.
-Tungjatjeta ,bir!
Ishte brigadieri. Një djalë fshati. I dha dorën dhe brigadieri bëri nga pemët. U kthye me arra, fiq e rrush.
-Merri barba Kiço, haji me plakën në shtëpi. Ke pjesën tënde ti!
Plaku e pa mirë në sy. I hodhi dorën në sup dhe me zë të mekur i tha djaloshit brigadier:
-Faleminderit, o djalë, ti je djalë fshati, po roja i arave është nga matanë malit të fshatit tonë…
Brigadjeri mbeti një moment i hutuar. La diku aty afër plakut frutat e mbledhura dhe iku duke e lënë plakun në kujtimet e tij.
Në mbrëmje kur brigata u kthye nga puna, gratë gjetën poshtë pllakës së burimit që mbante emrin e gjyshit të tij dhe i ngjante një kamareje të vogël, fiqrtë arrat dhe rrusht. Gratë e lodhura nga puna e ditës i shijuan arrat, fiqtë dhe rrusht. Brigadieri lëshoi vetëm një zë brenge: “Eh, mor xha Kiço”…
Matanë burimit vrojtonte roja që nuk qe nga fshati i tyre…
 
Fund—–shtator 2018
 
 
 
Tregim nga Arolina A. MEMA
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s