Adriatik Jaçe

Adriatik Jaçe

Adriatik Jaçe ka lindur në qytetin e Përmetit më 21.05.1971. Pas përfundimit të shkollës së mesme vijoi studimet e larta në Tiranë. Pasioni për letërsinë ka qenë i hershëm, pasion që me kalimin e viteve por dhe leximit të shumtë u shndërrua në muzë poetike dhe frymë krijuese. Larmia e jetës, metafizika e saj dhe ndjesia e thellë përjetuese, përbëjnë bazën kryesore të krijimtarisë së këtij poeti, e cila përmes simbolikës fjalë dhe metaforës së përdorur produkton stilin krijues dhe një art kreativ për kohën. Dimesioni poetik prek kulme të larta, ka ngjyrime, kuptime të thella dhe për më tepër shpreh atë novacion që kapërcen përtejkufijtë e vetvetes, në rendje drejt një të nesërme dhe gjurmë drite  tjetër. Si misionar i shpresës dhe besimit ngritur, poeti përmes vargjeve shpreh trazim dhe shqetesim për kohezionin e krijuar dhe ngre të tjera ura mirëkuptimi , si qëllim por dhe vizion drejt asaj bote që duhet të përshfaqë paqen dhe integritetin njeri.

 

Ne po ikim
 
Ne po ikim.
Kemi marrë rrjetën e gjethit.
Dhe jemi duke u zhvendosur limfës…
Ne po ikim.
Klorofili është duke u zvetënuar.
Jemi duke qëndisur sipërfaqe
të tjera…
Ne po ikim.
Larg, po shkëputemi,
portave të vajtimit.
Ne po ikim.
Ndryshku është duke fërkuar
duart,
ndërsa dhimbja vrapon të ujisë barin tokave…
Ne po ikim.
Brigjet shikojnë sy të ngrirë…
Kalciumi i dashurve fosforin e shndrin.
Ne po ikim.
Nuk do ju duhet as të na gënjeni më..
Ne jemi bij të aratisjes…
Ne po ikim.
Mos kërkoni të kthehemi,
sepse thjesht do shqyeni brinjët me përballjen tuaj .
Ne po ikim.
Të mbytur në pellgje lotësh.
Kemi marrë me vete valixhe kujtimesh.
Ne po ikim.
Mbrapa na ndjek përbuzja juaj.
Toka është shndërryar në akreon.
S’keni nevojë as të dyfytyrësoheni…
Jini pra një herë të vetme vetvetja….!
Ngulni kthetra dhe me dhëmbë shqyeni ku të mundni…!
S’do ju duhet më të farsoheni!
Dikur….?
Mbas kush e di sa shekuj dhimbjesh
Mbase do quhen arkeologë..?
Do vrasin mendjen..
Për pyetjen?
“Çfarë rrace dështakësh ka pas banuar këtu që e zhdukën dhe e mbytën lapangjozët?!!!”
Ne po ikim….
Na falni!
Gjyshër, Stërgjyshër….
Më fal baba, nënë…!
Ne po ikim.
Lëreni ndryshkun të ngopet menteshave.
Erën të vërshëllejë strehëve që po thyejnë trarët.
Molën të ronitë gjithçka……!
***
Sytë tanë në aratisje pyesin…
E morëm farën e barbarozit?
Bistakun e kaçkës?
E sytë e ngrirë të dashurisë?…
Mbase në aratisje, qielli do jetë kristal i lotuar,
E sytë tanë do shohin më shumë horizont të veshur….
Ne po ikim!
 
 
 
Bizedoj me vete
 
Janë mbledhur të gjithë tek oborri,
tek hija nën pjergulla.
Babai, nëna, Avaja,Talia ….
e që tutje tek çezma,
….thërret Lekja!
 
“Eh, të kishim ta çonim te kroi,
të na mbushte
pak ujë të ftohtë,
një të njomë kalama”
“Eh kanë ikur,
janë larguar, kudo.
Në botë gjurmët anembanë
kthehen përmallur dhe vetë
të çmallen me nënë e baba
Mbetur këtu fillikat…, harruar.
Goja na u tha për të folur.
Shtëpitë po gremisen….,
…..rrëzohen…,
për nipër e mbesa që s’afrohen.”
***
Dikur me zhurmë kjo rrugë,
me zhurmë,
muhabete e këngë.
Tashti e shkretë, e heshtur,
a thua bomba ka rënë?!
Dhe pemët në obore…,
po thahen.
Nga muret e shtëpive të çara
rrjedhin kujtimet e dhimbjes
në ajër veç kuje…, të qarat.
***
Humbën me kohën,
….u zhdukën.
Në rrasat e veta u mbuluan
U mbushën plot ferra, hithra e myk
Kujtimet ngelën izoluar…
***
Kam mall të shkoj tek mani
të ngjitem lart në degë
të ha gjer sa të nginjem
pastaj të futem në ferra…,
për arra, fiq e shegë….!
***
Të vrapoj nga Ara e Madhe
të hipi te muri, tek trina,
aty tek fiku i zi, mbi gurë…,
tek vareshin të bukurit zymbyla?
***
Pastaj të eci në sheshe,
ku bari është shtruar e të rri
të shkoj aty ku ishte arra
në myshqe të ulem,
e një një cigare të pi.
Sa dua të vrapoj, si manari
nga njëri ledh tek tjetri
Oh sa më ka marë malli
për pemët dhe bahçen e vjetër!
***
Në veshë më zjen zëri i tim eti
aty në kopshte ka ngecur
Kërkoj aty ku ish vatha
ose ngjitem më lart në luadh,
më duket vetja i humbur
pas këngëve e kujtimeve plot mall!
 
 
 
Po njoh veten…
 
Më duket vetja homofobik.
S’ përtyp shumë gjëra
Jam prerje e vjetër demode
Malli i zhvleftësuar
Jashtë mode.
Jam i mërzitshëm deri në dalldi
Më pëlqen vetja në infinit
Jam i sëmurë tepër narcist…
Çdo gjë më shkrehet
sapo e nis.
Më dhemb më shumë një fëmijë i mbytur,
se sa një deviat i pëçunduar.
Më ther më shumë
një fëmijë pa ujë
se sa dikush me kufje serfin.
Dëgjon muzikë…
Ulëret për barazinë.
Më dhemb aq shumë sa dua të bërtas
Kur dikush dot s’ vishet
e dikush flamuj bën me ngjyra ylberi..
Jam i sëmure e bëhem keq
përlotem shumë bëhem për dreq.
Ka që nuk kanë mbathur këpucë kurrë
jetojnë mes kafshëve
bërë lëkurë…,
të tjerë peliçe, lëkurë meshinë
Fëmijë në pluhur…
të moshuar që jetën ngrysin në tespie,
ata me makina, garazhet plot
stalla kuajsh,
miljona hedhin…
shijen kanë të përçunduar..
Ndërsa diku…
Fëmijët qajnë…
Para syve u vrasin babanë.
Ku bëhen ndarje nëpër botë
Liria e fjalës
Nocion i kotë…..
 
 
 
Me gotën isha mik
 
I ulur jam në tavolinë
me gotën plot me verë
kristali i gotës ka shkëlqim
ky froni i saj i gjerë…
Kjo ngjyra e kuqe, porsi gjak
me gllënjka rrjedh tek mua.
Damarët e trupit ngadalë kap
e sytë më erren mua…
Të pi. Të pi…sa më vjen mirë!
e gotat ti vë radhë…
të plasem krejt mbi tavolinë
pa thënë asnjë fjalë…
Të ndjej si koka më rëndohet
mbi shpatulla se mbaj dot
Ta heq, përdhe ta lë të çlodhet
ta shoh si qesh e qan me lot.
Të hiqem zvarrë në një cep
e gjumi të më zerë…,
e vetja të më duket mbret
me verë, mish dhe këngë…
Ky trupi im si su kënaq
Me pije….,e me mish…
Sa zgjohem prapë, drejt gotës nisem…
Të pi. Unë zë e nis…!
 
 
 
Ëndrrat
 
Të gjitha ëndrrat mu prenë në mes
në pjesëza pa kuptim…
secila veç e veç,
e s’di nga t’ ja nis…
Vrapoj, zvarritem e zhytem në jargë…
Vrapoj i shastisur ti ndal…,
por vështrimet tashmë kanë humbur
e dot nuk i ringjall…
Dridhem i tëri rënë në kllapi,
se ëndra që kisha, u terr e u nxi..
Një fije kërkoj, një fije unë gjej..
kapem pas saj e shkoj më tej.
E kapem pas saj, të ndalem…der kur?
E ëndrra ime rishtas u këput…
Portreti yt kurrë nuk u pa…
Gjithçka u err, u fshi e u nda…!
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s