Pëllëmba e fjalës në pafytyrësinë dhe amoralitetin e politikës ( Shënime rreth librit me 151 fabula të zgjedhura të Gëzim Mero BEGËS, “ARIU NË ARENË” ) / Nga: Agron Mema

Pëllëmba e fjalës në pafytyrësinë dhe amoralitetin e politikës
 
Shënime rreth librit me 151 fabula të zgjedhura të Gëzim Mero BEGËS, “ARIU NË ARENË”
 
Libri i hedhur në qarkullim ditët e fundit, “Ariu në arenë”, me 151 fabula, është i katërti në rradhë i fabulistit tanimë të njohur, Gëzim Mero Bega. Libri, përtej arritje së ngritjes cilësore të krijimtarisë së autorit, merr akoma më shumë vlera nga firmat e njohura të fabulistikës shqiptare si redaktor të mirënjohurin Ferit Lamaj, reçensor Izet S. Çulli dhe konsulent fabulisti dhe studjuesi i njohur Kastriot Hadëri. Duket se katër pena të fuqishme të fabulës shqiptare na kanë dhënë një vëllim brilant e të mrekullueshëm fabulistik. Vëllimi duket si një rezolutë fabulistike dalë nga kuvendi i katër fabulistve të shquar shqiptar duke shënjuar ashpër tretësirën e kuturbuar të politikës shqiptare, turbullirat social-shoqërore që ajo ka sjellur në jetën publike dhe atë familjare të popullit me paturpësinë dhe hipokrizinë e tyre kundrejt atyre që i votojnë. Një jetë e mbytur në korrupsion dhe varfëri, e zhytur në pellgun e veseve më të liga të shpërfytyrimit njerëzor, është fryt i politikës dhe dhurata e politikanve tanë për këtë shoqëri që e mundojnë dhe e raskapitin në trazicion. Një akuzë e drejtëpërdrejtë, pa lajka dhe kthesa, por me armatimin potencial të humorit. Ndaj libri shënon një hap cilësor të formës nga ana e autorit si dhe në strukturën e vëllimit në rreshtimin e tematikave të trajtuara të cilat vijnë me një prurje të re të kënvështrimit artistik si dhe në platformën e denoncimit publik të politikës shterpë dhe perverse që arrijnë deri në shpërfytyrim të njeriut. Realiteti i rëndë që përjetojnë shqiptarët sot nga politika dhe politikanët fshikullohet ashpër nga pena e autorit:
 
“Politikani hienë,
Më në fund doli në skenë,
Si e bëri gjahun çika,
Tha: Biznes është politika!”
 
Pra autori zgjedh krahasimin me hienën, egërsirën vampire, për të njëtrajtësuar politikanët, por edhe papërgjegjshmërinë e tyre duke e quajtur politikën thjesht biznes, mjet përfitimi dhe pasurimi dhe jo përgjegjshmëri shtetërore dhe shoqërore. Autori ka ndërtuar një shkallare fabulore në vertikalitetin e administratës shtetërore në funksionimin e sajë. Pas politikës i vjen rradha qeverisjes, si pjellë e politikës, që më tepër i ngjanë një maske teatrore për të mashtruar masat:
 
“Demi shfryn: Moj qeveri,
Një të mirë s’pamë nga ty!
Mirë që kurrëgjë nuk na ndreq,
Po së paku mos bëj keq.”
 
Por jashtë këtij vertikaliteti të akrobacive qeverisëse me të cilat qytetari ndeshet përditë dhe ndjehet i zhgënjyer e i mashtruar nga mospremtimmbajtja dhe moszgjidhja e problemeve dhe halleve të përditshme, por vetëm sorrollatje, nuk shpëtojnë nga pena e humorit të fabulistit Gëzim Mero Bega, as kryebashkiakët:
 
“Derri, dreri në pyllshtet,
Kryetar ç’do katër vjet,
Derri gërhiste në qoshe,
Dreri mbathi kominoshe”
 
Në fokusin e kamerës fabulistike të Gëzimit nuk mund të rrijë pa u fiksuar as fenomeni gangrenë i legalizimeve. Si mund ti shpëtojë syrit të fabulistit ky aspekt sorrollatës e sfilitës ndaj qytetarve, një institucion nga më të përfolurit për korrupsion e punëpambaruar, por një instrument mashtrues i fortë i politikës në përdorime elektorale:
 
“Për banesat në ndërtim,
Dy dekada veç premtim,:
-T’ua legalizojmë patjetër!
Llafe boll e hiç në letër”
 
Dhe të gjitha këto vuajtje, hallakatje, mashtrime, sorrollatje, tallje e tejzgjatje shumëvjeçare, vijnë nga vet politikanët, nga ata që i votojmë , por sa venë në karrige na harrojnë:
 
“Bilbili rrinte menduar,
Për “VIP”-at politikanë,
S’i vinte për të kënduar,
Por nga zemra thellë ofshan:
-Veç mashtrime edhe lajka,
Por ne u besojmë akoma!
Për t’i qarë kukuvajka,
Krerët e partive tona”
 
Përtej kësaj panorame të zymtë të jetës shqiptare, fabulisti nuk harron të fshikullojë ashpër me pëllëmbën e fjalës së tij humoristike dhe plot sarkazëm, gjithë amoralitetin dhe veset që kanë mbërthyer me pranga shoqërinë dhe jetën shqiptare; prostitucioni, mashtrimi, mosfunksionimi i ligjit, vijnë të gjitha personazhe në këto 151 fabula të këtij vëllimi të Gëzim Begës që, ndonëse farmacist në profesion, po ngjit me dinjitet duke formuar personalitetin dhe profilin e tij të veçantë letrar, në majmalet e krijimtarisë dhe si gjini ka zgjedhur humorin në substancën e subjektit të fabulës, por kjo edhe për arsye të genit humoresk të tij dhe se e vërteta duhet thënë pa lënduar, por kurrë të heshtësh.
 
 
Gëzim Mero BEGA
 
“Profesioni i farmacistit,-do të shprehet fabulisti i shquar Ferit Lamaj,-e bën Gëzimin që si specialist mjekësie, ai e njeh mirë strukturën anatomike të qenies njerëzore, e cila, sidomos sot ka nevojë edhe për ushqim shpirtëror. Dhe këtë ushqim, Gëzim Mero Bega di ta përzgjedhë e të na i jap tri herë në ditë me peshoren e farmacistit”. Ndërsa studjuesi Moikom Zeqo shkon edhe më tej në vlerësimet e tij kur shprehet se: “Është shumë kuptimplote që Gëzim Mero Bega e metaforizon krijimtarinë e tij si “shpata fabulore” dhe kjo shpatë është e mprehtë, inteligjente dhe gazmore. Satira nuk është gjë tjetër veçse një dritë për të ndriçuar skutat e së keqes”
Këtë inteligjencë humori të shigjetimit të së keqes dhe servirjes tek lexuesi me finesë, me qëllim që të shërojëm e jo të lëndojëm, pa kalur në banalitete të denoncimit, e ndjen tek përfundon librin. Nuk të besohet dhe shfleton edhe faqet e fundit të përmbajtjes se mos ka akoma fabula. Kujtohesh sa ke qeshur dhe sa ke menduar gjatë leximit dhe ndërsa koha ka kaluar pa u ndjerë dhe mbylljen e kapakëve të librit i shoqëron me togfjalëshin:”Sa bukur!”, por duke rrjedhur natyrshëm edhe togfjalëshi tjetër:”Pse kështu me jetën shqiptare?”. Vërtetë pse jemi kaq armiq të vetvetes duke mbetur në kokëfortësi besnikë të përcaktimit konician, në mos ndryshim të saj? Pse të zhytur në llumin dhe batakun e së keqes, pse? Dhe qeshim me ato veprime që bota e qytetëruar i pështyn me neveri, ndërsa neve i kemi bashkëudhëtare të jetës së përditshme. Por artisti, poeti, fabulisti, kaq ka fuqi; ta përcjellë me fjalë të zgjedhura e humori realitetin për të reflektuar shoqëria dhe jo të qeshësh me veten, por të krenohesh me të, ta luftosh të keqen deri në emrion dhe bashkarisht. Në fund të leximit mendon se kur do të ndryshoj jeta e shqiptarit, por duket se ky mbetet një meditim idealist. Duket se do të jetë rrugëtim i gjatë, ndonse jo i pa shpresë.
 
 
 
Nga: Agron MEMA
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s