Poezi nga Ollga Selmani
Nuk jemi të pakthim
Kjo natë është si gjithë të tjerat,
e nxirë, e errët,
me humbje drite n’arrati,
që lë nga pas pak trëmbje .
Bën si i humbur mes turmës
e dukesh si fikje e dritës në natë .
Kjo është veç dridhje zemëre,
se ne, aty jemi prapë .
Kjo trëmbje si humbje drite,
është thjeshtë një mashtrim,
se ne , as jemi të ikur,
e as jemi, të pakthim .
Për të mbetur gjallë
Për të mbetur gjallë, stuhi bëjmë qiejve .
I mbledhim retë dy nga dy,
i përplasim me forcën e shpirtit,
deri sa të bjerë shi .
Se shirat, as më shumë as më pak,
janë dëshira mbetur n’arrati,
kthyer shirash ndërkaq,
lodhur përpjekjesh në vetmi .
Kjo stinë shirash hap e mbyll qiejtë,
siç hapim e mbyllim dyerët e shtëpisë,
kur dalim rrëmbyeshëm mallesh,
pengje mbetur arratish.
Do ta pimë vjeshtën
Ndër mote ia pimë vjeshtës nektarin,
po ajo jep e s’mbaron kurrë.
Me dashurinë e saj të pafundëme,
e ushqen botën sa mund .
Le ta pimë mushtin e vjeshtës
edhe këtë herë si gjithëmonë,
se vjeshtat s’kanë të sosur,
se vjeshta është grua lehonë.
Le ta pimë vjeshtën edhe sonte .
Tetori është grua në shpërthim
e si do që të ndodhë,
do ta pimë vjeshtën, do ta pimë .