70 -VJET KRYENGRITJA E ZHAPOKIKËS / Nga: Prof. Sadik Bejko

70 -VJET KRYENGRITJA E ZHAPOKIKËS

 

Nga: Prof. Sadik Bejko

Kryengritja më e njohur e fundviteve ’40 të shekullit që shkoi, e ndodhur në Jug të Shqipërisë, njihet si Kryengritje e Zhapokikës për shkak të emrit të fshatit ku u zhvillua. Zhapokika është një fshat në Tepelenë. Ne përbërje kishte fshatarë dhe nga fshatrat Luftinjë e Kamçisht.

Më 20 shtator 1948 u formua çeta “Baba Shefqet”, për nder të klerikut bektashi të pushkatuar më 14 janar 1948. Flamuri i çetës ishte flamuri kombëtar pa yllin e kuq.

Më 28 shtator 1948 u zgjodh me votim komanda e çetës.

Çeta i caktoi vetes si detyrë të lidhej me grupet e tjera antikomuniste derisa në Shqipëri të krijohej një qeveri nacionaliste demokratike.

Fshatarë kundër shtetit

Ca fshatarë në një rrebelim me armë kurrë nuk mund ta përmbysin shtetin, apo rendin kushtetues zotërues në një kohë të dhënë.

Por një kryengritje e ca fshatarëve shqiptarë kundër shtetit komunist ka ndodhur. Tashmë ajo përmendet, njihet, ka hyrë në literaturë si Kryengritja e Zhapokikës, 1948.

Historikisht, në çdo kohë, të gjitha kryengritjet fshatare të natyrës a të tipit të saj, kryengritje të mëdha a të vogla qofshin, ato janë shtypur me gjak e me dhunë shembullore.

Kështu ka ndodhur dhe me kryengritjen e Zapokikës.

Parë nga kjo pikëpamje, të ngjan se fare naive dhe e pamend sa nuk ka të dytë ka qenë kjo kryengritje. Ashtu ka qenë. Rreth 25 fshatarëve të veshur keq, të ushqyer me bukë e domate, me ca pushkë e fishekë të ndryshkur, ua thotë truri se po të ngrihen, rrëzojnë shtetin. Po të ngrihen, përmbysin komunizmin për të sjellë në fuqi një rend demokratik.

Koha tregoi se kjo aventurë, kjo ndërmarrje e pamenduar dështoi keqaz.

Vetëm se tej epiteteve apo etiketimeve për të, ajo ka një përparësi. Kryengritja ka ndodhur, është një fakt historik i padyshimtë.

Të mëdhenjtë e botës në Jaltë a në Postdam kishin vendosur rendin e botës, por këta fshatarë nuk donin t’ia dinin për këtë, nuk donin t’ia dinin për të mëdhenjtë e planetit.

U ngritën dhe e thanë me armë se nuk e donin këtu komunizmin.

I thanë ‘jo’ kolektivizimit të pronës dhe të njeriut, i thanë ‘jo palirisë’, thanë ‘nuk duam që vajzat e djemtë tanë të modeloheshin e të përpunoheshin ideologjikisht. Duam të jemi me Perëndimin, jo me Lindjen”.

Një kryengritje si kjo i fton burrat nën armë, por realisht i ftoi ata që të përfundojnë të vdekur nën shtresat e dheut të tokës së tyre, apo të dergjeshin të prangosur në burgjet me punë të detyruar.

Por ata njerëz në vitin 1948 kështu e donin, ata burra kështu e gjykuan.

Organizimi i kryengritjes

Rreth muajit gusht 1948 Xhemal Brahimi, një fshatar 30-vjeçar nga Zhapokika, merr takime me shumë të pakënaqur nga regjimi. Lidhjet e tij i kapërcejnë tre-katër rrethe të Jugut. Është mister se me kë është i lidhur në qendër. Në fshatin e tij dhe në ato përreth ai ka krijuar grupe të besuarish që mund ta ndjekin. Për të realizuar ngritjen me armë kundra regjimit ai bëri në fshehtësi disa mbledhje. Mbledhje në të rënë të mbrëmjes, larg vendbanimeve..

Mbledhja e parë bëhet te Ledhi e Madh, 20 shtator 1948. Xhemal Brahimi ishte në Berat. Drejtimin e mbledhjes e bën Mehmet Yzeiri. Marrin pjesë pothuaj gjithë ata fshatarë të Zhapokikës që më pas rrëmbyen armët.

Burrat që dhanë fjalën për luftë, sigurojnë armë nga shokët e tjerë.

Fshatarët po ktheheshin në luftëtarë.

Ata mendojnë se kanë në krahë dhe çetën e Sulo Zaimit nga Allkomemaj. Major Sulo Zaimi (Sulejman. Shezai Malaj) kishte qenë oficer ushtarak nga koha e mbretërisë. Ca kohë qe oficer në Kosovë në vitet ’40. Ishte kunati i Xhemal Brahimit. Nga Gjykata e Lartë Ushtarake, që më pas e dënoi me njëzet vjet burg, cilësohet si nxitësi e frymëzuesi kryesor i rebelimit. E nxiti, por nuk mori pjesë në rrebelimin e Zhapokikës.

Mendojnë se kanë me vete dhe Demo Kason (Demir Allkushaj) nga Gllava, nga e njëjta krahinë. Ky, një oficer policie në lirim, me grupimin e tij të fshehtë nuk iu bashkua Zhapokikës. Grupi i tij u kap më pas dhe u ndëshkua me burg. Demo Kaso u arratis në Itali.

Mendojnë se në Mallakastër, në krahinën e Lopsit dhe në zonën e nahijes së Beratit kanë përkrahës me armë në dorë.

Mbledhja e dytë mbahet në Mëlovë, 28 shtator 1948. Flet Xhemal Brahimi që është mendja politike e grupit të Zhapokikës. U bën thirrje të bëhen ushtarë në luftën për demokraci.

Ky ka bërë disa takime në gjithë ata që e mbështesnin në rrethet fqinjë me Tepelenën, deri dhe në Tiranë. Ka korierë që mban lidhjet me këto pika.

Në Mëlovë mbledhja është e gjerë në pjesëmarrje. Vijnë dhe ata që e përkrahin, dhe ata që japin fjalën se do jenë me grupin, por tërhiqen.

Xhemal Brahimi e merr fjalën në emër të partisë nacionaliste. Kjo parti, sipas tij, ka lidhje me ministra e anëtarë të lartë të Partisë në pushtet. Sipas tij, nëpunësit kryesorë të Tepelenës, ushtria e policia janë në mbështeteje të tyre. Mehmet Yzeiri e mbështet, por shton se dhe ushtria e Sazanit dhe diversantët e maleve dhe Abaz Ermenji e Muharrem Bajraktari janë në krah të tyre. Kabineti qeveritar ka rënë.

Atmosfera ndizet. Bëhen thirrje antikomuniste.

Vendoset të krijohet Çeta. Zgjidhet komanda me votim. Komandant Bajram Kamber Ahmataj, 59 vjeç. Sekretar politik Xhemal Brahimi. Mehmet Yzeiri-nënkomandant, Salo Kaso, Sefer Yzeiri anëtarë të shtabit. Bëhet betimi tradicional me nga 10 lekë të shkuara midis dy buzëve, të cilat më pas bëhen qiri në faltore. Formula: “Po tradhëtova, më pret plumbi kokës”.

Krerët e çetës shkojnë në lagjen Keçerisht, në Zhapokikën e dytë. Në Keçerisht ua hapën dyert. I pritën si shpëtimtarë. U dhanë ushqim e strehë.

Xhemali mban një mbledhje në lagjen Mukaj të Luftinjës. Mbledhja zgjati tri orë. Në mëngjes u bashkohen të tjerë burra me armë.

Kamçishti., përplasja e parë me policinë

Vijnë nga Kamçishti përkrahës që i ftojnë për t’u mbledhur në Kamçisht

Bëjnë mbledhje në vreshtin e Halil Sulos në Kamçisht. Ishte natë. Folën krerët e çetës për partinë nacionaliste, për rënien e qeverisë, për kryengritjet që kanë plasur gjithandej. Xhemal Brahimi fyen Partinë Komuniste, Bashkimin Sovjetik. I bëjnë thirrje Kamçishtit të rreshtohet me ata. Poshtë Komunizmi.

Realisht ishte një propagandë në erë, por njerëzit pëlqejnë, besojnë atë që ata dëshirojnë.

Mbledhja zgjati dy orë. Flasin për tatime të larta, për atë që janë lakuriq dhe të këputur. Qeveria është amorale, i mbledh djemtë e vajzat natën. I marrin me zor në konferenca, në hekurudhë.

Xhemal Brahimi u thotë se “do na kolektivizojnë edhe gratë. Se po na vrasin njerëzit e fesë”.

Ikin natën nga Kamçishti për në Kackë të Xhapokikës. Shkojnë në malin e Izvorit.

Ndërkohë policia i ishte drejtuar Kamçishtit. Kanë kapur dy nga shokët e tyre. Çeta kthehet në Kamçisht dhe sulmon policinë. Gani Kojdheli i merr armën nga duart një polici. Qëllojnë me bomba dore. Policia thyhet, tërhiqet. Kryengritësit i ndjekin policët e shpartalluar. Mbetet i vrarë shefi i Sigurimit për Tepelenën, toger Xhezo Makashi.

Marrin shokët e Kamçishtit dhe ngjiten në mal. Marrin me vete të lidhur dy fshatarë që i spiunuan. Nuk merret vendim për t’i vrarë, ndaj i lëshojnë.

Datën 2 tetor çeta kaloi në malin e Rabijes. Kanë triumfuar mbi policinë. Këndojnë këngën e Çetës.

Të ndjekur këmba-këmbës

Për t’iu shmangur një përplasjeje të dytë me policinë, merret vendim që të nisen drejt malit të Rabijes.

Dikush nga Kamçishti këmbëngul: “O luftojmë e vdesim këtu, o unë kthehem në shtëpi”. Dhe u kthye.

Xhemal Brahimi dhe Beg Veizi shkuan në Allkomemaj te Sulo Zaimi.

Çeta ecën përroit dhe i pret në Levan. Sulo Zaimin e kanë arrestuar.

U ngjitën në malin e Rabijes. Atje flenë dhe rrinë gjithë datën 3. Të nesërmen te shkëmbi i Koçit.

Një bari nga Rabija u çon ujë. Kalojnë në Çocaj të Allkomemajt. Xhemal Brahimi dhe Mehmet Demua marrin bukë te fshatari Novruz. Muharrem Sulua u jep pak bukë, aq sa kishte me vete. Hanë bukë afër mëngjesit. Këtu në Çoçaj i rrethon policia që i ndjek këmba-këmbës. Qëllojnë në drejtim të tyre në tërheqje e sipër. I sprapsin me armë dhe bomba. Ka dëshmi jo të saktësuara se aty u vra një nga forcat e ndjekjes.

Forcat e ndjekjes nga Tepelena dhe ato të Beratit, të drejtuara nga toger Sulo Gradeci, përbëheshin nga ushtarë dhe policë.

Janë kapur nga policia ata që i kishin lënë me detyrën e prapavijës, për t’i furnizuar me ushqim dhe me informacion. Janë rrethuar nga policia shtëpitë që do të ishin baza për strehim dhe për mbështetje me armë e njerëz. Janë arrestuar korierët.

Mbas përplasjes me armë në Çoçaj, çeta ulet në përruan e Çërrilës ku pushojnë rreth dy orë.

Marrin drejtimin për nga Plashnikut i Beratit, ku mendojnë se kanë një bazë të sigurt.

Të vetmuar, të ndjekur. Pa ushqim. Ka filluar demoralizimi. Ndahen të lëkundurit nga trimat. Dëgjohen shprehjet “sikur nuk e kishim kështu”. Propagandës së Xhemalit se “i presin çeta ngado, se ka rënë qeveria, se ushtria dhe nëpunësit e shtetit janë me ata, se do vijnë ndihma nga jashtë…” nuk i besojnë më.

Të zhgënjyer, shkëmbejnë fjalë të serta. Antikomunistët e bindur mblidhen rreth shtabit të çetës. Kjo bërthamë e të betuarve përmbledh të tjerët.

Dezertimet

Tre kamçishtjotët Gani Kojdheli, Halil Sulua dhe Selfo Xhemali natën e 5 tetorit, pasi ndjekin çetën rreth një orë, ndahen praj saj, sapo hyjnë në një pyll. Kthehen nga erdhën. Ditën fshihen, në mbrëmje afrohen në një korije pranë lagjes Bardhaj të Allkomemajt. Aty gdhihen e ngrysen një natë e një ditë. Në datën 7 tetor ndjekin shtigjet përfund Allkomemajt, Levanit, Xhaxhajt deri te një pyll ndanë Kamçishtit. Data 8 tetor në pyll. Në mbrëmje Selfua hyn në fshat, merr bukë dhe kthehet. Aty e shtyjnë edhe datën 9 tetor. Në mbrëmje marrin bukë në shtëpitë e tyre dhe flenë te Halili. Në datën 10 fshati Kamçisht gdhihet i rrethuar. Dorëzohen Ganiu dhe Selfua, Halili vret veten (ose e vrasin në shtëpinë e tij, sipas një dëshmije tjetër).

Plashniku, fundi i arratisë

Që nga dita kur major Sulo Zaimi nuk u bashkua me çetën, hyri grindja. Dhe Sulon na e morën. Si do të vazhdojmë tani? Xhemali mendon të shkojnë në Skrapar, ku ishte Dilaver Çorrogjafi, një ‘diversant i regjur’.

Ku janë ata nga jashtë që do të na hidhnin armë?

Çeta merr drejtimin për në Osmënzezë. Pas kamçishtiotëve, ndahet nga çeta dhe Mehmet Demo.

Në përruan e Plashnikut, në Velemen, pylli i koçimares së Plashnikut. Drejtohen për bukë te shtëpia e mikut, që ishte përkrahës dhe bazë e tyre, te Skënder Aliko. E kanë arrestuar.

Shtigjet janë zënë nga forcat e ndjekjes.

Tatëpjeta, shpartallimi

Kthehen pas. Diku hanë rrush, diku pinë ujë. Në fshatin Zhapokikë të Beratit gjejnë ushqim. Duan të shkojnë te pylli i Zagonit, por gdhihet. Ndodhen në Gllavë. Janë me shpirt ndër dhëmbë.

Në Shkozë të Gllavës ndeshen ballas me policinë.

Është data 8 tetor 1948.

Shaqo Muçodemaj, Sefer Yzeiri, Mehmet Yzeiri, Salo Kaso, Xhemal Brahimi (të betuarit) luftuan deri sa i hodhën gjithë bombat, i zbrazin gjithë fishekët që kishin me vete.

Mehmet Yzeiri dhe Salo Kaso mbetën të vrarë. Dy policë mbetën të vrarë.

Çeta përfundimisht shpartallohet.

Disa u fshehën, deri sa u kapën. Të tjerë shkuan në shtëpitë e tyre ku i prisnin forcat e ndjekjes. Disa u vetëdorëzuan. Shaqo Limja e Sefer Yzeiri iu fshehën policisë për disa muaj.

Komandant Bajram Kamber Ahmataj, ish-xhandari 60-vjeçar, e zgjati arratinë nëpër stane e pyje deri në janar 1949. U kap i fundit, u kap në befasi në fshatin Malëshovë të Përmetit.

Vëllai i tij Safet Kamberi u vra në kufi, tek po arratisej.

Xhemal Brahim Asllani

Xhemal Brahimi u arratis. Ai u stërvit në kampet e perëndimorëve dhe u desantua në Shqipëri, hyri dhe doli disa here deri më 1960. Fëmijtë dhe gruaja e tij u internuan në Tepelenë, më pas në Lushnje. Dy djemtë bënë burg. U liruan më 1991. Vdiqën shpejt. E shoqja, Sambretja, me të cilën Xhemali pati dhe një vajzë që lindi në internim në Lushnjë më vitet ‘50, jetoi më gjatë.

Xhemali pati fëmijë nga martesa e dytë në SHBA. Vdiq i alkolizuar me brengën për familjen që në Shqipëri vazhdonte të ndëshkohej për llogari të tij.

Dosja e tij formulare mund të na sjellë të dhëna të tjera.

Procesi gjyqësor

Gjyqi u zhvillua në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës. Gjyqtarët Llazi Polena, Arqile Toska dhe Hamit Bilbili me prokuror Mustafa Beqon dhanë vendimin nr.24, datë 14.5.1949. Akuzoheshin se në shtator – tetor 1948 “kanë formuar bandë të armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor”, se kishin marrë pjesë në luftime kundër forcave të regjimit, se kishin vrarë dy policë dhe shefin e seksionit të Sigurimit Xhezo Makashi dhe se kishin lidhur e dashur të vrisnin dy fshatarë”. Për të gjithë urdhërohej dënimi me punë të detyruar, konfiskimi i pasurisë si dhe heqja përkohësisht e të drejtës së zgjedhjes. Dënimet mbështeteshin në ligjin nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kontra popullit dhe shtetit”.

Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë prej Bilbil Klosit, Sotir Spiros dhe Nonda Papulit, me prokuror Bexhet Memën, me vendimin nr.77, datë 6.7.1949 (për dënimet me heqje lirie) la përgjithësisht në fuqi ndëshkimet e gjykatës së Gjirokastrës. Gjykata e Lartë nuk ua vë në ngarkim të dënuarve vrasjen e toger Xhezo Makashit, shefi i Sigurimit Tepelenë.

U dhanë këto dënime:

1-Bajram Ahmetaj, vjeç 59, arrestuar më 4.1.1949, me vdekje.

2-Sefer Yzeri, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1949, me vdekje. I falet jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Bëri 33 vjet burg, vdiq i uritur, i vetmuar në një kasolle.

3-Shaqo Lime Muçodemaj, vjeç 29, arrestuar më 16.10.1948, me 20 vjet burg.

4-Xhemal Asllani, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 15 vjet burg.

5-Xhemal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.

6-Mete Didaj, vjeç 36, arrestuar më 19.10.1948, me 15 vjet burg.

7-Balil Veliu, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 15 vjet burg.

8-Xhelal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.

9-Gani Kojdheli, vjeç 36, arrestuar më 16.10.1948, me 12 (5) vjet burg.

10-Mehmet Mupodemaj, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 12 (5) vjet burg.

11-Hajri Mahmutaj, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 12 (6) vjet burg, vdes ne burg pas 11 vitesh.

12-Selfo Xhemali, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.

13-Beg Veizi, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.

14-Nuredin Rrodhaj, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.

15-Hajredin Alushi, vjeç 33, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.

16-Mehmet Kalemaj, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.

17-Teme Pajo, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 3 vjet burg.

18-Shefqet Didaj, vjeç 19, arrestuar më 16.10.1948, me 3 vjet burg.

19-Seit Çaushaj, vjeç 34, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.

20-Jashar Canaj, vjeç 44, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.

21-Maliq Didaj, vjeç 57, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.

22-Demo Aliu, vjeç 45, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.

23-Riza Çaushi, vjeç 49, arrestuar më 10.10.1948, me 2 (1) vjet burg. Ky arratiset jo me çetën por i vetëm me armë fshihet larg fshatit në një pyll. Kish dhënë fjalën të jetë ne çetën, por nuk shkon me ata. Dorëzohet vetë më 10.10.1948 në Tepelenë.

24-Mufit Islami, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.

25-Adem Memaj, vjeç 21, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet (2) burg. U ridënua, bëri 33 vjet burg.

Shifrat e viteteve në kllapa () janë dënimet përfundimtare dhënë nga Gjykata e Lartë.

Kryengritës të vrarë

Mehmet Yzeiri Selaj (në përpjekje me policinë në Gllavë, 8 tetor 1948).

Salo Kaso Didaj, në përpjekje me policinë 8 tetor 1948.

Safet Kamber Ahmataj, vritet në kufi.

Halil Sulo, vritet nga policia në shtëpinë e tij Kamçisht. Sipas dëshmisë së Gani Kojdhelit në gjyq Halil Sulo ka vrarë veten, kur u kthyen nga arratia në fshatin Kamçisht.

Më 21.7.1949 u krye ekzekutimi i dënimit me vdekje i të dënuarit Bajram Kamber Ahmetaj. Ai tha ne fjalet e fundit: “Për toger Xhezo Makashin, dëgjova rojet e burgut të thoshin e vrau kush e vrau, u mbeti këtyre”. Bajram Kamberi ne fjalen e fundit kërkoi që pushteti të mos hakmerrej mbi fëmijët e tyre (me femijte e tij dhe te Safetit, vellait vrare ne kufi), kërkoi që kufomën e tij mundësisht t’ia çonin familjes… E mbylli me fjalët “Rroftë Shqipëria”.

Shefi i sigurimit të Tepelenës, Xhezo Makashi (1920-1948) me vendimin nr.65, datë 2.10.1971, u shpall dëshmor.

Kjo është një kryengritje e fshatarëve të varfër

Ja cilat ishin ato që quhen logjistikë, si depo rezervë, fuqi financiare, buxhet mbështetës për çetën.

Në gjithë udhëtimin e saj çeta mbante me vete një mitroloz pa gjilpërë që nuk u zbraz kurrë.

Nga dosjet vijnë dhe këto fakte mbi atë se ç’fuqi ekonomike kishte çeta më 2 tetor 1948 kur u nis në luftë:

Hëngrëm bukë e dhallë te Zeneli.

Xhelal Rizai solli bukë dhe një gavetë mjaltë. M. Yzeiri hëngri petulla që i solli Sefer Yzeiri, vëllai.

Te Muharrem Mehmeti morëm bukë e dhallë.

Musa Qazimi ka prurë një gavetë mjaltë.

Te Halili Sulua morëm bukë e duhan.

Shaip Sulos i morëm bukë thatë, i dhamë 1000 lekë.

Hajdar Rustemi dha bukë dhe një torbë me domate.

Te Hajredin Alushi bukë e domate.

E shoqja e Zane Abazit na ka dhënë një trastë me bajame kur kemi qenë në pyllin e Zagonit.

Një mulli dha tre trasta me bukë dhe një batanije. Barinjtë jepnin bukë e duhan. Djali i Sefer Yzeirit dha në shportë rrush.

Ibrahim Jonuzi nuk erdhi me ne se nuk kishte pushkë.

Shaqua e bleu pushkën 6 napolona.

Me këtë fuqi ekonomike çeta e uritur dhe me frymë të rënduar i mbylli ditët e saj me armë, me luftë.

Pastaj… vite e vite burg.

Qenë njerëz që besonin në atë që ishin, në atë që donin. Jo në gjë tjetër. Dhe i paguan me kokë, me burg bindjet e tyre.

 

   

 

  

 

HOMAZH NE 70-VJETORIN E ZHAPOKIKES

Ne këto fotografi janë Bajram Kamber Ahmataj, 60 vjec, nga fshati Zhapokike Tepelene, i pushkatuar me 1949 ne Gjirokaster si komandant i Kryengritjees se Zhapokikes, shtator-tetor 1948.

Procesverbali i ekzekutimit te Bajram Kamberit.

Xhemal Brahim Asllani, sekretari politikk i kryengritjes se Zhapokike. U arratis, u desantua disa here ne Shqiperi. Vdiq ne USA, vitet ’70 .

Major Sulua, nxites i kryengritjes, 20 vjet burg.

Toger Xhezo Makashi, shef i Sigurimit Tepelene, vrare ne perplasjen me arme me Kryengritesit

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s