Ayten MUTLU
Kalendari poetik: Ayten Mutlu 1952
Sot poetja, shkrimtarja dhe përkthyesja e njohur turke mbush 66 vjeç. U lind më 6 tetor 1952 në Bandirma, një qytet port në detin Marmara. Ka botuar disa libra në poezi, romane, tregime si dhe përkthime nga letërsia botërore. Hasa rastësisht para disa ditësh në disa poezi të mrekullueshme të sajat të përkthyera në anglisht nga përkthyes turq. Ja njëra prej tyre:
LE TË PIMË
erdhi vjeshta
dëshmojnë dielli dhe vreshta
dhe gjethet e verdha të hardhive në degë
si thika të mprehta drite janë dëshmitare
të keqardhjeve që mblodhëm
nga vreshta e kohës
eja shkojmë sot tek ajo, me një hap
me Perëndeshën e kuqërremtë që kujtesën tonë
ka mbuluar me tylin e fustanit të saj
kemi humbur tashmë
pothuaj më shumë nga ç’patëm
si një bardhak me venë që pa e pirë e derdhëm
janë gjithato gjëra për t’u harruar
për t’u mbajtur mend më pak janë,
dashuria, në qiellin e së cilës jemi mbështetur, është dëshmitare
eja pra, le ta pimë
prej jetëve tona ç’mbeti
kur zbret mbrëmja si këngë e ndërprerë
në gjakun tonë dalngadalë të derdhim venë
si në një takim dashnorësh
shënim: përkthyer në anglisht nga Baki YIĞIT
© shqipëroi Maksim Rakipaj (nga anglishtja)