ROJTARI I VARREZAVE / Tregim nga Lumo Kolleshi

ROJTARI I VARREZAVE

 

Tregim nga Lumo Kolleshi

Një natë si ajo, me hënë dhe këngë bilbilash në korrijen përtej, ia bënin më të lehtë dremitjen. As vet nuk e merrte me mend pse po i këputeshin si copa shkëmbi pas një ngrice vetullat e tij të trasha. Gati çdo natë i drejtonte një pyetje të vështirë vetvetes : „Kë ruaj unë i gjori, varret apo shpirtrat e të vdekurve? „ Megjithatë e dinte fort mirë që borderonë e tij të varfër në bashki e firmoste vetëm për ruajtjen e varreve.
Një zhurmë e beftë fare pranë barrakës e bëri të ngrihej vrulltaz . „Ndonjë nga ata batakçinjtë që vjedhin lulet dhe të dielave ua shesin të afërmve kur vijnë këtu.“ Kaq mendoi dhe doli me rrëmbim jashtë për të parë. Asnjë siluetë nuk dallohej, edhe pse mbi pllakat e mermerëve gjithfarëlloj pikonte dylli i verdhë i hënës . „Ah, këto punët e natës !“ Psherëtiu dhe u fut sërish në barrakë. Ende nuk ishte i qetë dhe nuk e mbante dot brenda vetes shqetësimin e asaj zhurme, andaj doli përsëri . Shkoi deri te porta e hekurt, u sigurua që kyçi i zi i kishte mbërrthyer aq mirë dy kanatët e portës dhe këmbët e lodhura i hoqi zvarë drejt strehzës së tij të mërzitshme.
Këtë radhë nuk donte t’u zinte besë as veshëve. Ishte pikërisht emri i tij dhe po e dëgjonte në mes të vdekurve. Veçse zëri vinte i hollë e i hollë , si një fije peri e ngrënë nga mola. „Po kjo hata ?!“ Ia bëri pyetjen vetes dhe s’kish nga të merrte përgjigje. Zëri vinte i këputur dhe kërkonte ndihmë. Veç tij , në atë pllajë mesnate, asnjë i gjallë nuk pipëtinte aty. Madje hallet e familjes dhe tufa me kalamanj e kishin shndërruar në një pijanec , e kishin rënuar deri në atë pikë , sa , një ditë prej ditësh , në pije e sipër , i kishte thënë një shoku të vet se dhe ai nuk ishte aspak më i vdekur se ata që ruante, por i pakallur në varr. Emri i tij u përsëdyt dhe pikërisht në atë moment po merrte trajtën e një lutje.
-Kush thërret? – pyeti gati në ajër , me një ndjenjë të hapur pasigurie.
-Jam unë.
-Kush? Kush?
Dëgjoi emrin e një të vdekuri para një viti. Flokët iu bënë të iriqtë dhe mornicat ia shndërruan trupin , sikur ta kishin hedhur lakuriq mbi hithrat e një gërmadhe apo sikur ta zhvatnin qentë. Më mirë do të pranonte të shpupuritej nga hithrat , se të ndodhej përballë një fantazme.
Një mendim kërkonte ta rrëmbente forcërisht dhe ta syrgjynoste brenda barrakës për ta shkëputur nga thonjtë e atij tundimi , që po merrte trajtën e një misteri. Por ky nuk ishte një mendim i vetëm dhe i prerë , në lëkundje e sipër , një mendim tjetër e bëri të gjunjëzohej përballë këtij fakti. U ul në stolin pranë çezmës dhe u hodhi dy grushta ujë syve për të qartësuar sadopak shikimin. E ftoi fantazmën pranë vetes.
-Sigurisht që më njeh , – e hapi portalin e këtij kuvendimi gati mistik.
-Patjetër , – ia ktheu rojtari. Një ndjenjë përmallimi e shtyu të kryente aktin e një përqafimi, por veçse ajër mbështollën krahët e tij. Megjithatë sytë dhe veshët po i mbusheshin plot.
-Dua të më bësh një nder , të m’i heqësh kockat nga varri që kam dhe të m’i futësh diku gjetkë.
Asnjë përgjigje nuk mori nga njeriu i gjallë. Një thirrje e brendshme e bëri t’i çonte të dyja duart në kokë dhe sakaq plazma e heshtjes u ça. Në kokë po i ulërinte thirrja: “O Zot , pse po tallesh me mua? Nuk më mjaftojnë hallet që kam?”
-Asgjë e çuditshme. Kaq e pamundur të duket? Në këtë botë ka aq e aq ndyrësira, sa nuk të shkon në mendje. Edhe dielli ka njollat e veta.
-E kam… Si të të them…Jam i pa…
I gjallli ndodhej aty me një arsye të arratisur aq sa dhe frazat i linte copa-copa rrugës , ndërsa i vdekuri kundërshtonte me një logjikë gati të hekurt.
-Këtë nder e dua vetëm nga ti.Je më i besuari për ne këtu dhe askush tjetër nuk mund ta marrë përsipër.Kam dëgjuar se tani afër do të më bëjnë varoshin me mermer.Jo , nuk do ta dëshiroja kurrë. Ai mermer dhe ato lule që m’i sjellin nuk janë për mua. Jo , nuk më ngatërrojnë me ndonjë tjetër , siç ndodh sot , unë jam , por të gjitha i shikoj si tallje dhe përbuzje bashkë. Ah ,po , veç lulet që më sjell ime mbesë , ato janë me gjithë shpirt. Ah , sikur t’i njihje dhe t’i veçoje nga të tjerat.Hë , si thua? E merr përsipër? Qenke i pavendosur! Ik këputi ca dopjo të mira dhe bisedojmë sërish.
E kishte të pamundur dhe nuk vendoste. Nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend që i gjalli të merrte urdhra nga i vdekuri. Për më tepër , zhvarrosjet , të çdo natyre qofshion, i konsideronte antinjerëzore. Tekefundit ai besonte ende te te karakteri i vet se nuk ishin bërë ujë ndjenjat prej njeriu.
Një buf fluturoi mbu kokën e tij dhe për një çast fantazma u zhduk nga sytë e rojes. I gjalli , aty për aty, ndjeu të ftohtë dhe po kërkonte shoqërinë e të vdekurit. Ndoshta kërkonte të zbulonte rrënjët e atij pengu që i vdekuri mbante atje poshtë. E mallkoi bufin e natës që erdhi krejt pa ftuar dhe këputi një linjë të çuditshme midis dy botëve.Prtovoi të ngrihej dhe vetja iu duk si një trung i prerë , pa degë e pa fletë. Sakaq fantazma u shfaq papritur dhe nuk i la kohë të habitej
-Hë , mik i dashur , si do të veprosh? Të lashë kohë për t’u menduar.
Kishte arritur në një pikë të atillë , sa në trurin e tij përziheshin e ngatërroheshin së toku personazhe nga Shekspiri dhe Dante , të cilët i kishte lexuar qysh në rininë e vet.Por më tepër po i dukej vetja si një varkatar i Ferrit që po i nxirrte shpirtrat prej tij. Nuk ishte në gjendje të vendoste për asgjë , donte vetëm të dëgjonte e të dëgjonte.
-Këtu tek ne , – filloi sërish fantazma , – hipokrizia kthehet e tëra në mermer. Të duket çudi kjo që po të them? Hidhi pak sytë mbi varroshin e të mirit Lirim. A nuk të duket mizerabël që sot njeriu , i cili ka rrëmbyer postin e tij në një rrugë krejt mafioze , Cifka pra. Ç’nuk la pa punuar sa qe gjallë Lirimi. Sa baltë hodhi kundër tij e tani , për t’i dhënë rëndësi vetes , në përvjetorin e vdekjes, vjen e përrulet pranë varrit të tij. Aty fare pranë tij , ti më mirë se kushdo e di fare mirë që këtu nuk ka hierarki vlerash , këtu gjithçka është me short , është varroshi i Senës. Më thuaj ti, nuk e lanë djemtë të vdiste në vetmi? E po varroshin ia bënë kaq madhështor , sikur të ishte heroinë. Po Zarishin? E mban mend Zarishin? E rropën çupat për atë të shkretë testament derisa në fund e plasën në çmendinë. Tani i kanë ngritur edhe tendë mbi mermer. Edhe Kilit të gjorë , që e gjetën pas një jave të vdekur në shtëpinë e tij me dyer të mbyllura , ja , edhe atij ia kanë bërë varroshin. Për kë të flas më parë? Do edhe për mua , se edhe mua do të ma bëjnë varroshin. Po kush do të ma bëjë? Nusja që më ka trajtuar si një qen dhe tani vjen këtu me ca ligjërime , që s’dihet ku i ka marrë , madje , për ironi , vjen e më thotë „baba“ që ta dëgjojnë të tjerët sa e dhembshur ka qenë. I ke parë që këtu asnjë nuk qan po s’pati ndonjë tjetër që ta dëgjojë? Sos vetëm nusja. Po djali im? Eh , syerruri nga pushteti…
I gjalli heshtte dhe vetëm dëgjonte , por fantazma në këtë moment e mpaku zërin , dukej e kishte të vështirë të vazhdonte. Roja as e nxiti të rrëfehej , as kërkoi t’i vinte kapak këtij ligjërimi të rëndë.Sakaq fantazma po e kuptonte që koha po rridhte pamëshirë kundër saj , Kështu që e mori prapë fjalën.
-Më hipi në mkinë . E dinte fort mirë që qyteti do të sulmohej dhe plumbat do të kullotnin rrugë më rrugë e dritare më dritare . Nuk bëri as më të voglën përpjekje për ta ndalur atë sulm atë mallkuar .Ai kishte në dorë më shumë se kushdotjetër për ta bërë një gjë të tillë , por ai ngutej dhe shikonte vetëm orën ,sikur do t’i pëlcitnin minat para këmbëve…E më solli këtu , se i kisha tepëruar . Po më mbrapa? I priti në shtëpi vrasësit e mi , i gostiti dhe ata i premtuan karrierë të mirë në kryeqytet…E kupton kërkesën time tani? Nuk mund ta mbaj dot mbi supe mermerin e tyre. Ç’dëshiron nga unë? Për punën që do të bësh , do të shpërblehesh paq. Kam një orë të florinjtë me qostek. Edhe dy dhëmbët shkuli e merri me vete , se këtu nuk më hyjnë në punë…
Nga qymezët e shtëpive private përreth varrezave filluan rrallë e pastaj e shumuan këngën e tyre këndezat , sikur të ishin në garë me njëri-tjetrin. Fantazma hodhi shikimin nga qielli që kishte filluar t’i shuante një nga një kandilthat e yjeve dhe u ngrit rrëmbimthi.
-Mendohu , takohemi përsëri…
Zhdukja e saj e bëri edhe më të plogët. Priste me padurim sa të shtyhej edhe ajo pak mugëtirë e mbetur prej asaj nate të tmerrshme. Madje ai e quajti djallonatë.
Nuk u kthye në shtëpi si zakonisht. Këmbët e morën gati zvarë dhe e çuan te kafeneja në periferi. Filloi të zbrazte kupa rakie , si për ta mbytur atë takim të çuditshëm , që herë i dukej si trill i një të çmenduri , herë si një realitet i çmendur dhe i zhveshur lakuriq. Aty afër drekës e gjetën të pajetë në rrugicën qore që lidhte pallatin me qendrën e qytetit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s