Poezi nga Rami Kamberi
NE, QË MBETËM PA ATDHE…
Ne, dimë vetëm të presim
Si dashninë që e fshehim, mes guximit dhe frikës nëpër lumni
Ne, dimë vetëm të vdesim
Si lirinë, që e fitojmë ndër beteja, dhe ja falim robërisë përsëri
Ndër miklimet tona, që na i ruan vetëm kujtesa, si plisin malësia
Fjalët i bëjmë libra, odat biblioteka e kullat i shndërrojmë, në muze
Majë malesh i ruajmë gjuhë e jetë, ku e madhe, na duket Shipnia
Ndër lecka mjerimi e kënaqemi kur barkun na e mbush, fjala Atdhe
Ne, dimë vetëm të presim
Nëpër fusha të gjakut, të na e sjellin lumturinë, tradhti e robëri
Ne, dimë vetëm të vdesim
Si dashninë kur e kërkojmë, mes guximit e frikës, nëpër malësi.
SONTE, NUK MUNDEM….
Miq, sonte nuk mundem, të shkruaj poezi
Më mungojnë fletë atdheu, penës, i mungon ngjyra
Mbi tavolinë, nuk ka as pika loti as dashni
Mbeta me thinjat e rrudhat e mjekrën, ku m’rri fytyra
Me flamurin, që, më ka lidhur, me tradhti
Vetëm sytë e shikojnë motin, shtati më thotë: do të bie shi
Si moteve të ikura, hija e kobëzezave hije, që ma rëndonte kokën
Kur Sharrit plak, ecnin, uniformat e gjakta, si djalli me një sy
E xhindet e kuqe, sikur nepërka, ma kafshonin deri në palcë tokën
Miq, sonte nuk mundem, të shkruaj poezi
Nata e ka terrin e motit, hija e kobëzezave hije ra përsëri
Mbi tavolinë, nuk ka as pika loti as dashni
Në dhomë, jam unë, ballë për ballë, me robëri e tradhti
Me flamurin, që, më ka lidhur, me jermi.
BARESHA, BARDHOKE…
Sa shumë dashni
I kishin bebëzat e syve, kur më shikonte
Sa etje për lumni
I kishin buzët, kur me buzëqeshje i trazonte
Bjeshkëve të Sharrit, ku emrin e la baresha bardhoke
Me sy qielli, që e pinte dhe bardhësinë e plisit
Sa herrë që stolisej me luleshqerash, kurror për koke
Kur zemra ja këndonte, këngën, fisnikja e fisit
Sa shumë dashni
Kishte mes shikimeve, kur i skuqej fytyra
Sa etje për lumni
Kishte, bjeshkëve, ku dukeshin qindra ngjyra.