LETËR NGA BARKU I MAMIT / Poezi nga Petrit Ruka

Poezi nga Petrit Ruka

 

LETËR NGA BARKU I MAMIT

Të kam thënë mami, që në barkun tënd
janë krojet, livadhet, deti
dhe tërë perëndimet që në jetë ke parë,
shtatë herë më të bukur,
se kur i kalove tek sytë,
nga pluhuri për mua i ke kulluar…

Nuk di si ia ke dalë të ketë gjithmonë këtu,
veç pranverë dhe pak vjeshtë
me lejlekë në mbrëmje,
Të bjerë midis tyre si flaut herë- herë
vajzëria jote si dhëmbje…

Sa bie ky flaut, në udhën e gjimnazit tënd,
ata djemtë e dikurshëm,
kalojnë “rastësisht”,
kthejnë kokën e plasin
që s’jam bebja i tyre,
dhe psherëtimat i kanë të gjata, me bisht…

Mam, unë në gjumë shoh ëndrrat e tua,
dhe ato ëndrra që ende
janë filma të palarë,
uh, njëherë pashë veten të vogël sa një flutur,
kur u puthe me babin,
për herën e parë…

Mam, kur të duket se qëlloj me shkelma,
luaj me shokë në stadiume,
që ende nuk janë ngritur,
ku mijëra babër rrinë në këmbë si të marrë
duke brohoritur.

E di, që kur babi të vë dorën mbi bark,
ai bëhet violinçel
dhe luan Bahun për mua,
atëherë ia nis një Ave Maria symbyllur
dhe ti bëhesh një kishë deri në thua.

Dhe një mëndje më thotë, mam, të mos dal
aty jashtë në një botë,
që i dhemb koka të shkretës,
sikur ti të mos plasje duke numëruar minutat,
sikur ti të mos ishe vetë Ora e Jetës.

Sikur ti të mos prisje nëntë muaj si nëntë vjet
si në legjendën e famshme
të Kostandinit fatkeq,
Mam, tregojua të gjithëve ku ndodhet parajsa,
të rriturit harrojnë për dreq…

Tiranë, 21 gusht 2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s