Poezi nga Lumturi Ymeri Bersava
***
Për të matur mirë fjalën,
heshta në letër
duke të ndjekur
pëllëmbë për pëllëmbë hapat e tua
mbërrita pakuptuar
në trupin tim …
Vazhdon të matësh ti
pastaj, me gishtërinj…
***
Kafazi i kraharorit është dolomiti
që zjarrin e zemrës duron
veç puthja magjike hepon brinjën
të teret avulli i shpirtit që vlon…
HARQE
Në harkun e qafës
në harkun e shpinës
gjer harkut të thembrës
zbret…
Në harkun e supit
në harkun e brinjës
gjer harkut të belit
shket…
Në harkun e gushës
në harkun e gjinjve
në hark të nënbarkut
mek…
Harqe të përpirë
harqeve të buzës
harkimit të gjuhës
zheg…
Tendoset harku i violinës
“sonet i hënës”
sekret i mbrëmjes
RRËZIME NËPËR KOHË
Marrëzive të fëmijërisë
kur hidhesha nga lartësitë
nuk u zemërohej im Atë
Pak duhan vendoste mbi plagë
gjunjëve, kur kullonin gjak…
Sot nuk bëj marrëzi
dhe Babën s’e kam
as tarracën e shtëpisë
Rrëzohem më keq, nga ëndrra
e më plaset zemra…
Pi duhanin e babait
të mbush krisjet në gjoks,
gjithë humnerat aty
Që shpirti kur të bjerë,
lehtë, si një pendë,
të mos dhembë…
E ndërsa,
zverkun shemb…
PSE
Pse më ndjell, kur më përzë
mbjellë në gjoks jam e më shkul
Dritë e qiell krejt m’i zë
më lëshon mjegull mbi udhë
Si të eci, jam pa këmbë
shkoj e vij me buzët gjak
nëpër hartë të mishit
tënd prè më je e të jam çark
ARENË
Ky dem toreadorësh
tërbuar gjakimit
këmishave të grisura
e zemrave të krisura,
vrullon me brirë e brinjë…
unë mes udhës
të zezës e së kuqes
ngul heshtën e shikimit
mu në palcë të shpinës…
me heshtën e dytë
e këpus në gjunjë
e rrëzoj mbi veten
i shkul shtizë e asht….
Dhe shkoj
me klavikulën e tij nën takë…
@ lumturi ymeri (BerSava)