I VERBËRI QË SHEH ME SYTË E GRAVE / Tregim nga Vullnet Mato

I VERBËRI QË SHEH ME SYTË E GRAVE

 


Tregim nga Vullnet Mato

Xha Sotiri është një plak i verbër që i ka kaluar të tetëdhjetat. Verbëria e plotë i ka ardhur para njëzet vjetësh, për shkaqe thjesht patologjike. Por plaku qyfyrexhi thotë, se sytë i kishin ikur për shkak, se kur ishte i ri e mjaft i pashëm, i mbante aq shumë mbi gratë e botës, sa me vështrimin e vet nga larg, ato e kishin tepër të vështirë t’i rezistonin syve të tij të magjishëm, që i përdorte si lak për t’i fiksuar në vend. Dhe kësisoj, ai kishte çuar në shtrat e nëpër shkurre shumë prej tyre. Aq sa kishte hyrë në gjynah edhe me vetë thënien klasike të Biblës. Atëherë, zoti për ta ndëshkuar, i kishte hequr përgjithmonë gjënë më të shtrenjtë që kishte pasur xha Sotirit në jetën e tij prej dëfrimtari të pasionuar. Megjithatë ai prapë shprehet entuziast: “Me tërë ato zullume që kam bërë, gjene jam i kënaqur, përderisa perëndia më ka dhënë leje të qëndroj mbi tokë! ”
Në kushtet e reja të kapitalizmit, plaku i verbër nuk pranoi të jetonte parazit, në kurriz të bijve dhe bijave, ndonëse ata ishin bërë të kamur. Ai kishte përpara shtëpisë një oborr mjaft të madh. E rrethoi nga të gjitha anët me blloqe betoni dhe e bëri shesh parkimi, për të vjelë nga çdo mjet njëmijë lekë të vjetra. Parkimi i tij nxë tani mbi pesëdhjetë makina të sistemuara lirisht.
Ndonëse pa sy, xha Sotiri ka fare pak probleme me punën e tij për ruajtjen e makinave. Natën vonë ai mbyll portën e madhe prej hekuri me një lloz të gjatë dhe i bën veshët pipëz deri në agim. Problemi i tij kryesor ka qenë vetëm dita, kur atij i duhej të plotësonte orët e gjumit. Ndodhte që shoferët e pandërgjegjshëm, të cilëve u ngjiten veglat nëpër duar, shkonin si në mallin e të verbrit për të bërë ndonjë pisllëk. Po xha Sotiri edhe kësaj ia kishte gjetur zgjidhjen. Për të vëzhguar çdo lëvizje brenda parkimit, gjeti dy plaka komshie, që i kishin shtëpitë ngjitur. Madje njërën e kishte pasur dashnore, kur ajo ishte pak më e re dhe ai pak më i fuqishëm. U caktoi atyre nga njëqindmijë lekë rrogë në muaj dhe i vuri të ruanin tinëz te dritarja me perde, që ndodhej prapa krahëve të tij. “Vërtetë humba dy sytë, po ju dërdënget e mia, më keni bërë me katër llambatina!” u thoshte ai duke qeshur sa herë merrte njoftime prej tyre. Kur dikush nga keqbërësit shkonte të hiqte diçka te makinat e parkuara, plaka që kishte turnin i pëshpëriste afër veshit. Dhe atëherë Xha Sotiri thërriste nga larg me zërin bombastik:
-Ej, Peçi, mos u bëj kusar, lere pasqyrën e tjetrit te vëndi ! Nuk jam qorr unë, kam dy sy përpara e dy prapa kokës dhe të mbërthej si gaforrja…
Kusari tërhiqej mbrapsht dhe dilte nga parkimi vjedhurazi duke pëshpëritur me vete: “Ky plak horr, hiqet kot qorr !”.
-Ej, Mondi, mos e trazo stopin, se lajmërova policinë, të ta zbuti pak kurrizin që të është ashpëruar ca si tepër!…
-Alqi, i biri i Alekos, eja more zullap, të t’i jap unë paratë, të blesh kapaqe për goma benci dhe mos u bëj hajdut rrugësh të trazosh të tjetrit !…
– Nuk trazova gjë, more duduk, të bëjnë veshët…Po deshe të më japësh para, i pranoj, se ti s’ke ku i prish gjithato llapushka që merr!…
– Lëri pordhët me mua, se rrëmbej shkopin e të bëj të të duket gomari dhespot, dëgjove?!…
Plakat qeshnin nga brenda me syçeltërsinë e tyre të maskuar. Dhe kur i dëgjonte xha Sotiri, thoshte me vete: “Ah, të isha pak më i ri, si u bëja unë të gajaseshit, pa le të isha pa sy… Po ç‘e do, tani më është lagur baruti dhe s’ka as diell që e than e as shkrepje që e ndez…”
– E mban mend, ti Frosinë, si kërceja unë si mëz i azdisur ? – ia kujton ai me zë të ulët ish të dashurës aty pranë.
– Po, more Tiri, po ti je bërë tani si kalë gërdallë, më keq se ne plakat… – i gjegjet ajo
Plakat qeshnin një copë herë me qyfyret e përsëritura të xha Sotirit dhe vazhdonin të shpejtonin shtizat që kishin në duar.
Në një mesnatë pa hënë, dy djem të fuqishëm me autovinç shkuan pranë murit të lartë të parkimit. Ata i hodhën qenit një copë mëlçi me helm nga jashtë dhe pritën derisa vigjilenti i natës futi bishtin mes shalëve për të mos u ndier më. Atëherë njëri prej tyre kapërceu murin dhe po mundohej të fuste poshtë bencit të ri, dy rripa të trashë, me të cilët vinçi do ta ngrinte përpjetë për ta nxjerrë jashtë.
Xha Sotiri ndjeu lëvizje ndanë murit dhe kuptoi, se hajdutët diçka po sajonin. I thirri qenit lehtas për ta ndërsyer, por nuk mori asnjë përgjigje. E kërkoi me duar te vendi ku qëndronte pranë tij dhe pasi nuk e gjeti, u mendua një grimë në errësirë. Po të shkonte te hajdutët, do ta vrisnin… Në çastin, kur ndjeu se ai që kishte kapërcyer murin doli sërish matanë, plaku i verbër dëgjoi elektromotorin e vinçit që u ndez për të ngritur makinën. Shkoi shpejt aty dhe gjeti me duar rripat e tendosur. Nxori thikën e xhepit, i preu me tehun e mprehtë dhe rrëshqiti tinëz te kabina e tij pranë derës. Ngriti receptorin e telefonit dhe me rrëshqitjen e mollëzave të gishtave, gjeti numrin e tretë dhe të nëntin.
-Alo, rajoni i policisë ?… Jam Xha Sotiri i parkimit te Rrapi i madh… Ejani shpejt, se kanë ardhur hajdutë me vinç për të ngritur vetura nga jashtë !
Makaraja e vinçit kusar lëvizi lehtas dhe ganxha po ngrihej bosh. Duke kujtuar, se rripat kishin rrëshqitur nga vendi, hajduti kapërceu sërish murin për të parë mundësinë e rivendosjes së sigurt. Por sakaq makina e policisë rajonale kishte arritur te vendi dhe tre policët e specializuar kishin rrethuar vinçin. Ata u drejtuan armët hajdutëve dhe i arrestuan pa gjetur rezistencë nga ana e tyre.
Xha Sotiri u shkoi pranë, pikërisht në çastin kur policët u kishin mbërthyer prangat në duar.
-Po ç’deshët, more djema, në strofkullën e luanit të verbër ? Nuk e dinit ju, që luani sheh edhe me bisht?…
Policët qeshën dhe i fërkuan krahët. Plaku i falënderoi dhe u tha:
-I zbutni pak, po mos u bëni gjë të keqe, se qyteti ynë është i vogël, njihemi me njëri-tjetrin!…
Policët qeshën sërish dhe pasi bllokuan autovinçin, si provë të fajësisë së hajdutëve, u nisën me nxitim.
Në gjendje krejt të shtendosur, xha Sotiri i menduar tha me vete: “Deshën të më vjedhin dhe e pësuan. Po edhe keq më vjen, se ku dihet cilat janë nënat e tyre, mbase janë fëmijë të mi të paregjistruar dhe i ka sjellë te babai era e gjakut!…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s