Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Dhimbje

E errët sonte kjo natë,
E zezë si dhe e jotja ikje,
As lulet s’e paskan aromën,
E yjet s’e tjerrkan më dritën.

As hëna s’e paska ndriçimin,
E shtatin e vet paska ngrënë,
Përgjysmë me shpirt të ciflosur,
Edhe ajo, porsi une paska qenë.

Më ike sonte “E mirë”,
E ëmbla ime zemërmadhe,
S’e shoh më të ëmblën buzëqeshje,
As puthjen tënde në të miat faqe.

Kaq bosh kjo e madhja shtëpizë,
Si grua shterpë pa dhembje lindjeje,
Në ballkonin ku dikur malluar më prisje,
Sot të përcjell me lotët e dhimbjes.

Më ike E mira ime,
Në të litartën rrugë pa mbarim,
Në cepin e syve të përvuajtur,
Lotin e njelmët më le si kujtim.

Nëna ime zemërmirë,
Dashurimadhja gjer në amëshim.

 

Vjeshta ime

S’e di pse më pëlqen kjo e arta vjeshtëz,
E mall ndiej sa herë për të,
Për të këndshmen këcitje nën të miat këmbë,
E të artin petk kur krahëve hedh.

Për të paqtin tingull të shiut,
Që aq këndshëm më përplaset në xham,
Aq butësisht më vjedh dhe mendimet,
E njësh me të më bën.

S’e di pse më pëlqen kjo e arta vjeshtëz,
E ndihem me të aq rehat
Ndoshta sepse është stinë e pjekurisë,
E ndoshta më shkon më mirë për shtat.

E harroj të zhveshurën e pemëve,
Që ndoshta me të tyren lakuriqësi ndihen në faj,
Aq shume e ndiej të artën e gjetheve,
E ndihem në faj kur mbi to kaloj.

E mundohem që mos t’i lëndoj,
Me hapat e mi ndoshta të rëndë,
Me buzëqeshje e vështrim lehtaz i përkëdhel,
E me zë të ëmbël ninulla u këndoj.

S’e di pse më pëlqen kjo e arta vjeshtëz
Me gjethëzat e shtruara aq këndshëm në sfond,
Edhe zemrën më dhuron ajo në dorë,
E nën madhështinë e saj më fton.

Ndoshta se linda në të artëzën stinëz,
E ajo ngrohtazi më tulati në të sajin gji,
Këndshëm më pëshpërit në të miat qeliza,
E më thotë: -Vjeshta ime je ti!

 

Shtëpia e shpresës

A doni t’ju tregoj se ç’është shpresa?!
Afrohuni pranë shtëpisë sime të vjetër,
ku me fjalë të ëmbla u rrëfej fëmijëve,
se nesër së bashku do ndërtojmë një strehëz tjetër,
një strehëz për princër e princesha.

A doni t’ju tregoj se ç’është shpresa?!
Uluni me mua në tavolinë,
të shihni sajesën që kam në tenxhere,
e fjalët e mia për një vakt më të mirë,
një vakt që të ngij siç duhet fëminë.

Shtëpisë sime s’i vjen era saraje,
mban aromë të thjeshtë bukëvale,
është shtëpi fëmijësh,pa luks ,mes thjeshtësirash,
ku hallet janë mbledhur e bërë tërkuzë,
por në të s’mungojnë ëndrrat dhe dëshirat.

Shtëpi ku e sotmja bëhet rrëmujë,
mes shpresës për një të ardhme tjetër,
shtëpi ku falenderimet nuk kanë të sosur,
për këto që kemi në shtëpinë e vjetër.

Sepse shpresa është forca që të ngre në këmbë,
është vlera njerëzore jashtë çdo abstrakteje,
shpresa është buzëqeshja me sy të dëlirë,
për një të ardhme tjetër,pse jo,më të mirë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s