Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Bulqizë 2014

Kukuvajka gjumin zgjon…
Shallin lidhur lak në grykë.
Qafës së Buellit mbi furgon,
Një ngulçimë më zë në fyt.
Nuk më kthehet koka pas.
Ia kam marr djalit dy sytë.
Seç më vjen të ulëras.
Kam veç një e s’kam të dytë.

Biçikletën s‘e harroj.
Kur të kthehem, biri im,
Në u bëfsha tjetërsoj,
Do ta mposht këtë mallkim.

Re të egra laramane.
Çerek dielli sa mezi.
Nja dy ura çalamane.
Kovën mbushur, krom i zi.
Falmë ëndërr një buzëqeshje!
Hiqma sysh gurin e zi!
Bir, do të doja cit të mbushje,
Kovën plot me poezi.

 

E palyer me miell

T’a dërgova poezinë, ashtu, siç ish,
Në një kupë për ta pirë.
S’u habite, kur lot gjëkundi nuk kish,
Se e dije, diku larg kishin ngrirë.

Dhe besoj të të japë përherë emocion,
Ndryshe, ç’poezi do të ish!?
Do t’i ngjante bukës së mykur, racion,
Që në burg as të ngop as të grish.

Nuk e desha atë si rrobë, vish e çvish,
As për krime, ndëshkime.
Në luftën për jetë s’u bëra kurrë bishë,
Ndonëse lidhur zinxhir’ e privime.

T’a dërgova ashtu poezinë, siç ish,
Të palyer me miell.
Kisha folur një ditë me Zotin, ta dish,
Në një kënd, as në tokë as në qiell.

 

Ujku

Përballë të kam.
Me ujk më ngjan.
Prapa syzeve ca sy të zinj.
Me një buzëqeshje false,
Prerë diku, një Zot e di!?
E bëj durim.
Unë, një kec jam.
Nga zori të kërkova një takim.

Si ujk pas skrivanisë,
Lyer me maskën miell,
Se si m’u duke.
Ndoshta një palaço veshur me diell.
Si në një film socrealist
Me zë, o pa zë,
Që kërkon të më detyrojë,
Një “po” të them gjithnjë.

Fundosur i tëri në kolltuk,
Provon të më godasësh
Me atë maskën tënde lyer me miell.
Por mielli më nuk vlen.
Nuk më gënjen.
Tashmë unë atë përrallën e di mirë,
E të të them qoftë dhe një “po”,
Nuk kam dëshirë.

Seç pyet!…
Gjëra pa kuptim.
Nga ato që i përkasin ujkut.
Një ujku që kërkon bashkëpunim.
Por këtë mos ma kërko mua.
S’e kam dashur, s’e dua.
Ndoshta të ndihmojnë
Ujqit e tjerë të qytetit tim.

E kot të flas.
Ngrihem.
Ç’ta zgjas!?…
Me një ujk
S’mund të rri më.
Ti
Edhe në dëgjon gjithçka,
Nuk ndjen asgjë.

 

Ishe një zambak

Shoh mbi qytet një kupë me yje, si lule maji, prush,
Varur mbi pullazet e lagjes tënde të vjetër,
Se zgjuar jam tërë natën, brenda syve të tu, Lasgush.

Fishkur janë zambakët kopshteve nga era e marrë.
E brenda grisë së syve të tu provoj të pyes:
Përse kanë humbur buzëqeshjet përreth? Ç’ka ngjarë?

Miku im i largët, kurrë s’e dhe një varg kapar
Dhe drita e poetit kurrë s’të bëri plak.
Ndaj edhe kur qafa të përkundej si një kërcell i tharë,
Vura bast me veten, që ishe një zambak.

Dridhen n’agoni kallinjtë, misër arave s’ka më.
Seç përtypin “Ik të ikim” dhëmbëve të rinjtë,
Por edhe pse gojëhapur, prapëseprapë, s’u dilka zë.

Bosh qenkan stolat në park: heshtje që dua ta vras.
Si gjethe vjeshte bien vargjet e tua mbi ta.
Kur shkopi s’troket e Çuci s’të nget, jam unë që këlthas.

Miliona yje shoh, po ai i yti më ka mbetur në sy.
Cepin e palltos tënde s’ka erë ta tundë.
Ndaj pyes prapë e prapë: i meriton kjo botë poetë si ty?

Shoku im i brishtë, një mendje me ty unë ndaj:
Në këtë gjolin tënd kurrë s’do të humbas
E në qëllofsha deteve të egër, prapë ty do të të ngjaj.
Velë e bardhë do jem: t’ia dal në çdo tallaz.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s