Poezi nga Elida Rusta
***
Dikur shkrije e lëngëzoje gurin,
tash gurëzon lëngatat,
ç’pate që kërkove të rritesh?
***
U futa sërish në Bunë,
etja harliset tek një krua.
Dashnia të shterr
a të shemb,
si thua?
***
Ti erdhe krejt si poezi.
I pakuptueshëm,
i domosdoshëm,
i humbshëm,
delikat,
i fortë,
i prekshëm,
i gjallë,
i vdekshëm.
Si jeta,
si kánga që e duem veç për vete.
Mbrám ti s’ishe kso toke.
Ishe grimcë ajri që m’u mblodh në shpirt
e t’shndrroi në vepër arti.
Ndoshta se jam dashuru
e dridhem si vjeshta e Preverit
ku çdo gjethe i ngjan nji luleje.
Veç fjala mundet me t’kallzu kush jam,
ani pse mendja m’difton pareshtun se cila duhet me kén.
Po çka t’báj unë që Zoti t’ka gdhend me daltë rrufeje?!
Shko e m’lén me t’ndi,
m’gjetsh t’shndrrueme në aromë!