SHKRIMTARË, PËRKTHYES, MËSUES DHE BOTUES QË KONTRIBUUAN PËR LETËRSINË PËR FËMIJË PARA ÇLIRIMIT / Nga: Antela Spaho

SHKRIMTARË, PËRKTHYES, MËSUES DHE BOTUES QË KONTRIBUUAN PËR LETËRSINË PËR FËMIJË PARA ÇLIRIMIT

 

Nga: Antela Spaho

Ndërsa letërsia për të rritur në këtë periudhë nxori një Nol e një Migjen, një Fishtë, një Konicë e pak të tjerë, letërsia për fëmijë s’pati individualitete të spikatura, e si rrjedhojë as vepra të spikatura. Në këtë periudhë pati më tepër lexime për fëmijë sesa letërsi të mirëfilltë për fëmijë. Është ky një fakt që nuk e fshehën botuesit dhe përkthyesit e asaj kohe, përkundrazi e pranuan atë duke u përpjekur të mbushnin deri-diku letërsinë për fëmijë me përkthime nga letërsia botërore.
Me gjithë vështirësitë e botimit dhe të shpërndarjes, mësuesit, arsimdashësit, patriotët, shkrimtarët dhe përkthyesit bënë një punë mjaft të madhe, që është për t’u vlerësuar jo vetëm për kohën kur u bë por akoma dhe sot. Që në atë kohë lexuesit e vegjël shqiptarë patën në dorë letërsi shumë të bukur të huaj të përkthyer. U botuan vjersha, tregime, përralla, fabula etj., por edhe vëllime të tëra poetike, romane, përmbledhje përrallash, tregimesh dhe tekste të ndryshme shkollore.

Edmond De Amiçis ishte ndër të parët shkrimtarë të huaj që iu bë i njohur lexuesve të vegjël shqiptarë që në vitin 1905. Në fillim me fragmente nga romani “Zemër”, të cilat përdoreshin për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë të shkollës të Konstancës, të përkthyera nga mësuesi Aleksandër Stavre Drenova. E plotë kjo vepër u botua në vitin 1923, u ribotua më 1928, dhe u ribotua përsëri më 1932 nga shkrimtari dhe përkthyesi shkodran Karl Gurakuqi. Një tjetër libër i shkrimtarit E. De Amiçis, i përkthyer dhe i botuar në shqip në atë periudhë, është dhe libri me titull “Jeta ushtarake”. Libri është përkthyer nga Thanas Floqi më 1934 (botimi i dytë). Sipas të dhënave nga botimi i këtij viti, mësojmë se libri është botuar për herë të parë në shqip në vitin 1908. Por, përveç botimit të vitit 1934, libër tjetër nuk kemi evidentuar dot.

Letërsia për fëmijë vazhdon më tej me libra të përkthyer nga Lumo Skëndo. Në vitin 1909, ai boton në Selanik pjesë të përkthyra nga romani “Robinson Kruzo” të shkrimtarit Daniel Defo. Botim të plotë të këtij romani bëri më pas Dhori Koti në Korçë. Për këtë të fundit s’kemi të dhëna për vitin e botimit.
Më vonë, në vitin 1914, Lumo Skëndo do të përkthente nga anglishtja librin e shkrimtarit Nomteja D’Aulnoy, me titull “Shkurtabiq i verdhë, miu i vogël, sokrat i bardhë”. Këtë libër Lumo Skëndo e botoi në shtypshkronjën “Kristo Luarasi” në Sofje. Libër tjetër të përkthyer prej Lumo Skëndos në atë periudhë kemi edhe librin me përralla për djemtë (siç shkruhet në libër) me titull “Bëje të mirë pa hidhe në det”, të shkrimtarit gjerman Franc Hoffman. Libri është botuar në Sofje në vitin 1900, në shtypshkronjën “Mbrodhësia”.

Një vit më të hershëm botimi mban dhe përkthimi i Lumo Skëndos i librit “Gyjom Telli” i shkrimtarit Lamartin, botuar në Sofje në shtypshkronjën “Mbrodhësia” më 1898. Po ashtu, libër tjetër që i përket kësaj periudhe është ai me titull “Rrësku Arbëror” (Hazna Shqiptare). Ky është një libër me “Tregonjëza popullore satirike për t’u mekur së qeshuri ndë vjersha”. Botimi i parë i këtij libri, me autor Ilo Mitkë Qafëzezin, mban si vit botimi vitin 1910, dhe si botim të dytë apo ribotim mban vitin 1924. Libri është botuar nga shtypshkronja “Dhori Koti” në Korçë.
Më pas prej Ilo Mitkë Qafëzezit kemi në vargje dhe në prozë historinë e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, me titullin “Aleksandrijadha a Leka i Math” (poemë), dhe me titullin “Historia e Lekës së Math” (Aleksandër Maqedhonit) në prozë. Të dyja këto janë të botuara në të njëjtin vëllim dhe në të njëjtin vit (1927), në Korçë. Libër tjetër po prej I. M. Qafëzëzit është ai për jetën e Kristofor Kolombit me titull “Kristofor Kollombua dhe zbulimi i Amerikës”, viti 1922. Pjesa e parë e këtij libri hapet me titullin “Çunëria e Kollombos”. Meqë jemi tek Ilo Mitkë Qafëzezi nuk do lë pa përmendur përkthimet e tij nga Oskar Waild.

Një tjetër libër i botuar para çlirimit, që mban si vit botimi vitin 1911, i shtypur në shtypshkronjën “Korça”, është ai me titull “Mbreti i Assirisë Assarhadoni” dhe “Tri pyetje”. Siç shihet, janë dy libra të botuara në një vëllim. Librat janë me përralla të përkthyera nga N. Koçi.
Romani i famshëm dhe aq i dashur për lexuesit e vegjël (madje edhe për të riturit) “Tre musketjerët” i shkrimtarit Aleksandër Dyma, vjen në Shqipëri në vitin 1938 prej përkthyesit Thanas Floqi dhe shtëpisë botuese “Kristo Luarasi”.

Leon Tolstoi, në këto vite do t’u prezantohet lexuesve të vegjël shqiptarë me rrëfenjën me titull “Me çfarë rrojnë njerëzia”, botuar nga shtypshkronja dhe libraria “Dhori Koti”, Korçë më 1928. Libra të tjerë të kësaj shtypshkronje dhe librarie kanë qenë dhe romanca “Fatbardhi”, përkthyer nga Filip Papajani, me pseudonimin Lipi, në vitin 1934, si dhe libri tjetër me rrëfenja e zbavitje me titull “Nastradin Hoxha”, pa vit botimi.
“Emili” është një libër tjetër i përkthyer dhe botuar në shqip në këtë përiudhë, shkruar nga Bamba Hartoth dhe përkthyer nga ish-mësuesi Sotir I. Kamenica. Ai botohet për fëmijët shqiptarë në vitin 1939, në shtypshkronjën “Peppo” në Korçë.
“Tepeyac” është titulli i librit të Arturo Murarit. Me poshtëshënimin, “tregim meksikan”. Ky libër vjen në shqip si botim i “Kumbona e së Diellës” nr. 9, shtypur në shtypshkronjën “Cirka” në Shkodër. Ky është libër për djemtë e veprimit katolik shqiptar. Viti i botimit mungon.
“Përralla të zgjedhura” nga C. Siniscalchi është një libër tjetër i botuar për fëmijët para çlirimit. Është përkthyer nga Dhori Andrea, por mungon viti i botimit dhe emri i shtëpisë botuese.

Lojërat dhe bëmat e “Njeriut të padukshëm”, fëmijët shqiptarë do t’i lexojnë në gjuhën amtare me ndihmën e përkthyesit me pseudonimin DAJ=JAKU. Libri është i shkruar nga Ralf Clifford. Në libër s’ka të dhëna për vitin e botimit dhe shtëpinë botuese.
Përkthyesi Fahredin Angoni ishte ai që solli në shqip jetën dhe veprën e njërit prej gjenive të muzikës botërore, Moxartit. Libri mban titullin “Djaloshi gjenial” dhe është botur nga shtypshkronja “Peppo & Marko” në Korçë.
“Përralla të arabisë” i ka sjellë në shqip Faik Konica, të botuara në shtypshkronjën ARGUS në vitin 1943, me titullin “Nën hien e hurmave”.

“Princi i lumtur”, së bashku me përralla të tjera të shkrimtarit Oskar Wilde, u përkthyen në shqip në fillim (Princi i lumtur) prej Skënder Luarasit, e më vonë prej botonjësit Ismail Mal’Osmani në Tiranë në vitin 1944.
Romani “Robinson Kruzo” i shkrimtrait Daniel Defo është botuar në këtë periudhë nga shtypshkronja dhe libraria “Dhori Kotti” në Korçë. Mungon viti i botimit dhe emri i përkthyesit.
Libër tjetër që mbyll siparin e librave për fëmijë të përkthyer para çlirimit është ai me titull “Çunat e rrugës Pal” i shkrimtarit të njohur Ferenc Molnar. Siç shkruhet dhe në kopertinën e tij, është një libër me nëntë piktura. Libri është përkthyer në shqip prej Andon Frashërit, botuar në shtëpinë botuese “Luarasi”, Tiranë 1944.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s