Poezi nga Edmond Shallvari
Kam qenë…
Kam qenë, si s’kam qenë, në arena gladiatorësh
Në ndeshje ku vdekja kënaqte spektatorët
Me uljen e gishtit mes britmash gëzimi
Shpata urdhërohej, të shqyhej njeriu.
Kam qenë, si s’kam qenë, në kryqëzata kryqtarësh
Ku shqyhej njeriu, orgjish kanibalësh
Në emër të Krishtit me kryqin simbol
Ku Zoti tmerrohej dhe s’ndjehej më Zot.
Kam qenë, si s’kam qenë, rreth turrës së zjarrtë
Ku lidhej e digjej njeriu i gjallë
Për të vetmin faj se ishte i mençur
Mes botës injorante, botës së çmendur.
Kam qenë, si s’kam qenë, në çdo kryengritje
Në kohë spartanësh, sistemesh në ikje
Në kohë mbretërish mes kokash të prera
Ku gijotina vriste më keq se kolera.
Kam qenë, si s’kam qenë, në çdo perandori
Romakes dikur, anadolles Turqi
Kur bota u nda besimesh pa fund
Varur gjysmëhënës, gozhduar në kryq.
Ç’të vazhdoj më tej, ku jam dhe si jam
Të them mosqofsha, më mirë po them, Mjaft!
@Edmond Shallvari




























Leave a Reply